Në fund të vitit 2022, kryeministri Edi Rama lajmëroi se Tirana do të mikpriste për herë të parë në pranverë Samitin e Berlinit, një nga proceset më të rëndësishme për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Por kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz saktësoi se samiti i ardhshëm i Berlinit do të mbahet më 16 tetor. Për ekspertin Afrim Krasniqi, Gjermania është treguar e kujdesshme të caktojë një datë 5 muaj pas zgjedhjeve lokale të pranverës dhe të qëndrojë larg politizimit për mbajtjen e këtij samiti, që në thelb konsidrohet si një tregues i vëmendjes së lartë që Bashkimi Evropian po i jep vendit dhe rajonit.
Esmeralda Topi
“Jemi krenarë dhe të lumtur që na është kërkuar nga partnerja dhe mikja jonë e madhe Gjermania, që pranverën e ardhshme të mikpresim Samitin e Procesit të Berlinit.”- deklaroi dhjetorin e kaluar Kryeministri Edi Rama përpara përfaqësuesve të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, teksa shtoi: “Mbajtjen e Samitit e shohim si shprehje vlerësimi dhe respekti për atë çka Shqipëria po bën vazhdimisht për të promovuar në mënyrë aktive bashkëpunim rajonal, paqen dhe dialogun, lidhje më të ngushta me fqinjët e saj të Ballkanit Perëndimor, ndërveprimet midis njerëzve dhe bizneseve nga të gjitha vendet tona.”
Por ndryshe nga sa deklaroi Kryeministri Rama, Gjermania vendosi mbajtjen e Samitit të Berlinit më 16 tetor.
Gjatë një vizite zyrtare të Kryeministrit Edi Rama në Gjermani më 7 mars të këtij viti, Kancelari i Republikës Federale Gjermane, Olaf Scholz lajmëroi se Samiti i ardhshëm i Procesit të Berlinit do të mbahej në vjeshtë.
“Prandaj gëzohem që ti re dakord në tetor të ftosh në Shqipëri Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit. Përgatitjet për këtë kanë përparuar. Në 16 tetor samiti do të të zhvillohet.” – pohoi Scholz.
Samiti i Procesit të Berlinit për herë të parë në historinë thuajse 10 vjeçare të procesit do të zhvillohet në kryeqytetin e një shteti të Ballkanit Perëndimor, zgjedhje kjo e cila përqafohet edhe nga Komisioni Europian.
‘Gjermania vazhdon të jetë katalizatori dhe udhërrëfyesi politik i procesit dhe merr vendime për pritjen, temat dhe formatin e procesit me partnerët. Ndërkohë që samitet e para u mbajtën në shtetet anëtare të BE-së, ka pasur një tendencë graduale për zhvendosjen e samiteve në rajon, e cila filloi me bashkë-kryesimin e procesit në vitin 2020 nga Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria. Komisioni mirëpret faktin që në vitin 2023 samiti është pritur plotësisht nga një partner i Ballkanit Perëndimor. Kjo është një njohje e rëndësisë që ka Ballkani Perëndimor për BE-në.’– tha në një përgjigje për Faktoje Ana Pisonero, zëdhënësja e Komisionit Europian.
Ndërsa, vetë kryeministri Rama i cili më herët kishte deklaruar mbajtjen e Samitit në pranverë, që përkon me zgjedhjet vendore në Shqipëri, la të kuptohej se vjeshta ishte zgjedhje e Gjermanisë.
“Edhe njëherë faleminderit dhe më vjen shumë mirë që bashkë me Kancelarin mund të shpallim dhe datën e propozuar nga pala gjermane dhe absolutisht e pranuar prej nesh që është 16 tetori i këtij viti ku do të punojmë së bashku dhe ku zyra e kancelarit do të angazhohet për ta shoqëruar samitin edhe me një forum të rëndësishëm të biznesit, me praninë e bizneseve të rajonit dhe të bizneseve gjermane.” – u shpreh Rama gjatë konferencës së përbashkët me Kancelarin gjerman Olaf Scholz.
Për polititologun Afrim Krasniqi, mbajtja e Samitit të Procesit të Berlinit në vjeshtë nuk është rastësi.
“Thjesht për saktësim dhe kujtesë sesi ne e bëjmë politikën e jashtme: Berlini/BE nuk janë pjesë e fushatës elektorale dhe as nuk bëjnë mbledhje për foto, ndaj Samiti që këtu e donin dhe e premtuan me entuziazëm për në pranverë, do mbahet rreth 5 muaj më vonë, në tetor!”- shkruan Krasniqi në rrjetin e tij social Facebook.
Mbajtja e Samitit të radhës të Procesit të Berlinit në Tiranë, pak kohë pas një Samiti tjetër të rëndësishëm si ai mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, për analistët tregon vëmendjen e shtuar që po merr Shqipëria dhe rajoni nga Bashkimi Evropian.
Gledis Gjipali, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes Evropianë në Shqipëri, thotë se ‘Fakti që dhe ky Samit do të jetë i pari që organizohet në një vend të Ballkanit Perëndimor dhe ky vend është përsëri Shqipëria tregon vëmendjen e veçantë që i kushtohet vendit tonë nga BE dhe shtetet kryesore anëtare.’
Po ashtu, sipas tij ‘ecuria pozitive në vitet e fundit në procesin e integrimit, linjëzimi i plotë i politikës sonë të jashtme dhe sigurisë me atë të BE-së, si dhe marrëdhëniet e mira të fqinjësisë në rajon, janë tre faktorët kryesorw që e dallojnë Shqipërinë nga vendet e tjera në këtë moment të procesit, duke sjellë këtë vëmendje dhe mbështetje nga BE dhe vendet më të rëndësishme europiane.’
Edhe ish diplomati Arben Çejku tha për Faktoje: ‘Zhvillimi i këtij samiti në njërin prej kryeqyteteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor – pjesë e Procesit të Berlinit, tregon simbolikisht rëndësinë që i kushton Gjermania këtij procesi bashkë me vendet e tjera të BE-së.” Por ai shton gjithashtu se duke e organizuar samitin në Tiranë, në njërin prej kryeqyteteve që ka harxhuar shumë energji së bashku me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut për të formësuar nismën “Ballkani i Hapur”, BE po synon dhënien e sinjaleve të qarta, se nuk e përkrah këtë nismë të re, ndaj të cilës SHBA-të kanë treguar interesim. Sipas rtij, koha tregoi se “Open Balkan” nuk e rivalizoi dhe zëvendësoi dot “Procesin e Berlinit”, i cili ka një axhendë më përmbajtësore si dhe paketa financiare që mbështesin bashkëpunimin ekonomik mes vendeve duke i përafruar ato me standartet e BE-së.
Samiti i fundit i Procesit të Berlinit u mbajt në nëntor 2022 në Gjermani. Gjatë këtij Samiti unënshkruan tri marrëveshje rajonale mes vendeve të Ballkanit Perëndimor; Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut; Malit të Zi, Bosnje dhe Hercegovina, si dhe Serbisë, përkatësisht:
-Marrëveshja mbi lëvizjen e lirë me karta identiteti në Ballkanin Perëndimor
-Marrëveshja mbi njohjen e diplomave të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor
-Marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve, arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes për tregtinë e lirë në Europën Qendrore.
Procesi i Berlinit u krijua në 2014-n si platformë për vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) për të përshpejtuar përafrimin më të ngushtë me BE-në dhe për të thelluar integrimin dhe bashkëpunimin rajonal, si faktor kyç për zhvillimin ekonomik dhe paqen në Ballkanin Perëndimor.
Redaktoi: Viola Keta & Aimona Vogli
*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor