BallinaPertejTrashëgimia shqiptare në UNESCO e rrezikuar nga menaxhimi sporadik 

Trashëgimia shqiptare në UNESCO e rrezikuar nga menaxhimi sporadik 

Auditimi i KLSH për Gjirokastrën, Beratin dhe Ohrin zbulon mungesën e akteve ligjore, mungesën e fondeve dhe ndërhyrje jashtë kritereve në qendrat historike  

Nga Rajmond Kola

Një auditim i thelluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit evidenton mangësi serioze në mënyrën se si institucionet shqiptare po mbrojnë dhe menaxhojnë pasuritë kulturore e natyrore të Shqipërisë që janë pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Auditimi nxjerr në pah mungesë koordinimi institucional, akte nënligjore të pamiratuara, investime të pamjaftueshme në sitet shqiptare trashëgimi botërore dhe zbatim të pjesshëm të rekomandimeve të Komitetit të Trashëgimisë Botërore.

Mes gjetjeve kryesore të raportit të KLSH-së janë: mosmiratimi i rreth gjysmës së akteve nënligjore që parashikon ligji për Trashëgiminë Kulturore, mungesa e një strukture koordinuese për pasuritë shqiptare në UNESCO, krijimi me vonesë i fondit për mirëmbajtjen e monumenteve,  probleme në zbatimin e rekomandimeve të UNESCO-s për Liqenin e Ohrit dhe Qendrat Historike të Beratit e Gjirokastrës si dhe mungesë progresi në përfshirjen e pasurive të reja shqiptare në listat e UNESCO-s.

Disa institucione përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, dhe disa bashki në përgjigje të interesimit për  “Faktoje”, deklarojnë se një pjesë e rekomandimeve të KLSH-së  janë në proces adresimi dhe se po ndërmerren masa për përmirësimin e situatës.

Ndërkohë, bashkia e Beratit nuk iu përgjigj kërkesës për informacion deri në momentin e publikimit të këtij artikulli

2020-2024

Shqipëria ka disa pasuri të rëndësishme të njohura nga UNESCO. Në Listën e Trashëgimisë Botërore bëjnë pjesë Butrinti, qendrat historike të Gjirokastrës dhe Beratit, si dhe pjesë të Pyjeve të Lashta të Ahut, konkretisht zonat e Rrajcës dhe Lumit të Gashit. 

Në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale janë regjistruar Iso-polifonia shqiptare dhe Kodikët e Purpurt të Beratit, pjesë e programit “Kujtesa e Botës”. 

Shqipëria është gjithashtu pjesë e rezervës ndërkufitare të biosferës Prespa – Pellgu i Ohrit, së bashku me Maqedoninë e Veriut, dhe në vitin 2019 u regjistrua edhe pjesa shqiptare e Liqenit të Ohrit në Listën e Trashëgimisë Botërore.

Pjese nga raporti i KLSH per trashegimine kulturore

Trashëgimia kulturore jomateriale shqiptare përfshin mjeshtërinë e Xhubletës, e cila në vitin 2022 u përfshi në Listën e Mbrojtjes Urgjente, dhe artin e lahutës, që në vitin 2025 u shpall pjesë zyrtare e trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s, duke kërkuar mbrojtje të menjëhershme. 

Po ashtu, tradita e transhumancës, (shtegëtimi sezonal i bagëtive) është përfshirë në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale duke vlerësuar traditat shekullore të barinjve shqiptarë dhe duke nxitur ruajtjen e kulturës rurale dhe turizmin e qëndrueshëm.

Auditimi me temë “Mbrojtja e vlerave dhe pasurisë së vendit tonë në UNESCO” përfshiu periudhën 2020-2024 dhe analizoi veprimtarinë e institucioneve qendrore dhe vendore që kanë përgjegjësi në administrimin e pasurive shqipatre në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s.

Raporti u publikua nga KLSH  në vitin 2025.

Në fokus të auditimit ishin Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, si dhe bashkitë Durrës, Berat, Gjirokastër dhe Pogradec.

“Auditimi u fokusua në rolin dhe përgjegjësitë e këtyre institucioneve për masat e marra për ruajtjen e pasurive dhe vlerave kombëtare me rëndësi universale të regjistruara në Listën e Trashëgimisë Botërore”, thuhet në raportin e KLSH-së. 

Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit (MTKS) tha për  FAKTOJE  se  “është në proces të zbatimit të rekomandimeve të lëna nga KLSH”, duke sugjeruar se problematikat janë të njohura dhe po adresohen gradualisht.

Raporti auditues i Kontrollit të Shtetit nuk prek zhvillimet në Parkun Kombëtar të Butrintit, i cili prej dy vitesh, pas polemikave të forta në vend dhe kritikave të ashpra të UNESCOS ka kaluar në administrimin e një Fondacioni.

KLSH, deri në momentin e këtij shkrimi, nuk u përgjigj mbi arsyet se pse nuk është përfshirë Butrinti 

KLSH

Një nga problemet kryesore të evidentuara në raportin e KLSH-së lidhet me zbatimin e ligjit për Trashëgiminë Kulturore të miratuar në vitin 2018. Sipas auditimit, një pjesë e konsiderueshme e akteve nënligjore të parashikuara nga ky ligj nuk janë miratuar ende.

“Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit nuk ka hartuar apo propozuar për miratim rreth 46% të akteve nënligjore, edhe pse afatet kanë kaluar prej 3-4 vitesh”, thotë KLSH.

Sipas raportit të KLSH-së  nga 109 akte të parashikuara në ligj, vetëm 59 rezultojnë të miratuara.

Sipas audituesve të KLSH, “nuk evidentohet asnjë angazhim serioz nga kjo ministri për të nxitur edhe hallkat apo strukturat e tjera qendrore apo vendore për të përmbushur të gjitha kërkesat ligjore në zbatim të ligjit për trashëgiminë kulturore”.

“Mosmiratimi i akteve nënligjore ka sjellë paqartësi dhe pengesa në realizimin e detyrave për mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kombëtare me rëndësi universale nga institucionet përgjegjëse”, thotë raporti i KLSH.

Në mars 2026, në një përgjigje për “FAKTOJE”  Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit tha se gjatë  periudhës 2024–2025 rekomandimet janë në proces zbatimi, ka progres në akte nënligjore dhe janë ndërmarrë hapa për plane menaxhimi dhe raportim ndërkombëtar.

Sipas saj, në 2024 u miratuan 10 akte ( 9 VKM + 1 udhëzim) dhe në 2025  8 akte (6 VKM + 2 udhëzime)

Mungesa e koordinimit

Raporti i KLSH evidenton edhe mungesën e një strukture përgjegjëse  që të koordinojë politikat dhe veprimet për pasuritë shqiptare në UNESCO.

Sipas auditimit, “nuk ekziston një njësi e specializuar që të ndjekë në mënyrë të integruar proceset që lidhen me kandidimet, menaxhimin e siteve dhe zbatimin e rekomandimeve ndërkombëtare”.

“Nuk ka një njësi përgjegjëse për koordinimin e punës mes institucioneve qendrore dhe vendore, që nga hartimi i dosjeve të kandidimit deri te zbatimi i rekomandimeve dhe arkivimi i dokumentacionit”, thuhet në raportin e KLSH-së.

“Kjo situatë ka sjellë shpesh konfuzion institucional dhe shpërndarje përgjegjësish mes institucioneve”, vijon raporti KLSH-së.

Audituesit theksojnë se “institucionet shpesh ia kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës për mos përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga konventat dhe për raportimin pranë Komitetit të Trashëgimisë Botërore”.

Gjithashtu nga audituesit janë konstatuar edhe mangësi në raportim, si dërgimi i materialeve në gjuhën shqipe, ndërkohë që dokumentet duhet të jenë në anglisht ose frëngjisht, gjuhët zyrtare të UNESCO-s.

MTKS në përgjigjen për “FAKTOJE”  pranon nevojën për përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional  dhe deklaron se “është “në proces të rishikimit të kuadrit ligjor,  që do të përfshijë edhe struktura të posaçme për çështjet e UNESCO-s”.

Masat

Auditimi vëren se rekomandimet e misioneve të UNESCO-s nuk ndiqen gjithmonë në mënyrë sistematike nga institucionet shqiptare.

Sipas KLSH-së, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (aktualisht Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit)  “nuk ka marrë masa konkrete për zbatimin e këtyre rekomandimeve dhe mungon një ndarje e qartë e përgjegjësive mes strukturave përkatëse”.

Po ashtu, sipas raportit, bashkitë e audituara “shpesh nuk kanë informacion për rekomandimet apo për çështje që lidhen me pasuritë kulturore dhe natyrore në territorin e tyre”.

Në raportet për periudhën 2019–2024, misionet e UNESCO-s kanë theksuar se çdo projekt në sitet e trashëgimisë kulturore duhet të realizohet vetëm pasi të kryhet Vlerësimi i Ndikimit në Trashëgimi (HIA).

Megjithatë, sipas KLSH-së, “ky rekomandim është anashkaluar në projektin e bypass-it të Gjirokastër, i cili ka vijuar pa këtë vlerësim”.

“Edhe pse Shqipëria është nënshkruese e Konventës për Mbrojtjen e Pasurive Kulturore dhe Natyrore, legjislacioni në fuqi nuk e përcakton qartë detyrimin që çdo projekt në sitet e trashëgimisë të kryejë më parë Vlerësimin e Ndikimit në Trashëgimi, siç rekomandon UNESCO” , thotë KLSH.

KLSH ka kërkuar që Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore të marrin masa për ta përfshirë këtë detyrim në kuadrin ligjor.

Në një përgjigje për “Faktoje”, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore sqaroi se,” edhe në mungesë të një akti të posaçëm nënligjor, projektet që ndërhyjnë në sitet e trashëgimisë shqyrtohen rast pas rasti nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, i cili vendos nëse një projekt duhet t’i nënshtrohet këtij vlerësimi”.

Bashkia e Gjirokastrës tha për “Faktoje” se të gjitha projektet në Qendrën Historike aprovohen në institucionet përkatëse të Trashëgimisë Kulturore (Ministria e Kulturës dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore – IKTK).

Pasuritë

Sipas raportit të KLSH-së, “Shqipëria në vijimësi ka shpërfillur rekomandimet e Komitetit të UNESCO-s, ku që nga viti 2019 theksohet se ekzistojnë një sërë rreziqesh që duhet të adresohen për të ruajtur Vlerat e Jashtëzakonshme Universale të Liqenit të Ohrit”.

Raporti i KLSH-së thekson se projekti i Parkut Ujor Drilon–Tushemisht është konsideruar i papërshtatshëm nga Komiteti, por megjithatë është miratuar pas disa ndryshimeve të vogla, të cilat janë vlerësuar si të pamjaftueshme dhe që nuk marrin në konsideratë këto vlera.

Tushemisht

Në një përgjigje për rrjetin “FAKTOJE”  Ministria e Kulturës thotë se, Shqipëria ka raportuar rregullisht pranë UNESCO-s dhe se  raporti i përbashkët 2025 dhe ai i janarit 2026 përfshijnë progresin dhe një plan masash korrigjuese”.

Ndërsa Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore në një përgjigje për “FAKTOJE”, thekson se “Shqipëria, si shtet palë, ka një kuadër të qartë veprimi për adresimin e rekomandimeve të UNESCO-s për pasurinë ‘Trashëgimia Natyrore dhe Kulturore e Rajonit të Ohrit”.

Sipas institucionit, ky kuadër përfshin vendimet e Komitetit të Trashëgimisë Botërore, Raportin e Misionit të Monitorimit Reaktiv të vitit 2024, si dhe Planin Strategjik të Rimëkëmbjes për pjesën shqiptare të pasurisë.

IKTK shton se “në këtë kuadër përfshihen edhe instrumente kombëtare, si procesi për shpalljen e fshatit Lin “Ansambël Arkitektonik Urban” dhe hartimi i planit për ruajtjen dhe administrimin e tij, i nisur në përgjigje të rekomandimeve të UNESCO-s”.

Instituti thekson gjithashtu se, “për shkak se kjo pasuri botërore është mikse dhe e përbashkët mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, zbatimi i rekomandimeve kërkon bashkërendim ndërinstitucional dhe ndërkufitar”. 

Ndërsa Bashkia e Pogradecit tha për “FAKTOJE” se ka miratuar urdhërin “Për zbatimin e rekomandimeve të lëna nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH)”.

përgjigjen e saj, Bashkia shtoi se “dokumentacioni i projektit të Parkut Ujor Drilon–Tushemisht është përcjellë pranë Qendrës së Trashëgimisë Botërore (QTB) dhe organeve këshillimore ICOMOS dhe IUCN nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF)”.

Lidhur me fondin e veçantë për trashëgiminë kulturore, Bashkia Pogradec deklaroi për “FAKTOJE” se nuk ka miratuar fonde buxhetore të dedikuara për pasuritë e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s, konkretisht për zonën e Liqenit të Ohrit.

UNESCO për Ohrin

Organizata Botërore e Monumenteve, UNESCO, paralajmëroi në verën e vitit 2024 autoritetet shqiptare dhe ato të Maqedonisë së Veriut për mundësinë e përfshirjes së rajonit të Ohrit në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.

UNESCO vlerësonte se “nevojat urgjente për ruajtjen e Ohrit kërkojnë një mobilizim të gjerë për të mbrojtur vlerat e tij universale, duke përfshirë edhe mundësinë e përfshirjes në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik”.

Sipas organizatës, gjendja e ruajtjes së kësaj pasurie nuk po përmirësohet dhe nuk ka ende një prirje pozitive për rikthimin e integritetit të saj.

Pjesa maqedonase e Liqenit të Ohrit u përfshi në Listën e Trashëgimisë Botërore në vitin 1979, fillimisht si pasuri natyrore dhe një vit më vonë si pasuri natyrore dhe kulturore, ndërsa pjesa shqiptare u përfshi në këtë listë në vitin 2019.

KLSH

Raporti i KLSH thekson se Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit duhet të ndjekë me prioritet miratimin e Planeve të Menaxhimit për qendrat historike të Beratit dhe Gjirokastrës.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bëri të ditur për “FAKTOJE”  se drafti parapërfundimtar i planit është dorëzuar pranë Qendrës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

“Dokumenti ndodhet aktualisht në proces shqyrtimi nga organet këshillimore të UNESCO-s dhe versioni përfundimtar pritet të përditësohet pas komenteve dhe rekomandimeve”, tha IKTK

Edhe ministria e Kulturës konfirmoi se Plani Menaxhimit të Gjirokastrës dhe Beratit  është ende draft dhe është përcjellë në UNESCO  nga ku dhe priten edhe rekomandimet.

Bashkia Gjirokastër konfirmoi gjithashtu se projekti “Bypass-i i Gjirokastrës” është vënë në dispozicion të organizmave të UNESCO-s pas raportit kritik të organizatës botërore.

Qendrat historike 

Sipas raporteve të misioneve të UNESCO-s, Berati dhe Gjirokastra ende nuk kanë një Plan të Menaxhimit të Integruar të finalizuar, megjithëse procesi ka nisur që në vitin 2019 me mbështetje ndërkombëtare.

Komiteti i UNESCO-s ka shprehur keqardhje për moszbatimin e plotë të asistencës ndërkombëtare për hartimin e këtij plani.

Autoritetet shqiptare kanë argumentuar se procesi është vonuar edhe për shkak të largimit të ekipit të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore që kishte hartuar draftin e parë.

Butrinti

Misioni i UNESCO-s shprehu “shqetësim të thellë” për ndryshimin e kufijve të Parku Kombëtar i Butrintit nga qeveria shqiptare pa dijeninë dhe miratimin e organizatës, në një raport monitorimi të dorëzuar autoriteteve shqiptare në shtator 2023.

Sipas dokumenteve zyrtare, nga parku janë hequr 802 hektarë, duke e reduktuar sipërfaqen nga 9,424 në 8,622 hektarë.

Vendimet e qeverisë në vitin 2022 për kufijtë e rinj të parkut dhe për ndërtimin e një resorti në zonën e përjashtuar nuk përmenden në raportin e palës shqiptare që iu dorëzua Komitetit të Trashëgimisë Botërore. 

Raporti i palës shqiptare nuk dha përgjigje të qarta edhe ndaj kritikave të UNESCO-s për modelin e ri të menaxhimit të Butrintit përmes Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit, në partneritet me Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.

Organizata kishte kërkuar gjithashtu që Ministria e Kulturës e Shqipërisë të ruajë autoritetin e plotë shtetëror mbi administrimin e Butrintit, gjë që nuk ndodhi, pasi menaxhimi iu kalua një fondacioni ku Ministria e Kulturës nuk ka shumicën e votave në bordin drejtues.

Ndërkohë, një nga kërkesat e UNESCO-s, dorëzimi i një harte të qartë të kufijve dhe të zonës tampon, ende nuk është përmbushur nga autoritetet shqiptare.

Probleme me fondet

Raporti i Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) evidenton mungesë planifikimi financiar dhe vonesa institucionale në mbështetjen e pasurive shqiptare të listuara në UNESCO. Sipas auditimit, fondet e dedikuara për mbrojtjen e këtyre pasurive nuk janë planifikuar në buxhetet e institucioneve qendrore dhe vendore për disa vite, ndërsa edhe fondi kombëtar i parashikuar për këtë qëllim është krijuar me vonesë.

Raporti thekson se “Fondi Kombëtar i Kujdesit të Trashëgimisë Kulturore Materiale, i cili duhej të krijohej pranë Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në vitin 2019, është ngritur vetëm në vitin 2022”.

Sipas raportit, ministria nuk disponon të dhëna lidhur me vlerën e zërave përbërës të këtij fondi.

Në raport thuhet gjithashtu se “në buxhetin e ministrisë apo të bashkive që ishin objekt auditimi për periudhën 2020–2024 nuk rezultojnë të planifikuara fonde të posaçme për mbrojtjen e pasurive dhe vlerave të trashëgimisë kulturore të regjistruara në UNESCO, si dhe për pasuritë që ndodhen në listën tentative të organizatës”.

Sipas auditimit, edhe në buxhetet e bashkive Berat, Gjirokastër dhe Pogradec për vitet 2020–2024 nuk janë planifikuar fonde të dedikuara për vlerat dhe pasuritë e trashëgimisë kulturore të regjistruara në UNESCO.

I pyetur nëse për vitin 2025 janë planifikuar fonde buxhetore për pasuritë e trashëgimisë kulturore të listuara në UNESCO, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore deklaroi në një përgjigje për “FAKTOJE”  se gjatë vitit 2025, ka zbatuar disa kontrata për kryerjen e punimeve ruajtëse dhe mbrojtëse në pasuritë kulturore, kryesisht në qytetin e Gjirokastrës.

Instituti shton se projektet që zhvillohen në qendrat historike të Berat dhe Gjirokastër trajtohen sipas rregullave të Konventa e Trashëgimisë Botërore e UNESCO-s dhe të Udhëzuesit Operacional të organizatës, i cili kërkon që shtetet të informojnë UNESCO-n për projektet që mund të ndikojnë në vlerat universale të pasurive të listuara.

Bashkia e Gjirokastrës konfirmoi se po bashkëpunon me Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare për këto investime.

Kandidimet e reja

Sipas KLSH-së “gjatë periudhës 2020–2024 nuk është regjistruar asnjë pasuri e re shqiptare në listat e UNESCO-s”.

Aktualisht, Shqipëria ka katër pasuri në Listën Tentative: Varret Ilire të Selcës, Amfiteatri i Durrësit, Qyteti Antik i Apollonisë dhe Kalaja e Bashtovës.

Raporti thekson se “institucionet përgjegjëse nuk kanë hartuar ende një listë elementësh për kandidime në trashëgiminë jomateriale të UNESCO-s dhe vendi nuk disponon një regjistër të plotë të pasurive kulturore dhe natyrore me interes të jashtëzakonshëm”. 

Raporti i KLSH-së rekomandon që  “Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të marrë masa për të hartuar udhëzimin mbi funksionimin e Komisionit Këshillimor, udhëzimin për përpilimin e Katalogut Kombëtar të Pasurive Kulturore, dhe për të përfunduar procesin e përzgjedhjes së ekspertëve vlerësues të vlerave kulturore të pasurive të luajtshme, të paluajtshme dhe jomateriale”.

Në lidhje me këtë, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë tha për “FAKTOJE” se “Komisioni Këshillimor është tashmë i ngritur me urdhër të Ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore, dhe janë miratuar udhëzimet përkatëse që përcaktojnë mënyrën e funksionimit dhe veprimtarinë e tij”.

Ky shkrim publikohet në kuadër të konkursit vjetor “Fatos Baxhaku”, pjesë e nismës Truth Beyond Numbers, e zbatuar nga Faktoje përmes mbështetjes së programit MATRA të Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta. Pikëpamjet e shprehura në shkrime i përkasin autorëve dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img