BallinaAktiviteteTransparenca dhe mbajtja e premtimeve, Faktoje prezanton raportin për Bashkinë Kurbin

Transparenca dhe mbajtja e premtimeve, Faktoje prezanton raportin për Bashkinë Kurbin

Në Bashkinë Kurbin u prezantuan rezultatet e raportit të monitorimit mbi transparencën dhe llogaridhënien, në kuadër të projektit “40 premtime, 10 bashki”, që Faktoje zhvillon për të tretin vit radhazi në bashkëpunim me organizatën amerikane National Endowment for Democracy (NED). Raporti u bazua në verifkimin e 16 indikatorëve që rrjedhin nga detyrimet ligjore për funksionimin e pushtetit vendor dhe ai për të drejtën e informimit. Në prezantimin e raportit u vu re mungesa e përfaqësuesve nga Bashkia, paçka se kjo bashki ishte e renditur e fundit sa i përket transparencës.

Qendra e verifikimit të fakteve, Faktoje prezantoi më 15 Shkurt, përpara gazetarëve lokalë dhe shoqërisë civile në Kurbin, gjetjet e raportit mbi “Transparencën dhe mbajtjen e premtimeve”, pas monitorimit të kryer në harkun kohor të një viti mbi punën e kësaj bashkie.

Në prezantim nuk pati asnjë përfaqësues të Bashkisë Kurbin, paçka ftesave të dërguara nga Faktoje.

Ky monitorim vjen në zbatim të Projektit “40 premtime, 10 bashki”, e mbështetur për të tretin vit rradhazi nga organizata amerikane National Endowment for Democracy (NED).

Pjesë e monitorimit për vitin 2022 ishin 10 bashki; Shkodra, Lezha, Dibra, Durrësi, Vora, Rrogozhina, Lushnja, Shijaku, Kruja dhe Kurbini; bashkitë për të cilat u mbajtën zgjedhjet e pjesshme vendore në Mars 2022 dhe 6 bashki të cilave të prekura nga tërmeti i vitit 2019 siç është edhe Bashkia Kurbin.

Monitorimi është bazuar në dy elementë kryesorë: nivelin e transparencës së pushtetit vendor, si dhe përmbushjen e premtimeve elektorale të dhëna gjatë fushatës.

Nisur nga ky monitorim, niveli i transparencës për Bashkinë Kurbin arrin në 37,5%, duke e renditur në vendin e fundit nga 10 bashki në total. Kjo përqindje është llogaritur përmes 16 indikatorëve të matjes së transparencës që rrjedh nga kuadri ligjor vendas.

Këto indikatorë e vendosin Bashkinë e Kurbinit në vendin e fundit nga 10 bashki sa i përket transparencës. Megjithatë, ka patur përmirësim të theksuar krahasuar me vitin e mëparshëm, ku Bashkia Kurbin u vlerësua me vetëm 13,3%. Kjo kryesisht si pasojë e faktit që Bashkia nuk kishte një faqe interneti funksionale, gjë që është ndrequr këtë vit.

Megjithatë, në diskutimet me gazetarët dhe shoqerinë civile u vu në dukje fakti se në faqen e Bashkisë njoftohet se “Faqja është në ndërtim e sipër dhe mund të përmbajë informacion të pa saktë!”. Ky shënim hedh dyshim mbi të gjithë informacionet e prezantuara nga Bashkia në faqen e saj zyrtare. Kështu, megjithëse faqja është funksionale, informacioni në të mund të mos jetë i saktë apo i besueshëm.

Sa i takon llogaridhënies, Faktoje përzgjodhi katër premtime elektorale të dhëna gjatë fushatës për zgjedhjet e pjesshme vendore të 22 marsit 2022. Katër premtimet e zgjedhura janë:

  1. Disbursimi dhe dëmshpërblim me grantet e rindërtimit;
  2. Pastrimi i kanaleve kulluese;
  3. Rindërtimi i godinës së Bashkisë;
  4. Rindërtimi i shkollës Gjon Gjonaj.

Bashkia Kurbin nuk ka përmbushur asnjërin prej këtyre premtimeve.

Shkolla Gjon Gjonaj u hap për nxënësit në 9 janar 2023, 3 muaj pas verifikimit në terren të Faktoje, dhe 19 muaj pas afatit kur duhet të ishte përfunduar.

Gjithashtu, në raport gjendet edhe monitorimi i procesit të ngritjes dhe funksionimit të Këshillit Vendor Rinor, një detyrim ligjor i bashkive që do të shërbente në fuqizimin e pjesëmarrjes së të rinjve në proceset politikbërëse.

Nga gjetjet e ekspertit në momentin e monitorimit, bazuar nga informacionet zyrtare të publikuara nga bashkia Kurbin, Këshilli Rinor Vendor nuk konsiderohej i ngritur.

Bashkitë me performancën më të lartë të transparencës janë ajo e Shkodrës dhe Lezhës me 100%, ndjekur nga Bashkia e Shijakut me 87,5%, Dibra dhe Durrësi me 75%, Kruja me 68,7% dhe Vora 56,3%. Performancën më të dobët e mban Bashkia e Kurbinit me 37,5 %, ndjekur nga ajo e Rogozhinës me 43,7%.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img