.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookTeknologjia 5G nuk ka lidhje me Covid dhe tragjedinë në Korenë e Jugut

Teknologjia 5G nuk ka lidhje me Covid dhe tragjedinë në Korenë e Jugut

Tragjedia e vdekjes së 153 personave në Seul të Koresë së Jugut gjatë festimeve të Halloween nuk është shkaktuar nga vaksiniim anti-covid apo aktivizimi i rrjetit 5G. “Faktoje” verifikoi se lajmi i publikuar në portalin idealistial.blogspot.com është i pavërtetë, pjesë e teorive konspirative me qëllim dezinformimin e publikut.

 

Një video e ndihmës së shpejtë ndaj viktimave të festimeve të Halloween në Korenë e Jugut ka shërbyer për të ushqyer teorinë konspirative për një sulm të qëllimshëm më valë 5G ndaj turmës së të rinjve. Portali idealisti-al e shoqëron videon e publikuar në 29 tetor, me një postim që mbështet një teori të vjetër që lidh vdekjet masive me vaksinën anti-covid dhe teknologjinë e re të celularëve.

Ajo që ndodhi në Seul (Koreja e Jugut) të shtunën ku vdiqën 153 persona duke festuar Hallowinin, sipas mendimit tim është për shkak të aktivizimit të qëllimshëm të 5G e cila bëhet vdekjeprurëse tek të v@ksinuarit me disa doza” – shkruhet në tekstin që shoqëron videon e tragjedisë nga ky portal.

Autori i postimit pretendon gjithashtu se aktivizimi i valëve vdekjeprurëse ka ardhur menjëherë pasi Koreja e Jugut kishte hequr të gjitha masat anti Covid, në formë ndëshkimi për të rinjtë që tubohen në grupe kaq të mëdha.

Kjo nuk është hera e parë që teknologjia e 5G bëhet pjesë e teorive konspirative të pabaza, sipas së cilës përforcuesit e transmetimit të sinjalit të celularëve në bandën 5G mund të aktivizojnë efektin e oksidit të grafenit, substancë që sipas dezinformatave është në përbajtje të vaksinave kundër Covid-19, duke shkaktuar vdekjen e personave të vaksinuar.

“Faktoje” sjell një sërë argumentash për të rrëzuar mbi baza shkencore dhe logjike këto aludime në rrjet. Teknologjia 5G, teknologji që përfaqëson evolucionin e transmetimit të shpejtë dhe në sasi të madhe të të dhënave të telefonave celularë, nuk është e dëmshme për shëndetin e njeriut. Diskutimi mbi këtë teknologji ka qënë më shumë në sigurinë e informacionit të transmetuar duke sjellë një bllokadë në SHBA dhe disa vende të Evropës, sic ishte dhe rasti i Shqipërisë, për kompanitë kineze që ofruan shërbimin 5G të telefonisë. Kjo teknologji nuk ka asnjë lidhje me oksidin e grafitit, një substancë derivat i grafitit.

Gjithashtu, nuk ka ndonjë studim apo shkencëtar serioz që të ketë provuar se vaksinat anti-covid kanë në përbërje të tyre grimca të grafitit, ashtu siç pretendohet nga konspiracionistët.

Kolegët tanë të verifikimit të fakteve nga “Newtral” dhe “Facta”, kanë provuar më parë se grafiti dhe oksidi i tij, nuk janë pjesë e përbërjes së vaksinës dhe aq më pak, nuk kanë asnjë lidhje me fusha të mundshme magnetike, ashtu siç pretendohet në këto teori që qarkullojnë në rrjet.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

 

 

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img