Pretendimi: Ushtria amerikane ka vendosur të mbyllë projektin studimor HAARP në Alaskë

Verdikti: Mungon konteksti

——————————–

Lajmi se ushtria amerikane planifikon të mbyllë projektin studimor shkencor të quajtur HAARP po ngazëllen konspiracionistët në rrjete sociale. 

Postimi i mësipërm shoqërohet me imazhin e një artikulli të medias amerikane NBC News ku shpjegohet se Forcat Ajrore amerikane i kanë thënë Kongresit të ShBA se kanë në plan të mbyllin HAARP.

Artikulli në fjalë është i vërtetë, por, fatkeqësisht për konspiracionistët, ai është i para 10 viteve, publikuar më 23 maj 2014.

Eshtë e vërtetë që Forcat Ajrore, në atë kohë, planifikonin ta mbyllnin programin studimor në 2014. Eksperimentet u ndalën në verën e vitit 2014, por mbyllja e plotë dhe çmontimi i objektit u shty për në Maj 2015

Gusht 2015, objekti dhe aparaturat e HAARP iu dorëzuan në kontroll Universitetit Alaska Faribanks, i cili ia ofron për përdorim me pagesë hulumtuesve.

Kështu, megjithëse projekti ka ndërruar pronësi, HAARP vijon të ekzistojë dhe t’u japë material teorive konspiracioniste të shumëllojshme si shkaktari djallëzor i tërmeteve, uraganëve, përmbytjeve, thatësirave, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve.