Falimentimi i FTX, një prej kompanive më të mëdha të kriptomonedhave në botë, ka ndezur një pretendim të pabazë se ish-CEO i saj kishte komplotuar me Ukrainën dhe politikanët demokratë të SHBA-së për të pastruar paratë e ndihmës. Ndërkohë, kompania FTX ndihmoi Ukrainën në vënien e donacioneve të kriptove, por nuk po merrte asnjë pasuri nga Ukraina.
FTX, e cila ka qenë një nga kompanitë më të mëdha të kriptomonedhave në botë, paraqiti kërkesën për falimentim më 11 nëntor, pasi një marrëveshje për blerjen e saj nga një rival më i madh dështoi dhe klientët u përpoqën të tërhiqnin paratë e tyre.
Media shtetërore ruse dhe disa konservatorë të profilit të lartë të SHBA-së e kanë lidhur politikisht rënien e kompanisë, duke nxitur një teori konspiracioni që përfshin pastrimin e parave përmes Ukrainës.
Teoria u përhap shpejt në mbarë botën duke mbërritur edhe në Shqipëri tek përdoruesit që ndajnë teori të tilla konspirative.
“Ftx, monedha dixhitale e pastrimit të parave nëpërmjet Ukrainës. Forumi ekonomik botëror (WEF)i Klaus Shuabit ka fshirë nga faqja e tyre zyrtare dokumentet që tregojnë lidhjet e forumit me monedhën dixhitale me të cilën janë transferuar para drejt dhe nga Ukraina për të sponsorizuar fushatën e demokratëve për zgjedhjet e fundit. I përfshirë në transaksione flitet që ka qenë dhe rino Kevin McCarthy”, shkruhet në tekstin bashkëngjitur një videoje, që ka marrë dhjetra klikime.
Po si u përhap kjo teori?
The Gateway Pundit, një faqe interneti konservatore që ka një histori të përhapjes së dizinformatave dhe teorive konspirative, postoi një histori më 12 nëntor duke pretenduar se “Dhjetëra miliarda dollarë amerikanë u transferuan në Ukrainë duke përdorur monedhën kripto FTX dhe më pas fondet u pastruan tek Demokratët në SHBA.”
Një ditë më pas, organi shtetëror i lajmeve ruse RT e pranoi pretendimin dhe postoi një histori duke e përsëritur atë.
Dhe, një ditë pas kësaj, komentatori i Fox News, Jesse Watters, pretendoi, duke u thënë rreth 2.7 milionë shikuesve të tij se Ukraina kishte përdorur paratë e ndihmës së SHBA-së për t’i “investuar” në FTX, duke spekuluar se kjo mund të ishte pjesë e një grafiku të “pastrimit të parave” në përfitim të Partisë Demokratike. Watters përfshinte një grafik që fillonte dhe mbaronte me Presidentin Joe Biden.
Në të njëjtën mbrëmje që u transmetua emisioni i Watters, ish-presidenti Donald Trump zgjeroi të njëjtën skemë përmes platformës së tij të mediave sociale, Truth Social, ku ka 4.6 milionë ndjekës.
Meqenëse skema grafike përfaqëson versionin më të përhapur të pretendimit, kolegët tanë në ShBA të FactCheck.org kanë zhvilluar një verifikim të thelluar të fakteve duke e rrëzuar atë.
Mark Cancian, këshilltar i lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, i tha PolitiFact se “shumica e ndihmës nga (SHBA) kalon përmes palëve të treta dhe jo drejtpërdrejt për qeverinë ukrainase”.
Ai shtoi se, “Shumë nga ndihma humanitare shkon për organizatat e ndihmës. Blerjet e furnizimeve ushtarake për Ukrainën shkojnë tek kontraktori”.
Po ashtu, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit ka thënë se ndihma ushtarake nuk ofrohet në para dhe mbështetja direkte buxhetore nuk mund të derdhej jashtë vendit siç pretendon teoria.
“Mbështetja e drejtpërdrejtë buxhetore që Shtetet e Bashkuara po i japin Qeverisë së Ukrainës i transmetohet Ministrisë së Financave të Ukrainës përmes një mekanizmi të Bankës Botërore”, thekson ai.
Ky është problemi më i madh i kësaj teorie – nuk ka asgjë që të sugjerojë se shuma të mëdha parash u zhvendosën nga Ukraina në FTX. Ukraina nuk kishte “investuar” me FTX, siç pretendonte Watters, dhe vendi nuk i dha paratë e ndihmës së SHBA kompanisë ose ish-drejtorit të saj, siç pretendon imazhi i publikuar prej FoxNews.
Përkundrazi, Ukraina kishte krijuar një faqe interneti për të pranuar donacione në kriptovaluta duke përdorur tre kompani për t’i drejtuar këto donacione dhe për t’i kthyer ato në asete të përdorshme – Everstake, Kuna dhe FTX.
Pra, FTX po ndihmonte në vënien e donacioneve kripto në dispozicion të Ukrainës, nuk po merrte asnjë pasuri nga Ukraina.
Në mënyrë të ngjashme, artikulli që Gateway Pundit citoi si provë për të mbështetur pretendimin se “Demokratët dërguan dhjetëra miliarda në Ukrainë dhe më pas i pastruan këto para në xhepat dhe fondet e demokratëve në SHBA” nuk thoshte asgjë të tillë.
Alex Bornyakov, zëvendësministër i transformimit dixhital të Ukrainës për zhvillimin e industrisë së IT, iu përgjigj pretendimit në Twitter, duke thënë ndër të tjera se:
“Qeveria e Ukrainës nuk investoi kurrë asnjë fond në FTX. E gjithë narrativa se Ukraina dyshohet se ka investuar në FTX, të cilët dhuruan para për demokratët, është e pakuptimtë, sinqerisht.”
Pra, nuk ka asnjë provë për të mbështetur pretendimin se Ukraina investoi ose i dha para FTX.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin