Pretendimi: Kemioterapia, jo kanceri, vret njerëzit. Dieta ushqimore kuron tumoret në trupin tonë
Verdikti: E pavërtetë
——————
Në rrjetet sociale shqipfolsëe po qarkullojnë disa pretendime pseudoshkencore mbi natyrën e kancerit dhe mënyrat e trajtimit të tij.
Duke cituar një “Dr. Robert Morse”, postimi i mësipërm pretendon se nuk është kanceri, por “kimioterapia, rrezatimi, operacionet dhe biopsitë” që i vrasin njerëzit. Kjo sepse kanceri është në të vërtetë një mekanizëm mbrojtës i trupit. “Tumoret e kancerit janë vetëm xhepa të lëngut acid që trupi përdor për të mbrojtur organet dhe gjëndrat tuaja,” dhe ato zvogëlohen nëse pacienti “ndalon së ngrëni ushqim të panatyrshëm”.
Në të vërtetë, rezulton se Robert Morse nuk është doktor. Sipas faqes së tij zyrtare, që duket se përdoret kryesisht për të shitur suplemente, ai është natyropat.
Faktoje ka përgënjeshtruar dhe më parë pretendimin se nuk është kanceri që të vret, por kemioterapia. Në atë kohë, Dr. Orges Spahiu, Shef i Njësisë së Radioterapisë pranë Shërbimit Onkologjik, QSUT, konfirmoi për Faktoje se:
“Trajtimet e bazuara tek evidencat shkencore janë ato që sigurojnë trajtimin efektiv te kancerit. Avancimet e shkencës në fushën e Radioterapisë, Kimioterapisë dhe Kirurgjisë kanë siguruar sot një shërueshmëri të konsiderueshme që për disa lloje tumoresh arrin deri në 99% në varësi dhe të stadit të sëmundjes”.
Doktor Spahiu tha gjithashtu se dy terapitë kryesore të provuara shkencërisht dhe të çertifikuara ndërkombëtarisht për të luftuar tumoret janë radioterapia dhe kimioterapia. E para përdor rrezatime me energji të ndryshme për të eleminuar qelizat tumorale, duke shmangur në maksimum indet dhe organet e shëndosha përreth. Ndërsa kimioterapia konsiston në barna antitumorale, të cilat nëpërmjet gjakut udhëtojne në gjithë trupin duke luftuar qelizat kanceroze.
Në fund, doktori nuk harroi këshillën kryesore për të gjithë lexuesit: “Drejtohuni tek mjeku për çdo shqetësim apo dyshim që keni, dhe mos u beni pre e alternativave të gënjeshtërta. Kurat e kësaj sëmundje janë vetëm ato të provuara shkencërisht”.
Pretendimi se kanceri mund të kurohet duke ndryshuar dietën është po ashtu i rremë. Nuk ka prova të besueshme deri më tani që mbështesin këtë pretendim. Këshilla e dietologëve që keqintepretohet në këtë rast është kujdesi në ushqimet që konsumohen dhe regjimin fizik ditor në mënyrë që të parandalohet krijimi i qelizave kancerogjene. Pra, ushqimi është i rëndësishëm për të parandaluar, por jo një mënyrë trajtimi pasi kanceri ka prekur trupin.
Sipas organizatës bamirëse australiane Cancer Council, njerëzit me kancer duhet të hanë një dietë të mirë-balancuar në mënyrë që të mbajnë peshën gjatë trajtimit. Nuk ka një dietë të veçantë që mund të “shërojë kancerin” dhe nuk ka prova se ndjekia e një diete strikte do të përbënte ndonjë avantazh.
Për kancerin nuk ka ende një kurë, por ka trajtime që mund të jenë në gjendje të kurojnë disa njerëz nga disa lloje të kancerit.