BallinaPremtimeTuneli panoramik i Pogradecit, objektiv i paarritur i zyrtarëve

Tuneli panoramik i Pogradecit, objektiv i paarritur i zyrtarëve

ANXHELA RUÇI

Tuneli panoramik në hyrje të qytetit të Pogradecit është një segment i papërfunduar prej vitesh, afati i të cilit është shtyrë disa herë.

Ishte Damian Gjiknuri, asokohe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, i cili gjatë një vizite në Pogradec lajmëroi se investimet për këtë segment nuk do të mungonin dhe brenda vjeshtës së vitit 2018 kjo rrugë do të përfundonte.

Jemi këtu për të  nxitur kompanitë që ta përfundojnë në kohë këtë vepër. Ritmi i punimeve është shumë i mirë dhe duam t’ju sigurojmë që pjesa e financimit nuk do të mungojë. Me financimin që do të sigurojmë do të mbyllim pjesën e asfaltit dhe do mbetet vetëm pjesa e tunelit. Nga vjeshta e vitit tjetër do të jemi në gjendje që kjo rrugë të jetë e përfunduar”, tha ndër të tjera Damian Gjiknuri.

Afati që pohoi ish-ministri Gjiknuri ka përfunduar me kohë, ndërsa rruga ende jo. Që prej vjeshtës së 2018-s, premtimet i kanë lënë vendin njëri-tjetrit, por rezultati është ende larg pritshmërive. Përgjegjësi i punimeve Kadri Omeri,  në dhjetor të vitit të kaluar tha për median lokale se punimet do të përfundojnë në muajin prill të këtij viti, afati i përcaktuar në projekt-finalizimin e këtij investimi.

Tuneli panoramik ka përfunduar komplet dhe jemi në fazën përfundimtare, në hedhjen e shtresave të asfaltit. Besoj brenda dy muajve jemi gati. Ne kemi një objektiv që brenda afatit, që është në prill të përfundojmë komplet segmentin”, u shpreh për median lokale Kadri Omeri.

Jemi në fillim të muajit maj dhe hyrja në qytetin e Pogradecit duhet të ishte një rrugë e përfunduar dhe me tunelin funksional. Vetëm pak ditë më parë në këtë segment ka pasur një tjetër rrëshqitje dheu fenomen i zakonshëm për këtë zonë, por jo nëse do të ishin përfunduar punimet sipas parametrave të parashikuar.  Një tabelë e vendosur në aksin ku ka ndodhur rrëshqitja e dheut, së fundmi tregon se punimet për pastrimin e tij kërkojnë një afat kohor thuajse 2 muaj, ndaj edhe për ca kohë s’do të kemi përurim të rrugës.

Premtimet për tunelin panoramik të Pogradecit do vazhdojmë t’i dëgjojmë, por për ta parë rrugën të përfunduar mesa duket do të na duhet të presim ndonëse sezoni veror është në prag.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img