Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se deri në fund të vitit, kryeqyteti do të priste 7 milionë turistë. Kjo shifër sipas verifikimit të Faktoje është e ekzagjeruar, referuar edhe shifrave që jep vetë bashkia e Tiranës. Edhe pse ka pasur një rritje të konsiderueshme të vizitorëve të huaj, pas periudhës së pandemisë, numri i turistëve në 2022 për Tiranën është më i ulët. Së fundi edhe kryeministri Rama ka deklaruar të njëjtën shifër, por për gjithë Shqipërinë.
——————————————————————————-
“Ne sot do të kapim besoj rekordin, në qoftë se vazhdon ky trend deri në fund të vitit, 7 milionë turistë”, deklaroi Veliaj në tetor të këtij viti.
Por sa turistë e vizituan kryeqytetin gjatë viti 2022? Në lidhje me këtë çështje, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Tiranës.
Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Tiranë, 7 dhjetor 2022
Në përgjigjen zyrtare që mban datën 13 dhjetor, ky institucion bën të ditur se në 10 muaj, numri i turistëve që vizituan kryeqytetin është 2 milionë.
“Referuar shifrave të publikuara nga Instituti i Statistikave: Për periudhën 10 mujore janar – tetor 2022 numri i shtetasve të huaj ardhur në aeroportin ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’, pra për rrjedhojë edhe në Tiranë është 2.097.607 persona. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janar- tetor 2021, ku numri i tyre ishte 1.197.227, kemi një rritje prej 75%”, argumenton Bashkia e Tiranës.
Referuar përgjigjes zyrtare nga ky institucion, atraksionet më të vizituara nga turistët në kryeqytet janë:
Sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri, Kalaja e Tiranës, Xhamia e E’them Beut, Kulla e Sahatit, Muzeu Historik Kombëtar, Pallati i Kulturës, BunkArt 2, Muzeu i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, Instalacioni “Cloud”, Varri i Kapllan Pashës, Ura e Tabakëve, Pedonalja “Murat Toptani”, Memoriali “Post Bllok”, Blloku, Parku i Madh i Liqenit Artificial, Sheshi “Nënë Tereza”, BunkArt 1, Shtepia Studio Kadare, Galeria e Artit Tirane (GAT), Parku Kombëtar i Dajtit.
Në një artikull të publikuar në muajin tetor, ekspertët e Turizimit treguan për Faktoje disa nga faktorët që kanë ndikuar në rritjen e numrit të turistëve gjatë 2022-it.
“Faktori i parë është pas-pandemia. Presioni i madh pas pandemisë, bëri që ata të udhëtojnë më shumë sesa në një periudhë normale.
Arsyeja e dytë, është një kompani ajrore loë-cost që ka dyfishuar qytete europiane që kanë lidhje fluturimi direkte me Tiranën. Nëse më parë kanë qenë vetëm 29 apo 30, tani vetëm një kompani ka sjellë 45.
Ka dhe një arsye të tretë. Pra, që ka munguar në 2019-n, është hapja dhe heqja e vizave me vendet e Lindjes së Mesme. Heqja e vizave me vendet e Lindjes së Mesme bëri që kryesisht në Tiranë të ketë më shumë turistë gjatë verës, pasi vendet e Lindjes së Mesme nuk vijnë në Shqipëri për plazh, por vijnë dhe frekuentojnë kryesisht si bazë Tiranën”, u shpreh eksperti i Turizmit, Besnik Vathi.
Më 27 dhjetor 2022, ministrja e Mjedisit dhe Turizimit, Mirela Kumbaro bëri të ditur se deri në muajin nëntor në Shqipëri kanë mbërritur 7.1 milionë turistë.
“Viti 2022, deri në muajin nëntor shënoi 7.1 milionë turistë të huaj, duke shënuar një rekord dhe ende shifrat vazhdojnë të rriten deri në fund të vitit”, deklaroi Kumbaro.
Ndërsa kryeministri Rama, në një postim në rrjetet sociale në 9 janar 2023 thotë se vitin e kaluar Shqipëria u vizitua nga 7.5 milionë turistë.
Screenshot, postimi i kryeministrit Rama
Nga ana tjetër, operatorët turistikë shprehen për festat e fundvitiyt shumë shqiptarë zgjodhën të udhëtojnë jashtë vendit.
“Gjasat ishin që ta takonit komshiun jashtë shtetit, më shumë sesa brenda Shqipërisë. Shumë njerëz udhëtuan jashtë. Ka ikur ajo pjesa e turizmit patriotik, njerëzit ikin për komoditet.
Këtë vit Dubai kishte kërkesë të jashtëzakonshme, ndjekur nga qytetet kryesore të Europës, si Roma, Madridi, Barcelona, Budapesti, Praga, Vjena”, konfirmojnë për Faktoje operatorët turistikë.
Nisur nga verfikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar vemdosëm që deklaratn e kryebashkiakut Erion Veliaj se Tirana do vizitohej nga 7 milionë turistë, ta kategorizojmë të Pavërtetë.