BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookTestimi i sistemit të emergjencave në SHBA ngjall teoritë konspirative

Testimi i sistemit të emergjencave në SHBA ngjall teoritë konspirative

Testi i sistemit mbarëkombëtar të sigurisë (FEMA) që do të kryhet në SHBA më 4 tetor, nuk ka asnjë lidhje me përhapjen e sëmundjeve për personat e vaksinuar kundër koronavirusit. Pretendimet ringjallin teoritë konspirative që qarkullojnë prej kohësh në lidhje me përmbajtjen e vaksinës së COVID-19.

Postime të shpërndara në rrjetet sociale në Shqipëri pretendojnë për një sulm nëpërmjet 5G më 4 tetor, ditën në të cilën SHBA do të kryejë testin për sistemin e sinjalizimit mbarëkombëtar. Më tej aludohet se ky “sulm” do të përhapë sëmunde ndaj atyre që janë vaksinuar.

“Gojët e liga po flasin që po përgatitet sulmi i radhës nëpërmjet një frekuence të caktuar 5G, me anë të së cilës aktivizohen disa lloje të ndryshme helmesh dhe virusesh (Ebola, ecoli, etj) në trupat e atyre që kanë bërë gjilpërën me helm dhe boosterat. Në Shba, në dt 4 tetor, autoriteti federal i menaxhimit të emergjencave civile (FEMA) do bëjë një testim të përgjithshëm në rang kombëtar dhe flitet që ky do jetë momenti që do lëshojnë frekuencën e lartpërmendur. Nëse nuk arrijnë targetin e duhur, do e përsërisin edhe në dt 11 tetor.  Nuk mbetet gjë tjetër përveç besimit në shkencë”-shkruajnë përdorues në rrjetet sociale.

Postimi i shpërndarë në rrjetet sociale

FEMA po kryen një test rutinë të sistemit të saj të paralajmërimit të urgjencës nëpërmjet telefonave dhe pajisjeve të tjera inteligjente, por nuk ka asgjë të vërtetë në pretendimin se do të lëshojë një sinjal me valë për të aktivizuar oksidin e grafenit ose nanogrimcat në trup.

Stanley Perlman, profesor i mikrobiologjisë dhe imunologjisë në Universitetin e Iowa-s tha për “Associated Press” se pretendimet duket se u referohen miteve të vjetra në lidhje me përmbajtjen e vaksinave të COVID-19.

Këto teori konspirative të pabaza pretendojnë se vaksinat përmbajnë materiale të ndryshme, si oksid grafeni ose nanogrimca të tjera, që mund të ndërveprojnë me teknologjinë e komunikimit wireless. Ata pretendojnë se materialet, kur aktivizohen, mund t’i lejojnë qeveritë të kontrollojnë dhe monitorojnë njerëzit.

Por oksidi i grafenit, një material i bërë nga grafiti oksidues nuk është një përbërës në vaksinën e COVID, sqaron për ‘Associated Press’, Matthew Laurens, specialist i sëmundjeve infektive pediatrike me Qendrën për Zhvillimin e Vaksinave dhe Shëndetin Global në Shkollën e Mjekësisë së Universitetit të Maryland.

“Oksidi i grafenit është përdorur vetëm për të studiuar strukturën e vaksinës së Covid-19 dhe nuk është pjesë e formulimit të vaksinës”, argumenton eksperti.

Julia Greer, profesoreshë e shkencave materiale në Institutin e Teknologjisë në Kaliforni tha për AP: “Nuk mund të ‘aktivizosh’ oksidin e grafenit”.

Ndërkohë, nanogrimcat aktuale në vaksina janë lipide ose yndyrna, të cilat në përgjithësi përdoren si material mbulues. Ekspertët thonë se ato ndonjëherë përshkruhen si “të programueshëm”, sepse mund të modifikohen dhe rregullohen, në varësi të nevojës. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se ato mund të programohen për të bashkëvepruar me rrjetet ‘wireless’.

Nuk ka asnjë “hile” në lidhje me testin rutinë që FEMA dhe Komisioni Federal i Komunikimeve do të kryejnë.

“Teste të tilla kanë ndodhur në mënyrë të vazhdueshme prej vitesh tashmë, pa asnjë raportim të efekteve negative shëndetësore nga sinjalet e sistemit”, tha Jeremy Edwards, zëdhënësi i FEMA.

Më tej, ai shtoi: “Qëllimi i vetëm i testit është të sigurojë që sistemet të vazhdojnë të jenë një mjet efektiv për të paralajmëruar publikun për emergjencat, veçanërisht ato në nivel kombëtar”.

Testi është planifikuar të fillojë më 4 tetor rreth orës 14:20 (me orën e SHBA), por mund të shtyhet më 11 tetor nëse ka mot të keq ose ngjarje të tjera të rëndësishme.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img