BallinaFaktometerE vërtetëVaksinimi falas për HPV nisi sipas kalendarit, mjekët: Parandalon kancerin në qafën e mitrës

Vaksinimi falas për HPV nisi sipas kalendarit, mjekët: Parandalon kancerin në qafën e mitrës

Që prej 1 nëntorit, vaksina falas kundër ‘Human Papilloma Virus’ është përfshirë në Kalendarin Kombëtar të Vaksinimit për vajzat në moshën 13-vjeçare. Në përgjigjen zyrtare për Faktoje, Minstria e Shëndetësisë bën të ditur se është parashikuar një fond vjetor prej 35 milionë lekësh për mbulimin e kostove të  vaksinimit. Mjekët gjinekologë shpjegojnë se kjo vaksinë mbron nga nëntipet më të rrezikshme të virusit dhe në treg ka një kosto rreth 500 dollarë për trija dozat. Ndërkohë, prindërit shpresojnë që vaksina të aplikohet edhe për moshat e tjera.

————————————————————————————————-

“Unë jam e gëzuar të them se duke filluar nga data 1 nëntor, ne në Shqipëri, për të parën herë përfshijmë në kalendarin tonë të vaksinimit vaksinën kundër human papilloma virusit”, premtoi ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastriliu më 22 tetor.

Në lidhje me këtë çështje, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë, ku e pyetëm ndër të tjera sa është fondi i parashikuar për të mbuluar kostot për sigurimin e vaksinës.

Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Shëndetësisë, 13 tetor 2022

Në përgjigjen për Faktoje, Ministria e Shëndetësisë sqaron se vaksina do të aplikohet te vajzat 13-vjeçare dhe buxheti vjetor i parashikuar për vaksinat HPV është 35 milionë lekë.

“Vaksina kundër HPV është futur në datën 1 nëntor në Kalendarin Kombëtar të Vaksinimit. Vaksina kundër HPV do të aplikohet në vajzat 13 vjeç. Në Institutin e Shëndetit Publik deri tani kanë mbërritur 2800 dozat e para të vaksinës. Pritet që të vijojë furnizimi sipas planit të hartuar nga Instituti i Shëndetit Publik. Për sa i përket buxhetit në planin e dozave në furnizimin vjetor parashikohet fondi prej 35 milionë lekë”, sqaron zyrtarisht Ministria e Shëndetësisë.

Përgjigjia e Ministrisë së Shëndetësisë

Sa të sigurta janë këto vaksina për t’u aplikuar? Faktoje pyeti mjeken gjinekologe, Mimoza Keta, e cila bëri të ditur se vaksina mbron nga infeksioni që krijohet nga një virus që quhet ‘Human Papillona Virus’ ose HPV. Gjithashtu, ajo shton se vaksina ka një kosto deri në 500 dollarë trija dozat nëse do blihej në tregun farmaceutik.

“HPV mund të ketë 110 nëntipe të saj. Nga këto, 6-7 nëntipe janë më agresivet, që do të thotë janë nëntipe që krijojnë ndryshime jo të mira, malinje në qafën e mitrës dhe në qoftëse këto nuk ndiqen me kujdes, fillon formohet kanceri në qafën e mitrës. Sot në botë, çdo gjysmë orë vdes një grua me kancer në qafën e mitrës. Pikërisht këto të dhëna të tmerrshme bënë që në botë të futej para nesh kjo vaksinë në SHBA, në Kanada dhe në shumë vende të Europës, duke përfshirë Italinë, Francën, në të cilat është futur në kalendarin e vaksinimit. Kjo vaksinë bëhet te të gjithë ato vajza që kanë lindur pas vitit 1996, deri në moshën 26-vjeçare e bëjnë këtë vaksinë falas”, shpjegon gjinekologia Keta.

Sipas mjekes, vaksina kundër HPV mbron në masën 92%, sidomos nga katër nëntipet më të rrezikshme.

“Kanceret në qafën e mitrës, në 98% të rasteve shkojnë dhe formohen nga ky virus, pra shkaktar është HPV. Vaksina që ne kemi aktualisht mbron nga katër nëntipe që janë më të rrezikshmet, 16, 18, 32 dhe 42. Janë nëntipet më të rrezikshme. Kjo vaksinë mbron 92% nga këto viruse”, shprehet Keta.

Mirela Pacani, nënë e dy vajzava tregon për Faktoje se ajo ka zgjedhur që ta vaksinojnë vajzën 13-vjeçare kundër ‘Human Papilloma Virus’, teksa shpreson që të vaksinojë edhe vajzën tjetër.

“Vajza ime e vogël, që është 13 vjeçe, u vaksinua. Kam dhe një vajzë 18 vjeçe. Po pres mos nxjerrin njoftim. E mira është që kjo vaksinë të bëhet para se të jenë kryer marrëdhëniet seksuale. Ka dhe gra të moshës deri në 44 vjeçe, që nuk kanë pasur shumë partnerë, që e kanë bërë vaksinën

Unë nuk kam kapacitete për të studiuar efektin e kësaj vaksine. Ajo që kam në dorë, është të lexoj nëpërmjet internetit dhe kam zbuluar se nuk është vaksinë e re. Personalisht kam të paktën 7-8 vjet që jam në dijeni dhe njoh njerëz në Shqipëri që e kanë blerë privatisht”, shprehet Mirela.

Në Kalendarin Kombëtar të Vaksinimit, të publikuar në faqen e Institutit të Shëndetit Publik shihet që është përfshirë edhe vaksina kundër HPV, në moshën 13-vjeçare.

Nisur nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar vendosëm që deklaratën e ministres së Shëndetësisë për nisjen e vaksinimit falas për HPV në 1 nëntor, ta kategorizojmë të vërtetë.

*Foto kryesore marrë në web

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img