Ish-ministri i Shëndetësisë, aktualisht deputeti i PD-së, Tritan Shehu, nëpërmjet një postimi në Facebook më 20 janar të këtij viti, shkruante se 21 mijë persona kishin humbur jetën prej epidemisë në Shqipëri deri në shtator 2021. Faktoje verifikoi të dhënat në “The Economist” dhe “Eurostat”, ku rezultoi se numri i humbjes së jetëve për periudhën qershor 2020 – shtator 2021 është 11 mijë dhe jo 21 mijë.
——————–
“Covid, një tragjedi dyvjeçare, që nuk mund të fshihet. Në Shqipëri 21 mijë humbje jete prej epidemisë deri në shtator 2021, deklaron Eurostat”- shkruan Tritan Shehu në Facebook.
Postimi i deputetit demokrat Tritan Shehu në Facebook, 20 janar 2022
Por, sa qëndrojnë këto shifra të bëra publike nga deputeti demokrat? Faktoje bëri një kërkim dhe analizë të shifrave te “The Economist” dhe “Eurostat”, për të parë sa janë fatalitetet në Shqipëri si pasojë e Covid dhe vdekjet shtesë gjatë periudhës 1 qershor 2020-30 shtator 2021
Sipas “The Economist”, numri i humbjeve të jetës të raportuara zyrtarisht si pasojë e Covid-19 në këtë periudhë është 2660, ndërsa vdekjet shtesë janë 11,220.
Tabela e të dhënave, screenshot nga “The Economist”
Në botimin e fundit, të dhënat e Eurostat, raportojnë për 11.768 vdekje shtesë gjatë periudhës së pandemisë në Shqipëri. Pra, edhe sipas të dhënave të Eurostat, në 15 muaj, që përkuan edhe me periudhën e pandemisë Covid, në vendin tonë janë mbi 11 mijë vdekje shtesë.
Screenshot nga të dhënat e Eurostat
Screenshot nga të dhënat e Eurostat
Nga të dhënat e dy burimeve serioze, rezulton se vdekjet shtesë në vendin tonë gjatë periudhës së pandemisë janë mbi 11 mijë dhe në asnjë botim nuk gjenden të dhënat që raporton deputeti Tritan Shehu për 21 mijë videkje si pasojë e epidemisë në Shqipëri.
Në një artikull të publikuar në nëntor të 2021, Monitor raportonte, duke iu referuar shifrave të INSTAT, se që nga prilli 2020, kur vala e pandemisë filloi të jepte pasojat e para në Shqipëri deri në fund të shtatorit 2021, në vend janë shënuar rreth 11 mijë vdekje shtesë në krahasim me mesataren e periudhave përkatëse 2016-2019. Po sipas këtij artikulli, vala më e rëndë e pandemisë është shënuar në fundin e 2020-s dhe fillimin e 2021-t.
Që nga fillimi i pandemisë (në 19 mars 2020 kur u raportua vdekja e parë) deri në 30 shtator 2021, MSH ka raportuar 2698 humbje jete nga Covid-19.
Ndërkohë, të dhënat e raportuara më 25 janar nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se nga fillimi i pandemisë deri më tani, 3,317 persona kanë humbur jetën si pasojë e Covid në vendin tonë.
Ne kontaktuam përmes Whatsapp edhe zotin Tritan Shehu për ta pyetur se ku e bazon shifrën për humbjet e jetëve, e cila nga verifikimi ynë nuk përputhet me të dhënat e publikuara nga Eurostat dhe ‘The Econimist”.
“E keni në mediat e ndryshme. E kanë publikuar këtë trend të rritjes dhe humbjeve të jetëve në vazhdimësi disa burime të dhënash. Deri dhe të Brukselit. Po t’i kerkoj i gjej. Këtu psh keni vetëm 9 mujorin e parë të 2021 ku dalin mbi 7000 vdekje plus. Po ta kalkulosh për dy vite, 24 muaj e veçanërisht me vdekshmërine e lartë të 2020, në total del aq. Ka te dhëna edhe për periudhat e tjera që dhe unë u jam referuar disa herë. Faleminderit”-ishte përgjigja e zotit Tritan Shehu për Faktoje.
Nga verifikimi i kryer, bazuar në kontrollin e burimeve të cilave u referohet zoti shehu në postimin e tij, vendosëm që deklaratën e tij ta kategorizojmë si të pavërtetë.