.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookTë rreme provat për shkaktimin e qëllimshëm të tërmetit në Turqi

Të rreme provat për shkaktimin e qëllimshëm të tërmetit në Turqi

Teoria e çuditshme se Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë pas tërmetit në Turqi vijon të krijojë ndjekës dhe prodhojë  klikime në mediat sociale. “Faktoje” dëshmon edhe njëherë përse janë të pabaza faktet e sjella si prova për një armë tërmet-shkaktuese në duart e njerëzimit. 

————-

Një video e postuar në Instagram nga llogaria fakte.te.frikshme insinuon se tërmeti që goditi Turqinë më 6 shkurt 2023 kishte të bënte me sistemin HAARP. Video ka marrë mbi 3 mijë pëlqime. 

Video fillon me pamje të presidentit amerikan Joe Biden që thotë “Turqia është problemi i vërtetë këtu, dhe unë do të kisha një bisedë të vërtetë të mbyllur me Erdoganin duke ia bërë të ditur se do të paguajë një çmim të rëndë për atë që ka bërë.” Insinuata, këtu, duket se është që Biden ka përdorur sistmein HAARP për të shkaktuar tërmetin e 6 shkurtit si ‘ndëshkim’.

Fillimisht, “Faktoje” zbuloi se në kohën kur ka thënë fjalët e mësipërme, Biden nuk ishte ende president i ShBA. Deklarata e tij është bërë gjatë një debati në 2019 për garën presidenciale, në të cilën kandidonte. Debati ndodhi një javë pas ofensivës turke në Sirinë veriore, gjë të cilës i referohen dhe fjalët e ashpra të Biden. Në momentin kur forcat rebele kurde po përballeshin me regjimin e ashpër të Asad dhe ish-presidenti Trump urdhëroi tërheqjen e trupave amerikane nga rajoni, Turqia përfitoi që të hynte me trupa të rënda ushtarake në territoret kufitare me Sirinë, me synim ndalimin e krijimit të një shteti të pavarur kurd. 

Klipi i dytë tregon një re me formë të pazakontë që pretendohet se është filmuar përpara tërmetit të 6 shkurtit.

Kjo re u shfaq vërtet në Bursa të Turqisë në fund të Janarit, por nuk ka të bëjë aspak me tërmetin e 6 shkurtit. Këto lloj resh quhen re lentikulare dhe shfaqen nganjëherë në afërsi të maleve të larta, si mali Uludağ që qëndron 22 km larg Bursës dhe është mbi 2500 metra i lartë. Re të këtij lloji janë shfaqur edhe më parë në vende të tjera dhe nuk kanë asnjë lidhje me tërmete.

Video vijon me pamje të dritave “të çuditshme” që janë filmuar në Turqi para tërmetit. Siç “Faktoje” ka shpjeguar dhe më parë, ky fenomen është dëshmuar që në vitet 800 në Japoni, mbi njëmijë vjet përpara se sistemi HAARP të ekzistonte. 

HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane në vitin 1993, dhe i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015. Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.

“Faktoje” ka përgënjeshtruar pretendimin se HAARP ka shkaktuar apo mund të shkaktojë tërmete edhe më parë këtu dhe këtu.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img