Pretendimi: Donald Trump refuzoi kafen e mikpritjes në Arabinë Saudite prej frikës së helmimit
Verdikti: Mungon konteksti
Barbara Halla
Vizita zyrtare më 14 maj 2025 e presidentit të SHBA-vë, Donald Trump në Arabinë Saudite ngjalli interes tek publiku, duke u trajtuar si një rritje e mëtejshme e aleancës mes dy vendeve në këto kohëra të trazuara për marrëdhëniet ndërkombëtare. Përkundër kësaj narrative, në Facebook ka qarkulluar një video që vendos në dyshim besimin në miqësinë mes dy vendeve.
Në këtë video, Trumpit i ofrohet një filxhan kafeje, të cilin ai e pranon, por refuzon ta pijë në klipin prej 25 sekondash. Një llogari në rrjetin social ka spekuluar se Trumpi e refuzoi kafenë pasi ai nuk i zë besën qeverisë vendase apo popullsisë arabe. Në fakt, nuk ka asnjë provë se Trumpi refuzoi kafenë për arsye frike ndaj helmimit.

Siç e tregon France 24, gjatë këtyre ditëve qarkulluan dy video ku flitet per helmime të mundshme. Në videon e parë, kur të gjithë gjenden ende në aeroport, Trumpi nuk e pi kafenë që i ofrohet. Kjo është video që ka qarkulluar në rrjet sociale shqiptare. Në një video të dytë, kur ka mbërritur në pallatin mbretëror, Trumpit i ofrohet përsëri një kafe që nuk e refuzon.
Në faqen shqiptare, fakti që Trump nuk e ka pirë kafenë është interpretuar si “frika nga helmimi,” edhe përse nuk ka asnjë mënyrë për të verifikuar këtë deklaratë. Përkundrazi, është tashmë e ditur se Donald Trump nuk e pëlqen kafenë dhe e pi atë shumë rrallë, kryesisht përgjatë fushatave zgjedhore apo situatave sociale si të tilla. Për të zëvendësuar kafeinën e saj, Trump konsumon gjatë ditës Coca-Cola dietike.
Për më tepër, siç mund të shihet në video, Sekretari i Shtetit Marko Rubio pi kafenë e tij, pra frikërat për helmim nuk janë paraqitur nga stafi i sigurisë së delegacionit amerikan.
Në të njëjtën narrativë kritikuese për vendet arabe aleate të ShBA, është ndarë nga profilet shqipfolëse në Facebook edhe një kërcim që u interpretua nga disa vajza për të mirëpritur Trumpin në Emiratat e Bashkuara Arabe, një ditë pas vizitës në Arabinë Saudite.

Faqja e përshkruan kërcimin si një “spektakël të turpshëm” ku “gratë ekspozohen në mënyrë poshtruese” dhe thuhet se nuk ka të bëjë me kulturën islame. Në fakt, ky kërcim që quhet “Al-Ayyala” është një kërcim tradicional i regjistruar nga UNESCO për vlerën e tij kulturore. Zakonisht ky kërcim drejtohet nga burra që qëndrojnë në dy rreshta, duke mbajtur shkopinj ose shpata, duke lëvizur në ritëm me daulle dhe poezi. Në ceremonitë publike, gratë shpesh vendosen përpara, duke kërcyer përmes flokëve të tyre.
Al-Ayala nuk performohet vetëm për t’i bërë qejfin udhëheqësve të huaj. Ajo është një pjesë e rëndësishme e jetës në Emiratet e Bashkuara Arabe, që shihet në dasma, festa kombëtare dhe ngjarje kulturore. Për më tepër, në Emirate grave nuk i kërkohet me ligj që të mbulojnë flokët siç mund të ndodh në vende të tjera arabe.