.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookTitull manipulues për çmimin e biletave të transportit publik

Titull manipulues për çmimin e biletave të transportit publik

Një artikull është publikuar nga portalet më 26 gusht, në lidhje me “një lajm të papritur” për çmimin e biletave të transportit publik. Nga verifikimi rezulton që lajmi në brendësi nuk përputhet me titullin, por përdoret thjesht si “karrem” nga portalet për të tërhequr klikime.

———————————————————————————————————

Më 26 gusht, portalet publikuan një lajm në lidhje me transportin publik.

“Transporti publik, vjen lajmi i papritur për çmimin e biletave”, është ky titulli i portalit.

Screenshot nga artikulli i portalit

Artikulli i medias online i referohet vendimit të qeverisë, ku më 25 gusht, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri me dije se kompensimi për shoqërinë e transportit ndërqytetas dhe qytetas do të vazhdojë edhe për 3 muajt e ardhshëm, si pjesë e projektit antikrizë.

Nëse do të shohim shkrimin në brendësi, nuk ka asnjë “lajm të papritur” në lidhje me çmimin e biletave siç pretendohet nga ky portal. Në tekst theksohet qartë, duke iu referuar deklaratës së ministres Balluku se nuk do të ketë rritje të çmimit të biletave për transportin urban.

Në këtë rast, kemi një mospërputhje mes tekstit dhe titullit. Tituj të tillë përdoren nga portalet si “karrem” për të tërhequr vëmendjen e lexuesve dhe kjo sidomos kur bëhet fjalë për tema më interes të gjerë publik, siç është çmimi i biletës për transportin urban.

Brenda këtij viti, operatorët e transportit urban kanë paralajmëruar dy herë pezullimin e shërbimit të transportit publik. Në fund të muajit korrik, nëpërmjet një deklaratë, shoqëria e transporteve publike bëri të ditur se nuk do të nxirrte në treg abonetë për gushtin dhe do të pezullonte shërbimin. Mirëpo, përfaqësues të Unionit të Transportit Publik argumentuan për Faktoje në një artikull të publikuar më 4 gusht, arsyet e tërheqjes nga ky vendim, duke theksuar se ishin në pritje të një tjetër subvencioni 3-mujor nga qeveria.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img