Turqia nuk ndaloi kalimin e anijeve të NATO-s në ngushticën e Bosforit

Keqinterpretimi i komandantit të flotës turke

512

Turqia nuk bllokoi së fundmi ngushticën e Bosforit për kalimin e anijeve nga SHBA dhe NATO, ashtu siç pretendohet në postime të fundit në rrjet. Verifikimet tregojnë se bëhet fjalë për një keqinterpretim të deklaratës së komandatit të marinës turke. 

Në rrjete sociale po qarkullon lajmi se Turqia ka ndaluar anijet e SHBA-ve dhe aleancës së NATO-s të hyjnë në Detin e Zi, përmes ngushticës së Bosforit.

‘Më 19 nëntor Turqia njoftoi se po ndalon çdo anije të SHBA-së dhe NATO-s të hyjë në Detin e Zi. Një grumbullim i madh detar i SHBA-së po ndodh në Mesdheun lindor – por ngushticat turke janë të mbyllura për ta.’, shkruan në 25 nëntor një përdorues i rrjetit social Facebook në Shqipëri. 

Postimi i referohet një deklarate të bërë nga komandati i marinës turke më 19 nëntor gjatë një aktiviteti që shënonte themelimin e një shkolle detare në Turqi.

“Ne deklarojmë se nuk duam NATO-n dhe Amerikën në Detin e Zi.”, citohet deklarata e komandantit turk.

Verifikimet tregojnë se deklarata e tij është nxjerrë nga konteksti duke u keqinterpretuar. 

Sipas raportimeve të mediave turke, Ercüment Tatlıoğlu, komandanti i Forcave Detare Turke, në fjalimin e tij të 19 nëntorit nuk ka njoftuar ndalimin e kalimit të anijeve nga SHBA dhe NATO. 

‘Siç e dini, NATO po përpiqet të marrë disa masa në Detin e Zi. Megjithatë, ne deklarojmë se do t’i marrim vetë këto masa në Detin e Zi dhe se nuk duam NATO-n apo Amerikën në Detin e Zi”, ka deklaruar komandati Ercüment Tatlıoğlu duke argumentuar më tej se: ‘Qëllimi ynë është që Marrëveshja e Montreux të respektohet. Ne kemi ofruar siguri për të gjithë në Detin e Zi. Si Turqi, ne ofrojmë siguri në Detin e Zi. Ata nuk duhet ta kthejnë Detin e Zi në një Lindje të Mesme. Kjo është arsyeja pse ne nuk duam që asnjë vend apo NATO të hyjë në Detin e Zi”.

Dhe pikërisht kjo deklaratë e shkëputur nga konteksti i fjalimit të tij ka shërbyer si keqinformim për shumë përdorues të rrjeteve sociale. 

Anëtari i NATO-s, Turqia, kufizohet me Ukrainën dhe Rusinë në Detin e Zi. Sipas Konventës së Montreux të vitit 1936, Ankaraja ka kontroll mbi ngushticat e Bosforit dhe Dardaneleve dhe mund të kufizojë kalimin e anijeve luftarake në çdo moment që e gjykon të arsyeshëm.

Kjo i ka lejuar Turqisë që të bllokojë prej shkurtit të vitit 2022 kalimin e anijeve luftarake ruse që të kalojnë tranzit nëpër ngushticat në Detin e Zi. Pakti jep përjashtime për anijet që kthehen në bazat e tyre të origjinës. Nën këtë logjikë, mund të kuptohet edhe deklarata e fundit e komandantit të flotës turke. 

Turqia ka ofruar mbështetje ushtarake për Ukrainën, duke ruajtur gjithashtu bashkëpunimin ekonomik me Rusinë. Ajo pozicionohet si një ndërmjetës i mundshëm në bisedimet e paqes midis Ukrainës dhe Rusisë, ndërsa njëkohësisht shpreh kundërshtimin ndaj sanksioneve perëndimore kundër Moskës.