BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookBanka Qendrore e Kosovës nuk e zhvlerësoi dinarin

Banka Qendrore e Kosovës nuk e zhvlerësoi dinarin

Ndalimi i dinarit në Kosovë është kryefjalë e përplasjes mes Serbisë dhe Kosovës prej miratimit të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës. Por ndërsa vendimi passjell moslejimin e marrjes së pagesave dhe kryerjes së blerjeve me para të thatë në monedhën dinar, kjo nuk nënkupton se vendimi zhvlerëson dinarin, siç është interpretuar në media.

Jona Plumbi

Vendimi i BQK-së që vendosi kufizimin nga 1 shkurti të transaksioneve të pagesave Cash në dinarin serb, mes të gjithë monedhave të tjera të huaja, është kthyer në arenën e përplasjes së rradhës mes Kosovës dhe Serbisë. Si gjithmonë, pjesë e kësaj përplasjeje janë bërë dhe partnerët ndërkombëtarë të dy vendeve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.

Debatet dhe lufta diplomatike është përkthyer në shumë lajme që kanë qarkulluar ditët e fundit në mediat shqiptare. Disa prej tyre e kanë interpretuar këtë rregullore të re si një zhvlerësim të dinarit serb. Kështu shkruan Rruga Press kur njofton “Kritikat e aleatëve për zhvlerësimin e dinarit, Bislimi: BQK ka pavarësinë e saj, s’është negociuar për të në Bruksel”.

Në fakt, sipas rregullores së debatueshme të BQK, valutat jo-euro, duke përfshirë dhe dinarin serb, mund të përdoren për t’u ruajtur në llogari bankare dhe me to mund të kryhen pagesa ndërkombëtare e të përdoren për këmbim. Në asnjë moment vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës nuk flet për zhvlerësim të dinarit, që nga pikëpamja ekonomike do të thotë ulje e vlerës së dinarit përballe monedhave të tjera.

Gjithashtu vlen të përmendet se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës vetëm sa përforcon Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Historiku i valutave në Kosovë

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK në shtator 1999 vendosi përdorimin e markës gjermane dhe monedhave të tjera të huaja në Kosovë. Shkak ishte ekzistenca e shumave të konsiderueshme të markes gjermane, që ishte valuta më e përdorur në periudhën para luftës, si dhe fakti që popullsia ishte e familjarizuar me këtë monedhë.

Në vitin 2002 UNMIK dhe Bashkimi Europian i besuan Bankës Qendrore të Kosovës (asokohe BPK) zëvendësimin e monedhës në Euro në bashkëpunim me Bankën Qendrore Europiane. Edhe pse nuk është pjesë e Eurozonës, Kosova shpalli ligjërisht euron valutë të vetme zyrtare. Kushtetuta e Kosovës e vitit 2008 përcaktoi ‘si mjet të vlefshëm pagese përdorimin e një valute të vetme’ (neni 11).

Përfundimi

Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës që hyri në fuqi në 1 shkurt 2024 është një përforcim i një rregulli të mëhershëm të vendosur prej vitit 2002 në Kosovë dhe sanksionuar në Kushtetutën e Kosovës në vitin 2008. Pavarësisht ekzistencës së ligjeve, Kosova ka bërë një “sy qorr” gjatë 22 viteve të fundit, duke toleruar përdorimin e dinarit në komunat veriore me shumicë serbe në Kosovë. Pas vendimit të 17 janarit të BQK-së, dinari nuk do të përdoret më për pagesa cash apo për transaksione pagesash në Kosovë.

Pavarësisht kësaj, vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës nuk sjell zhvlerësimin e monedhës së dinarit, si është portretizuar në media, ndaj këtë pretendim do e kategorizojmë si të pavërtetë.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img