.

.

BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizashUkraina nuk po rekruton me detyrim gratë në ushtrinë e saj

Ukraina nuk po rekruton me detyrim gratë në ushtrinë e saj

Pretendimet se Ukraina po rekruton vajza të reja në ushtri për të kompensuar humbjet në njerëz që ka pësuar në luftën me Rusinë janë të pavërteta. Verifikimi i “Faktoje” sqaron se gratë ukrainase i janë bashkuar vullnetarisht ushtrisë që në fillimin e agresionit rus.

—————————————–

Një postim në rrjetin social Facebook pretendon se “Tashmë ukrainasit po rekrutojnë vajza të reja dhe të mitur në fronte për shkak të humbjeve kolosale.” Postimi shoqërohet me dy video ku tregohet një person, që supozohet se është i mitur, dhe një grup grash të reja me uniformë në një autobus. Ky është vetëm njëri nga postimet që janë ndarë së fundi në rrjet nga kanale pro-ruse, me qëllime propagandistike për të rritur moralin e popullsisë ruse që përballet prej një viti me vështirësitë e luftës dhe humbjet e familjarëve dhe miqve të mobilizuar në frontin ukrainas. 

Në të vërtetë, propaganda ruse ka anashkaluar një detaj të rëndësishëm në këtë retorikë. Ndërsa për burrat shërbimi ushtarak në Ukrainë është i detyrueshëm, shërbimi ushtarak për gratë është në bazë vullnetarizmi. Pra gratë nuk “thirren nën armë” me detyrim. 

Ushtria ukrainase ka rreth 50 mijë gra, 5 mijë prej të cilave në vijën e parë të luftimeve. Sipas zv. ministres ukrainase të Mbrojtjes, Hanna Malyar, ushtria ukrainase është nga ushtritë me më shumë gra në botë. Kjo, megjithëse deri në 2018, ligji ukrainas nuk lejonte vendosjen e grave në pozicione luftimi.

Numri i grave në ushtri përpara sulmit nga Rusia ishte rreth 32 mijë. Me fillimin e luftës, një numër i madh grash iu bashkuan vullnetarisht ushtrisë. Një grua 25 vjeçare e intervistuar nga televizioni “Al Jazeera” tha se iu bashkua ushtrisë për të “shpëtuar njerëzit dhe luftuar për pavarësi nga Rusia për vendin tim, në mënyrë që fëmijëve të mi nuk do t’u duhet kurrë të përjetojnë këtë gjë.”

“Faktoje” ka verifikuar edhe më parë aludime të rekrutimit të të miturve nga ushtria ukrainase. Angazhimi i fëmijëve në Forcat e Armatosura është i jashtëligjshëm në Ukrainë. Deri më sot nuk janë regjistruar denoncime apo prova për rekrutimin e fëmijëve ukrainas, pavarësisht dëshirës që mund të kenë civilët për të mbrojtur vendin e tyre të sulmuar padrejtësisht nga një ushtri e një vendi tjetër.

Denis Krivosheev, zëvendësdrejtori Rajonal i ngarkuar për kërkimin për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore në Amnesty International konfimon se: “Amnesty International nuk ka dijeni për raste për raste të dokumentuara të fëmijëve që shërbejnë si ushtarë në ushtrinë ukrainase”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img