.

.

BallinaProjekteLufta kundër dizinformimit dhe zhvillimi i medias në ShqipëriTerminali në Lundër nuk u hap në ditët e para të shkurtit

Terminali në Lundër nuk u hap në ditët e para të shkurtit

Terminali Lindor i Autobusëve në Lundër nuk është hapur ende, ndonëse është premtuar disa herë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Faktoje verifikoi në terren se aty vijonte puna. Nga ana tjetër, drejtuesit e linjave ndërqytetase shprehin shqetësimin se zhvendosja në terminalin e ri mund t’i çojë drejt falimentimit.

Në korrik të vitit 2022, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj premtoi se Terminali Lindor i Tiranës do të ishte gati në fund të verës së atij viti. “Për terminalin lindor do të jemi gati ta hapim në fund të verës”, tha Veliaj.

Më 30 dhjetor të vitit 2022, Veliaj deklaroi se në fillim të janarit 2023 do të hapej terminali i autobusëve në Lundër

“Po mbarojmë, po i japim dorën e fundit dhe në fillim të janarit do të hapim terminalin e autobusëve në lindje, te zona e Lundrës”, theksoi kryebashkiaku.

Ndërsa, më 18 janar 2023, Veliaj u shpreh se kishte përfunduar puna për terminalin e autobusëve në Lundër dhe do të hapej brenda pak ditëve.

“Ne duam të vazhdojmë me terminalet. Ka mbaruar ai i Lundrës që do hapet këto ditë”, deklaroi Veliaj (minuta 2:30).

Ndërtimi i terminalit të lindjes në Lundër është një investim publik me rëndësi për qytetarët, ndaj Faktoje iu drejtua fillimisht me një kërkesë për informacion Bashkisë së Tiranës, ku ndër të tjera e pyetem së kur pritet të hapet ai.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Tiranë, 24 janar 2023

Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk kemi marrë një përgjigje nga institucioni në fjalë.

Faktoje vendosi të bëjë një verifikim në terren më 2 shkurt, ku pamë nga afër si po ecte puna për ndërtimin e terminalit të lindjes në Lundër. Gjatë verifikimit konstatuam se terminali nuk ishte hapur ende, teksa vazhdonte puna për ndërtimin e tij.

Terminali Lindor i Autobusëve, 2 shkurt 2023

Ajo që vihej re ishte se terminali ishte konceptuar që të kishte edhe hapësira të brendshme, të pajisura me stola ku mund të qëndronin qytetarët.

Terminali Lindor i Autobusëve, 2 shkurt 2023

Punëtorët në këtë kantier i thanë Faktoje se terminali mund të hapet brenda 3 javëve, por nuk kanë një datë kur mund të përfundojnë tërësisht punimet dhe të jetë gati.

“Duan që ta hapin brenda 2-3 javëve. Ta shohim si do shkojnë punimet”, bënë të ditur punëtorët.

Terminali Lindor i Autobusëve, 2 shkurt 2023

Në datën 20 shkurt ne bëmë një tjetër verifikim në terren dhe konstatuam se terminali ende nuk ishte funksional.

Terminali Lindor i Autobusëve, 20 shkurt 2023

“Nuk është hapur akoma, e dinë drejtuesit tanë kur hapet”, i thanë Faktojes punëtorë në kantierin e ndërtimit.

Terminali Lindor i Autobusëve, 20 shkurt 2023

Shqetësimi i shoferëve të linjave

Ne bëmë një verifikim edhe në zonën pranë “Qytetit Studenti”, ku janë të vendosur aktualisht autobusët dhe minibusët e lindjes dhe juglindjes. Drejtuesit e linjave shprehën shqetësimin se zhvendosja në terminalin e ri do t’i falimentonte. Sipas tyre, për shkak të largësisë dhe mungesës së transportit publik, qytetarët do të detyrohen që të përdorin taksi për të përshkuar distancën, nga stacioni në Lundër drejt qendrës së Tiranës apo Qytetit Studenti.

“Pasagjerët deri te TEG nuk kanë me çfarë të vijnë. Autobusët nuk funksionojnë, nuk kanë një linjë të rregullt urbane, sepse ajo e TEG-ut vjen njëherë në orë. Studentët që janë këtu rreth e qark vijnë në këmbë. Por, kur të shkojnë atje, ata me çanta me gjëra që të vijnë deri te terminali i ri do marrin taksi që do t’u shkojë 10 mijë lekë (të vjetra).

Terminali aktual i autobusëve, 2 shkurt 2023

TEG vjen njëherë në orë, ne e kemi linjën çdo 45 minuta. Imagjinoje të presësh sa të vijë autobusi i TEG-ut, sa trafik krijohet ne atë zonë që tani, imagjinojeni kur të fillojë të funksionojë edhe terminali. Atëherë do lulëzojë ajo pjesa e taksive të vogla”, shprehen ata.

Sipas tyre, me zhvendosjen e terminalit do të rritet ndjeshëm kostoja për qytetarët dhe shumë prej tyre do të braktisin linjat ndërqytetase.

“Ditën që do shkojmë atje, ne do mbarojmë. Qytetarët prandaj na zgjedhin ne, për koston e ulët. Se po të jetë për taksi e merr që nga shtëpia dhe shkon rehat në destinacion. Do bëhen 4 vetë dhe do paguajnë një makinë të vogël dhe do vijnë në Tiranë. Ishalla nuk na çojnë atje se po na dërguan atje ne falimentuam. Hajde të na shohësh si do përfundojmë kur të shkojmë atje”, shprehen të shqetësuar drejtuesit e linjave ndërqytetase.

Projekti i Terminalit Lindor

Sipas projektit, Terminali Lindor i autobusëve në kryeqytet është i projektuar në 14 mijë metra katrorë dhe do të ketë 65 vende për mjetet, ndërkaq është menduar të ketë edhe një stacion për shërbimin taksi dhe linjat e transportit urban.

Terminali i ri, në afërsi të Unazës së Madhe dhe autostradës Tiranë-Elbasan, është projektuar me mjedise të hapura, hollet, sallat e pritjes së qytetarëve, biletaritë, si dhe ambiente shlodhëse.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img