Nëse ditët e fundit ju ka ardhur një njoftim në Instagram se keni fituar një iPhone 14 Pro, na vjen keq t’jua prishim ngazëllimin duke ju thënë se jeni shënjestruar nga një skemë mashtrimi.
————————-
Së fundmi, “Faktoje” u njoftua për një ‘shorte’ online nga dikush që ishte njoftuar në Instagram, me anë të një etiketimi në një postim, se kishte fituar një iPhone 14 Pro. Si rrjedhojë, vendosëm të verifikonim vërtetësinë e këtij shorteu.
Postimi ku janë etiketuar përdorues të rastësishëm
Postimi i mësipërm ngjall skepticizëm që në përshkrimin që shoqëron foton: “Ngushëllime për fitoren!” Kjo lloj shqipje e çalë është një tregues i mirë se fjalia është përkthyer automatikisht dhe shkel e shko nga një program kompjuterik, një metodë pune karakteristike e skemave të mashtrimit.
Sipas udhëzimeve të fotos së mësipërme, për të marrë çmimin e fituar duhet të klikosh linkun në Stories.
Pas klikimit në linkun e mësipërm, gjendemi në një faqe e cila nuk thotë më se kemi fituar një iPhone, por se duke marrë pjesë në një sondazh mund të fitojmë mundësinë për të fituar një iPhone.
Përdoruesi, në këtë pikë, mund të zgjedhë të plotësojë sondazhin si një ‘çmim’ i ulët për të paguar për një iPhone, sidomos duke qenë se faqja na siguron se “plotësimi i sondazhit merr vetëm dy minuta nga koha juaj.”
“Faktoje” vendosi të bëjë pikërisht këtë, dhe, në fakt, sondazhi ishte vërtet i shkurtër. Megjithatë në të vihet re, sërish, shqipja e çalë që, sërish, duhet të ngjallë skepticizëm tek përdoruesit.
Por, me sa duket, sondazhi nuk ishte sprova e fundit për t’u kaluar. Me të plotësuar sondazhin e shkurtër, shfaqet në ekran një tjetër sfidë.
Fatmirësisht, megjithëse dështuam në përpjekjen e parë, “Faktoje” arriti të klikojë në një kuti që përmbante iPhone.
Më në fund, e fituam iPhone 14 Pro, çmimin e premtuar!
Por, ky çmim nuk qenka krejtësisht falas, siç pritej. Do të na duhet të paguajmë 226.89 lekë për të mbuluar kostot e transportit dhe më pas ky çmim do të jetë më në fund në duart tona.
226.89 lekë është një shumë e papërfillshme për t’u paguar për një iPhone 14 Pro, gjithsesi.
Pasi klikojmë “OK”, ridrejtohemi në një faqe që na fton t’i japim të dhënat personale, duek përfshirë numrin e telefonit dhe emailin.
Por, një shënim me shkronja shumë të vogla në pjesën e sipërme të faqes na tërheq vëmendjen.
Ai na informon: “Kjo është një ofertë e veçantë për një periudhë të kufizuar prej 3 ditësh, e cila vjen me një gift card mirëpritjeje prej 1770 lek për të eksploruar dhe për të blerë produkte në një nga faqet e partnerëve tanë. Duke përvetësuar këtë anëtarësi, ju do të regjistroheni automatikisht në shërbimet tona të anëtarësisë. Kuota e anëtarësisë është 1880 lek që do të merret automatikisht çdo 14 ditë nëse nuk kapërcehet apo anullohet.”
Pra, megjithëse fillimisht ne do të paguajmë 236 lek, duke i dhënë të dhënat tona bankare kësaj faqeje të panjohur, biem dakord që një pagesë prej 1880 lekësh do të merret nga karta jonë çdo 14 ditë.
Po atë iPhone a do ta marrim ndonjëherë? Duket se gjasat janë të pakta. Pasi fusim të dhënat tona personale, faqja na drejton në pjesën e kryerjes së pagesës.
Në këtë faqe zbulojmë se pagesën po ja kryejmë një subjekti të quajtur MissBeauty, dhe nuk po paguajmë për transportin e iPhone legjendar, por për ofertën speciale për të provuar anëtarësinë në klubin e besnikërisë MissBeauty.
MissBeauty supozohet të jetë një ‘klub besnikërie’, në të cilin nëse anëtarësohesh merr disa benefite si ulje në disa marka të caktuara kozmetike. Ose, të paktën, kështu duket nga faqja e tyre e internetit.
Por, një kërkim i shpejtë në internet, zbuloi se MissBeauty është një skemë mashtrimi. Komentet e përdoruesve zbulojnë pikërisht atë që paralajmëroi njoftimi i mësipërm. Ata ishin mashtruar nga shuma e papërfillshme gjoja për transport, dhe pa kuptuar ishin abonuar në një ‘shërbim’ që i merrte para nga llogaria bankare rregullisht.
Pas gjithë këtij udhëtimi, jemi larguar shumë nga iPhone i premtuar. “Faktoje” vendosi të heqë dorë nga iPhone që fituam. Ju këshillojmë të bëni të njejtën gjë.