Një dokumentar që po qarkullon edhe në rrjetet sociale shqipfolëse pretendon se njerëzit që kanë marrë vaksinën anti-Covid emetojnë një sinjal Bluetooth sepse janë injektuar me një material magnetik të quajtur grafen.

Dokumentari është prodhuar nga një organizatë e quajtur Comusav dhe një person i quajtur Andreas Kalcker.

Megjithëse dokumentari i referohet Kalcker si doktor, ai nuk mban një diplomë mjekësore apo shkencore.

Në fakt, Kalcker është paditur në Spanjë dhe Argjentinë për promovimin e kloridit të sodiumit, një kimikati industrial, si një kurë kundër Covid-19. Në 2021, padia kundër tij u depozitua pas vdekjes së një djali 5 vjeç që kishte pirë klorid sodiumi.

Grupi Comusav ka qenë gjithashtu ndër promovuesit kryesorë  në Amerikën Latine të përdorimit të kësaj substance industriale si kurë për Covid-19, por edhe një sërë sëmundjesh të tjera pa lidhje me njëra tjetrën si malarja, HIV dhe autizmi.

Pretendimi se vaksinat anti-Covid përmbajnë grafen, një substancë që, sipas dokumentarit, ka veti magnetike, është gjithashtu i rremë. 

Emmanuel Flahaut, drejtor kërkimor në Qendrën Kombëtare franceze të Hulumtimit Shkencor, dhe specialist i grafenit tha për France24 se kjo substancë “duket se ka një fare niveli vetish magnetike por nuk mund të magnetizojë diçka tjetër. Oksidi i grafenit në formë pluhuri nuk tërhiqet nga magnetet. Dhe nëse ka pak oksid grafeni në një produkt, ai nuk do të mjaftonte për të prezantuar veti magnetike në ndonjë nivel domethënës.”

Grafeni nuk listohet si përbërës në vaksinat anti-Covid-19 të Moderna, Pfizer apo Johnson & Johnson.