Këtë fundvit, Shqipëria rezulton një nga vendet me inflacionin më të lartë në Europë. Ndryshe nga vendet e BE-së ku çmimet po ulen me ritme të shpejta, në Shqipëri po ndodh e kundërta. INSTAT raportoi se inflacioni në muajin nëntor rezultoi 3.9%, ndërkohë që në BE ky tregues ishte 2.4%. Referuar shifrave zyrtare, zarzavatet, frutat, bulmeti dhe mishi janë produktet më të shtrenjta të shportës. Rritja e shpejtë e çmimeve i ka vënë familjet shqiptare në vështirësi, por ekspertët nuk presin ulje as vitin e ardhshëm.
Shqipëria është një nga vendet me çmimet më të larta të ushqimeve në rajon dhe Europë. Ky fundvit, i gjeti familjet shqiptare në vështirësi ekonomike.
‘Nuk po më bie mendja as për festë, as për gjë. Kam më shumë se një vit pa punë dhe jetojmë vetëm me një rrogë minimale, gjashtë persona.’, thotë Silvana Laçi, nënë e katër fëmijëve nga Tirana.
Silvana jeton me familjen e saj ne një banesë me qira në Shkozë. Të ardhurat e vetme të familjes me gjashtë anëtarë janë nga bashkëshorti i saj që merr një pagë minimale.
‘Me paratë e atij s’na del as të ushqehemi. S’na mbetet asgjë se paguaj qira, drita dhe ujë. Me ta thënë të drejtën, më dobët që jam, më keq që jam s’ka ku të vej.’, shprehet Silvana për Faktoje.
Ndonëse jemi vendi i fundit në Europë për të ardhurat për frymë, çmimet e mallrave të konsumit në Shqipëri nuk po njohin ulje, sikurse në vendet e Bashkimit Europian. Të dhënat zyrtare nga Eurostat tregojnë se inflacioni mesatar në BE arriti në 2.4% në muajin nëntor. Në Shqipëri ky tregues rezultoi 3.9% për të njëjtin muaj.
Referuar të dhënave zyrtare, inflacioni në vendet e eurozonës ka rënë me ritme të shpejta veçanërisht dy muajt e fundit. Ndërsa në Shqipëri, ulja nuk po reflektohet me të njëjtin ritmëm duke e lënë vendin në mesin e shteteve me inflacionin më të lartë në Europë.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se gjatë nëntorit, rritja e çmimeve u ndikua nga ushqimet dhe pijet jo alkolike. E thënë ndryshe, shqiptarët po paguajnë çdo ditë e më shumë për t’u ushqyer. Referuar shifrave zyrtare, zarzavatet, frutat, bulmeti dhe mishi janë produktet më të shtrenjta të shportës.
Vetëm për të blerë një kilogram qumësht, djath dhe mish do të na duheshin minimalisht 2,600 lekë.
Statistikisht, krahasuar me një vit më parë kostoja e jetesës këtë vit rezulton më e ulët. Por në xhepat e qytetarëve kjo diferencë nuk ndihet, pasi çmimet po rriten më shpejt se pagat dhe pensionet.
Çmimet e kripura frenojnë blerjet
Në një vëzhgim të Faktojes, të martën e 26 dhjetorit, në disa prej tregjeve kryesore të fruta-perimeve gjetëm shumë produkte, por pak blerës.
Për të blerë nga një kilogram të të gjitha këtyre produkteve minimalisht do të na duheshin 2500 lekë.
“Mos e pyet se na zë koka kur kujtojmë se sa janë shtrenjtuar.”, thotë një grua rreth të 60-ve teksa po bën pazaret e ditës.
Çmimet ishin thuajse njësoj në të gjitha tregjet e fruta perimeve, me disa përjashtime të vogla.
Bujar Pëllumbi tregton fruta dhe perime pranë rrugës së Elbasanit në Tiranë. Çmimet aty ishin më të lira se në pikat e tjera vetëm pak metra larg tij. Sekreti sipas Bujarit ishte tek filozofia që e udhëheq biznesin e tij.
“Unë kam zgjedhur të mbaj çmime më të lira, kështu do punoj pak më shumë, por do fitoj njësoj me ata të tjerët që shesin më shtrenjtë. Në vend që të shesësh një arkë me banane, unë shes tre dhe fitimin e kam të njëjtë me atë që e mban shtrenjtë. Kështu kemi fituar dhe klientë besnikë”, tregon ai, teksa pranon se çmimet nuk kanë ndonjë ndryshim madhor krahasuar me fundvitin e kaluar.
“Pak a shumë njësoj janë, si vjet. Por blerjet e fundvitit ende s’kanë filluar, njerëzit i lënë për ditët e fundit. Dhe aty fillon abuzimi me çmimet.”, thotë Bujari.
Pse nuk bien çmimet në Shqipëri?
Eksperti i ekonomisë, Eduard Gjokutaj thotë se në Shqipëri inflacioni nxitet nga problemet strukturore të ekonomisë, ku prodhimi, veçanërisht ushqimi, është në një ofertë më të ulët se kërkesa.
“Problemet që lidhen me prezencën masive të informalitetit, mungesa e një tregu plotësisht të lirë, niveli i lartë i korrupsionit në dëm të tregut ligjor, problemet e mprehta me strukturimin dhe modelin e biznesit, politika polarizuese dhe shfaqje të qasjeve klienteliste në politikën fiskale duke demtuar parimet e taksimit te ndershëm, institucione qendrore me pavarësi dhe integritet të cunguar, të gjitha së bashku nuk mundësojnë dot funksionimin e skemës për uljen e inflacionit dhe rritjen e ekonomisë dhe mirëqenies.”, argumenton Gjokutaj teksa shton se nuk pret ulje të çmimeve edhe vitin e ardhshëm.
“Nëse çmimet do të kishin patur sadopak ulje, (edhe nëse do të ishin me të njëjtat nivele si të një viti më përpara), atëherë edhe tregu që varet nga importet do të kishte një qarkullim më të lartë, duke shfrytëzuar mundësitë e një euro më të dobët, për të rikuperuar rritjen e çmimit të blerjes së mallrave nga importi. Fatkeqësisht nuk ndodh kështu dhe bizneset shqiptare me treg të kufizuar synojnë që të shfrytëzojnë çdo mundësi jo në favor të konsumatorit, por të biznesit të tyre.”
Ndërsa, Ines Nurja, ish drejtuesja e Institutit të Statistikave sqaron se ndryshe nga Europa, në Shqipëri ushqimet zënë peshën kryesore të inflacionit.
“Në Europë është dukur sikur nuk janë rritur çmimet, sepse ushqimet nuk përbëjnë pjesën kryesore të shportës. Në Shqipëri, pjesa kryesore e shportës janë ushqimet. Dhe ndaj tek ne është dukur sikur ka qënë inflacioni tepër i lartë. Çmimet e ushqimeve edhe në Europë janë kudo të rritura, por ato nuk e kanë ndier, sepse ushqimet tek familjet europiane zënë po themi 20% të buxhetit të tyre.
Por teksa ekspertët nuk presin ulje të çmimeve vitin e ardhshëm, Banka e Shqipërisë parashikon se inflacioni do t’i rikthehet objektivit prej 3% në fund të vitit të ardhshëm.