BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookShkencëtarët në CERN nuk do të hapin portale për në ferr gjatë eklipsit diellor

Shkencëtarët në CERN nuk do të hapin portale për në ferr gjatë eklipsit diellor

Shkencëtarët në CERN nuk do të hapin portale për në ferr më 8 prill, siç thuhet në postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë. Fizikantë të shumtë kanë argumentuar se Organizata Evropiane për Kërkime Bërthamore nuk e ka kapacitetin dhe as synon të bëjë diçka të tillë.

Përdorues në rrjetet sociale pretendojnë se Organizata Evropiane për Kërkime Bërthamore, ose CERN do të hapë sot portalet djallëzore, në të njëjtin moment që do të ndodhë eklipsi i diellit.

Sipas një burimi, mëshqerrat e kuqe nga Teksasi kanë mbërritur në Izrael ku do të sakrifikohen gjatë Eklipsit Diellor më 8 Prill. Në të njëjtën kohë, CERN do të hapë portalet demonike”- shkruajnë përdorues në rrjetet sociale.

CERN, Organizata Evropiane për Kërkime Bërthamore, është një nga qendrat më të mëdha dhe më të respektuara në botë për kërkimin shkencor. Pajisjet e CERN-it filluan të funksionojnë në mars, një muaj para eklipsit dhe teknologjia nuk është aq e fortë sa të hapë një portal ose një vrimë të zezë.

Më 8 prill, njerëzit në 13 shtete në Amerikën e Veriut do të shohin një eklips të plotë diellor, kur hëna parashikohet të kalojë në vijë të drejtë midis Tokës dhe diellit. Por teknologjia e CERN-it nuk ka asnjë lidhje me fenomenin astronomik, raporton “USA Today” që ka verifikuar këtë postim të shpërndarë në rrjetet sociale në mbarë botën.

Sophie Tesauri, një zëdhënëse e CERN, tha për “USA TODAY” se nuk ka asnjë lidhje midis asaj që bën CERN dhe eklipsit të 8 prillit.

“Në CERN ne studiojmë fizikën e grimcave me përshpejtues të tillë si (Përplasësi i Madh i Hadronit) dhe kjo ka pak të bëjë me astrofizikën në një mënyrë të drejtpërdrejtë,” tha Tesauri.

Përplasësi i Madh i Hadronit është përshpejtuesi më i madh dhe më i fuqishëm i grimcave në botë.

Dejan Stojkovic, profesor i fizikës në Universitetin në Buffalo tha se CERN nuk mund të krijojë një portal, edhe sikur të dojë ta bëjë këtë gjë.

“Nuk ka asnjë të vërtetë në pretendimin se shkencëtarët në CERN po komunikojnë me entitete demonike dhe po përdorin përplasësin për të hapur një portal për në ferr. Për të krijuar një vrimë të zezë, madje edhe ato mikroskopike, me teknologjinë tonë aktuale, në kontekstin e teorive tona standarde të gravitetit, ne kemi nevojë për një përshpejtues sa i gjithë universi. Pra, nuk ka asnjë shans për të krijuar një portal të tillë”, shpjegoi Stojkovic.

Joshua Ruderman, profesor i asociuar i fizikës në Universitetin e Nju Jorkut, tha për USA TODAY se përplasësi është në thelb: “një makinë për krijimin e grimcave dhe një makinë zbulimi grimcash”.

Pra, nuk ka asnjë provë se shkencëtarët në CERN po hapin një portal për në ferr, siç pretendohet në postime të shpërndara në rrjetet sociale.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img