.

.

BallinaPertejTeatri Kombëtar në mediat më prestigjoze ndërkombëtare

Teatri Kombëtar në mediat më prestigjoze ndërkombëtare

Shembja e Teatrit Kombëtar në Tiranë që tronditi të dielën e gjithë vendit i ka tejkaluar kufinjtë e Shqipërisë duke bërë jehonë kudo nëpër botë. Lajmi për shkatërrimin e një institucioni kulturor që nxiti protesta dhe revoltë është raportuar nga një sërë mediash prestigjoze si The New York Times, The Washington Post e duke vazhduar në Europë me France 24 apo Reuters.


The New York Times

The New York Times i ka kushtuar dy artikuj në hapësirën e saj dixhitale zhvillimeve të sotme në Shqipëri. FIllimisht është ndalur tek reagimet që ka shkaktuar shembja e Teatrit Kombëtar, me një artikull nën titullin “Shembja e Teatrit Kombëtar Shqipëtar nxit protesta të acaruara”. Këtë lajm e ka marrë nga agjencia londineze e lajmeve Reuters, për të cilën e ka shkruar gazetari Benet Koleka. Lajmi fokusohet në shembjen e Teatrit gjatë natës, si dhe tërheqjen zvarrë të aktivistëve dhe artistëve për të arritur që të depërtonte në godinë. Në lajm pasqyrohen edhe reagimet e Aleancës për Teatrin, kryetarit të opozitës Lulzim Basha, Presidentit Meta. Nuk lihet pa përmendur as arrestimi i gazetarit Alfred Lela.

Lajmi i dytë çelet me përplasjen mes policisë dhe protestuesve, nën titullin “Protestuesit shqiptarë dhe policia përplasen për shembjen e Teatrit”. I shkruar nga gazetari Llazar Semini për The Associated Press, fillon me detaje se si herët në mëngjes policia tërhoqi liderët e opozitës dhe një grup artistësh për të futur makineritë e rënda që të shembte Teatrin. Më tej vijon duke specifikuar se e gjitha kjo ndodhi ndërkohë që vendi është në shtetrrethim për shkak të koronavirusit duke mos lejuar grumbullimet masive. Vihet gjithashtu theksi në teatrin e ri që do të ndërtohet, me një vlerë prej 30 milionë eurosh.

The Washington Post

Në ndryshim nga kolegët njujorkezë, gazeta elitare amerikane i ka kushtuar një artikull në hapësirën e saj dixhitale shembjen e Teatrit Kombëtar. Edhe Washington Post e ka marrë lajmin nga Associated Press, i shkruar nga zoti Semini. Pas vlerës prej 30 milionë eurosh, artikulli ndalet më tej në historikun e Teatrit, emrat e shumtë përgjatë ekzistencës së saj 81-vjeçare, nga Lufta e Dytë Botërore e deri në ditët e sotme kur pushoi se qëndruari pranë Bulevardit Dëshmorët e Kombit. Në vazhdimin e shkrimit janë përmendur edhe reagimet e liderëve shqiptarë, si dhe qëndrimi i Bashkimit Europian, i zhgënjyer nga shembja në një kohë kur kishte bërë thirrje për bisedime me shoqërinë civile.

ABC News

Ndër mediat amerikan, edhe kanali informativ i rrjetit ABC, ABC News është ndalur në të dielën e trazuar shqiptare. Si NYT dhe WP, edhe ABC Neës ka marrë lajmin që zoti Semini ka shkruar për The Associated Press, me foton e parë që fokusohet në përplasjen mes policëve dhe protestuesve.

France 24

Televizioni publik i lajmeve, i vendosur në Paris, ka vënë gjithashtu theksin në përplasjen mes policisë dhe protestuesve, nën titullin “Protestuesit shqiptarë përplasen me policinë mbi Teatrin”, i ngjashëm me atë të Associated Press. Lajmi nis me shoqërimin në polici të rreth 40 personave, ku përfshihen edhe mbështetës së opozitës, për shkak të përplasjeve që kanë lindur nga shembja e Teatrit. France 24 raporton se në ndryshim nga pjesa më e madhe e protestuesve, policia po përdorte maska për fytyrën. Televizioni francez i lajmeve vë gjtihashtu theksin në një thirrje që nuk mungon në një pjesë të mirë të lajmeve ndërkombëtare, “Poshtë diktatura!”.

Le Iene/Mediaset

Në vendin fqinj, shembja e teatrit është mbuluar nga hapësira online e emisionit Le Iene, që transmetohet në rrjetin Mediaset. Le Iene e shoqëron gjithashtu me një video të momenteve kur fadroma ka goditur pjesën ballore të Teatrit Kombëtar, ndërsa titullin e fillon me emrin e kryeministrit: “Rama shemb Teatrin Kombëtar Shqiptar: shpërthen revolta”. Faqja italiane e çel edhe trupin e lajmit me betejën e kryeministrit për Teatrin, ku thekson se kryeministri shqiptar e ka shembur Teatrin historik Kombëtar pas një beteje më shumë se dy-vjeçare.

JOEL ÇELA

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img