BallinaPertej“Skllavëria moderne” në industrinë tekstile, beteja e fortë për gratë dhe vajzat shqiptare

“Skllavëria moderne” në industrinë tekstile, beteja e fortë për gratë dhe vajzat shqiptare

INVA HASANALIAJ

6 tetor 2018. Kryeministri Edi Rama viziton një prej fabrikave më të mëdha të veshjeve në Durrës. Gjatë kësaj vizite ai pohon se: ” Falë incentivave të qeverisë në vitet e fundit në mbështetje të biznesit, sipërmarrja ka zgjeruar kapacitetet prodhuese, ka rritur numrin e punonjësve e po ashtu ka njohur dhe një rritje domethënëse të pagave”.

Ndërkaq ai postoi edhe një video të aktivitetit në rrjetin e tij social “Facebook” ku padyshim nuk munguan komentet e qytetarëve të cilët pohuan një tjetër realitet.  Shumë prej tyre pretendojnë se nuk është aspak e vërtetë rritja e pagave në këto lloje biznesesh, madje deklarojnë se ajo është tepër e ulët.

Pse nuk tregon për shfrytëzimin e orëve shtesë e kur nuk paguajnë pagën minimale apo normën?“- reagon një qytetar ndaj statusit të kryeministrit.

Të tjerë shprehen se kushtet e punës në këto ambiente janë aspak të favorshme.

Më tej qytetarët nuk ngurojnë të shprehin shqetësimin se në shumicën e fabrikave punohet pa siguri dhe sipas tyre kushtet e sigurisë në punë janë shumë të ulëta.

Nisur nga kjo deklaratë e kryeministrit dhe reagimet e shumta të qytetarëve në rrjete sociale dhe jo vetëm, “Faktoje” vendosi të verifikonte pretendimet e bëra dhe të shihte më nga afër situatën.

“Faktoje” ka zhvilluar intervista me disa punëtore të kësaj industrie por në qytete të ndryshme të cilat pranojnë të ‘’rrëfëhen’’ për problematikat e hasura në këto ndërmarrje. Dy prej tyre nuk kanë pranuar të identifikohen pasi i tremben pushimit nga puna. Tefta Buci është ish-punonjëse e njërës prej këtyre kompanive në Tiranë e cila pranoi të intervistohej përballë kamerës pasi sipas saj kjo është e vetmja mënyrë që gratë e vajzat të ndërgjegjësohen dhe të flasin për situatën. Buci është larguar nga puna me motivacionin për organiziminin e grevave të paligjshme. Kjo, sepse kërkoi të krijonte një sindikatë brenda kompanisë ku punonte me synimin për të kërkuar përmirësim të kushteve të punës.

Ajo ndoqi në rrugë ligjore këtë çështje pasi paditi kompaninë ku punonte. Seancat u ndoqën edhe nga “Faktoje”.

Kompania “AlbaGroup” ku Tefta Buci punonte prej 10  vitesh ishte italiane por me administrator shqiptar i cili ndodh që të jetë edhe bashkëaksioner në një përqindje të vogël. Kompania në fjalë merret me qepjen, ngjitjen dhe modelimin përfundimtar të këpucëve. Sipas Bucit disa prej firmave (markat) shumë të njohura për të cilat prodhoheshin këto këpucë ishin: Valentino, Jimmy Choo, Disquared, Louboutin, Fendi, Versace, Aurelien, Hermes, Philipp Plein.

Ne u përpoqëm të kontaktonim me zyrat qëndrore të kësaj kompanie në Itali, për të mësuar më tepër rreth kushteve të punës , kontratave të punonjësve apo nëse ishin në dijeni për faktin që një ish-punonjëse e tyre ndoqi rrugën ligjore, por deri tani nuk kemi asnjë përgjigje.

Për sa i përket Shqipërisë shumë prej institucioneve nuk kanë ende një dakortësi për termin që përdoret për këtë industri pasi disa e njohin si “fasoneri” e të tjera si “industria e tekstileve”. Një paqartësi e tillë ka bërë që shumë institucione jo vetëm të mos kenë informacionin e duhur për numrin e këtyre bizneseve por edhe për numrin e punëtorëve që aktualisht janë pjesë e tyre. Shumë kërkesa për informacion që kemi dërguar për të ditur zyrtarisht informacionin e mësipërm, janë kthyer mbrapsht me justifikimin se nuk kishim përdorur termin e duhur.

E gjitha sa përmendëm më lart, përbën një hendek i cili e vështirëson gjurmimin e bizneseve për të cilat ekziston mundësia e punës në të zezë apo e kushteve të tjera të paplotësuara nga ana ligjore.

Mbrojtja ligjore e Teftës vinte në dukje sesi shumë hallka institucionale nuk funksionojnë siç duhet duke i lënë punëtorët të vetëm dhe pa përkrahje në këtë “betejë”.

Inspektoriati shtetëror i Punës dhe Shërbimeve shoqërore sipas Bucit ishte thirrur disa herë nga punëtoret të cilat ishin ankuar për kushtet e punës, pagat u ulëta, presionin e ushtruar etj., por inspektimi e kishte mbyllur procesverbalin me vërejtje për mungesën e mensës apo konstatime të tipit se, në ambiente të kompanisë ishin të vendosura tavlla apo logo që sinjalizonin për konsumin e duhanit.

Kushtet në të cilat ajo dhe shumë gra të tjera punonin ishin aspak normale. “Ushtrohej presion në çdo kohë dhe në çdo lloj mënyre, ndaj grave ushtrohej dhunë fizike e psikologjike,  personat përgjegjës ose eprorët na fyenin dhe nuk mund të reagonin përndryshe do të largoheshin nga puna“,u shpreh ajo.

Tefta tregon raste kur në punë ka pasur edhe aksidente por punëtoret jo vetëm që nuk janë dëmshpërblyer por as nuk kanë marrë vëmendjen e duhur. Duket se mjeku i kompanisë është vetëm një pozicion fiktiv i cili ekziston vetëm në letra pasi nuk ka qenë aty kur gratë/vajzat janë aksidentuar apo kanë pasur probleme shëndetësore.

Të njëjtat opinione pohohen edhe nga punëtorja e dytë e cila foli për “Faktoje-n” por duke ruajtur anonimatin. R.B., 35 vjeç deklaroi se kur bëhej fjalë për kushtet e punës, punëdhënësit apo eprorët mjaftohen duke folur për vendosjen e kondicionerëve, ndonëse këto të fundit ishin vënë vetëm pas rasteve të aksidenteve të ndodhura në këto kompani apo shqetësimeve të rënda shëndetësore të bëra publike edhe në media.

Punojmë jashtë orarit dhe nuk paguhemi as 10% të shumës që na takon, raportet mjekësore nuk na njihen”- shprehet R.B.

Sipas saj gratë/vajzat nuk flasin sepse kjo është e vetmja mënyrë që ato të mbajnë familjet e tyre ndryshe rrezikojnë të pushohen nga puna.

Ngacmimet seksuale janë një tjetër histori e fshehur e këtyre bizneseve. Një tjetër punonjëse në qytetin e Vlorës L.K. 45 vjeç tregoi për “Faktoje” duke kërkuar gjithashtu që identiteti i saj të mbetet anonim, se ka pasur raste kur pronarët përmes përgjegjësve të turnit kanë “përzgjedhur” punëtoret e reja për të kryer marrëdhënie seksuale duke i kërcënuar ato me vendin e punës. Sipas 45-vjeçares,  një ndër to ishte një punonjëse 20-vjeçare e divorcuar. Statusi i saj dhe problemet e hasura në jetë, duket se e bënin atë “gjahun” më të mirë për ta shantazhuar duke kërkuar favore seksuale.

Kushtet e punës në të cilat punojnë gratë dhe vajzat në shumë  industri të përpunimit të tekstileve dhe këpucëve në vendin tonë, përbëjnë një problematikë të madhe dhe një plagë të shoqërisë tonë për vetë faktin se janë ndër kategoritë që kanë mungesë të vëmendjes së shtetit dhe jo vetëm. Gratë dhe vajzat shqiptare duhet të kenë vëmendje të vazhdueshme dhe jo vetëm në 8 mars. Ndonëse një pjesë e tyre punojnë në kushte aspak të favorshme dhe këto ndërmarrje në shumicën e tyre janë biznese private, shteti duhet të gjejë instrumentat apo të krijojnë mekanizmat për ta ndryshuar këtë pamje që hera-herës është ulëritëse.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img