Pretendimi: Kjo video tregon pamje ekskluzive të momentit të aksidentit në Këlcyrë kur makina fluturoi në ajër.

Verdikti: Mungon konteksti, clickbait

—————————————————————–

Në një përpjekje për të vjelur klikime nga aksidenti tragjik në Këlcyrë, profili online i medias kombëtare shqiptare RTSh ka postuar një video në Facebook ku pretendon se tregohet “momenti kur makina fluturoi në ajër me 8 pasagjerë brenda”.

2 prill 2024, 8 persona mbetën të vdekur në një aksident në aksin Këlcyrë-Përmet. Viktimat ishin pasagjerët, emigrantë klandestinë dhe shoferi i mjetit. Në çastin e aksidentit, makina po tentonte t’i shpëtonte ndjekjes së policisë, duke përfunduar në shtratin e lumit të Vjosës.

Video 1-minutëshe e postuar në faqen e Facebook të RTSh pretendon në titullin e saj se përmban “pamje ekskluzive” që konsistojnë në pamjet “kur makina fluturoi në ajër”. Ky titull ka tërhequr vëmendjen e përdoruesve të rrjetit duke marrë mbi 250 mijë ndërveprime.  

Megjithatë, të gjithë ata që e kanë klikuar videon e kanë kuptuar se ky është një premtim i rremë, i dizenjuar për të tërhequr dhe përfituar klikimet e lexuesve kureshtarë.

Në gjithë tërësinë e saj, video nuk tregon ndonjë moment të tillë. Në vend të tij, video përmban pamje nga momentet kur policia po kryen ekspertizën e ngjarjes në vendndodhje, një pamje e transmetuar nga qindra media të tjera më parë.