Një foto që tregon një grup djemsh me uniformë ushtarake po përdoret për të pretenduar se presidenti ukrainas Zelensky po rekruton fëmijë në ushtri. Verifikimi i Faktoje zbuloi se foto në fjalë është nga viti 2018, përpara fillimit të luftës në Ukrainë, dhe tregon një kamp veror ushtarak në Ukrainë.

———————–

Në rrjete sociale po qarkullon foto e një grupi djemsh, në dukje të mitur, të veshur me uniforma ushtarake, me pretendimin se presidenti i Ukrainës Zelensky po rekruton fëmijë në ushtrinë ukrainase.

Me anë të motorit të kërkimit të imazheve, Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se foto e mësipërme është nga viti 2018, katër vite përpara nisjes së pushtimit rus në 2022.

Ajo nuk tregon rekrutë të mitur të ushtrisë ukrainase, por një ekip fëmijësh në kampin veror Azovet, një kamp i themeluar nga milicia nacionaliste ukrainase Batalioni Azov.

Pjesëmarrja e fëmijëve në ushtri është e jashtëligjshme në  Ukrainë. Neni 15 i ligjit për shërbimin ushtarak parashikon që ai është i vlefshëm vetëm për “qytetarët ukrainas të seksit mashkull të cilët janë të shëndetshëm, kanë arritur moshën 18 vjeç ditën që fillojnë shërbimin ushtarak.”

Denis Krivosheev, nga organizata vrojtuese për të drejtat e njeriut, Amnesty International, tha për France24 se kjo organizatë “nuk ka dijeni të rasteve të dokumentuara të ushtarëve fëmijë në ushtrinë ukrainase.”