BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookEkzagjerim me kurat e lashta që shërojnë HIV/AIDS apo tumoret

Ekzagjerim me kurat e lashta që shërojnë HIV/AIDS apo tumoret

Kanceri, diabeti, HIV-AIDS nuk mund të kurohen me mjekime të ofruara në portale. Faktoje verifikoi një tjetër artikull që manipulon lexuesit, duke përdorur tituj dizinformues, me qëllim tërheqjen e klikimeve, pa llogaritur dëmin që mund të shkaktojë te qytetarët.

Në një artikull që vijon të ndahet online nga 21 dhjetor 2021, ofrohet një kurë mjekësore që pretendohet se kuron disa sëmundje të rënda, si diabetin, HIV-AIDS apo edhe kancerin.

“Kura e lashtë e cila shëron të gjitha sëmundjet, HlV, AlDS, diabetin, ka.cerin etj”-shkruan portali “Todaynews50.com”.

Screenshot, lajmi i publikuar nga portali

Artikuj të tillë, me fokus shëndetin, kanë një interes të lartë për qytetarët, ndaj “Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim të tij, në mënyrë që të informojmë në mënyrë të saktë lexuesit. Në një kërkim të thjeshtë të bërë në faqe me këshilla mjekësore më të specializuara dhe bazuar në studime shkencore shihet se fara e zezë apo ‘Nigella sativa’ është një bar medicinal vendas në Mesdheun Lindor, Afrikën Veriore, Azinë Jugperëndimore dhe nënkontinentin Indian.

Më tej thuhet se ‘Nigella sativa’ mund të ofrojë një sërë përfitimesh shëndetësore. Përfitimet më të mirë-hulumtuara përfshijnë mbrojtjen kundër dëmtimit të qelizave dhe inflamacionit, përmirësimin e kontrollit të sheqerit në gjak, një sistem imunitar më të fortë dhe një zemër dhe tru më të shëndetshëm.

Ndër të tjera heksohet se: “Mund të vrasë qelizat e kancerit. Disa studime të vjetra të kryera te kafshët sugjerojnë se Nigella sativa mund të ndihmojë në parandalimin e rritjes dhe përhapjes së qelizave kancerogjene. Megjithatë, nevojiten kërkime dhe studimet te njerëzit për ta konfirmuar këtë”.

Studimet e kryera mbi efektet pozitive të kësaj bime nuk sugjerojnë në asnjë moment se ajo mund të kurojë kancerin, diabetin apo HIV-AIDS.

Kërkimet shkencore të kryera deri më tani tregojnë se nuk ka një kurë për HIV-in, por mund të trajtohet dhe mbahet nën kontroll me trajtimin e HIV-it. As për AIDS nuk ka një kurë, por medikamentet janë efektive në luftimin e HIV-it dhe komplikacioneve të tij.

Gjithashtu nuk njihen deri më sot kura të provuara shkencërisht për asnjë lloj kanceri, por ka trajtime që mund ta shërojnë atë. Edhe nga kërkimet shkencore të kryera, nuk ka një kurë për diabetin.

Lajme të tilla, që trajtojnë tema delikate të shëndetit të qytetarëve, duhet të tregojnë kujdes të shtuar dhe një informacion të plotë për lexuesit, në mënyrë që të mos rrezikojë shëndetin e tyre. Fatkeqësisht, në raste te tilla mbizotëron dëshira për marrjen e sa më shumë klikimeve, përpara misionit për të informuar në mënyrë të saktë lexuesit.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img