.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookTë rreme pretendimet për inskenim të sulmit me armë në shkollën në ShBA

Të rreme pretendimet për inskenim të sulmit me armë në shkollën në ShBA

Pas masakrës së 27 marsit në Tenessee të ShBA, ku mbetën të vdekur 6 persona, tre prej tyre fëmijë 9-vjeçarë, rrjeti po rizgjon teoritë konspirative se ky sulm ishte i inskenuar me qëllim kontrollimin e armëve në ShBA. Verifikimi i “Faktoje” shpjegon pse ky pretendim është i pabazë.

————————————-

Në 27 mars, 28-vjeçarja Audrey Hale hyri në shkollën fillore The Covenant School, në Nashville, Tenessee, dhe qëlloi me armë zjarri, duke vrarë tre fëmijë 9-vjeçarë dhe tre punonjës të shkollës. Hale u vra nga policia.

Në rrjetet sociale po qarkullon pretendimi se kjo masakër ishte në të vërtetë një operacion i inskenuar për të ndryshuar opinionin publik amerikan kundrejt armëve me qëllim miratimin e legjislacionit apo politikave qeveritare që do të kufizonin apo eleminonin krejtësisht përdorimin e armëve në ShBA.

Një video e marrë nga kamerat e sigurisë së shkollës tregon momentet e para kur Hale hyri në shkollë. Në video, korridoret e shkollës duken bosh. Kjo sillet si provë se “brenda shkollës në Nashville, Tenesi, siç mund të shihet në video, nuk ka absolutisht asnjë person student, mësues apo dikush që mund të shihet gjëkundi” e, si rrjedhim, kemi të bëjmë me një “operacion psikologjik për mbledhjen e armëve në SHBA”.

Siç tregohet në video, Hale ka hyrë në shkollë në orën 10:11 paradite. Video përfundon në orën 10:21. Fakti që gjatë 10 minutave, brenda orës së mësimit në një shkollë fillore, nuk shihen fëmijë apo punonjës në korridoret që paraqiten në video, nuk është provë e mjaftueshme për të mbështetur pretendimin e jashtëzakonshëm se kjo masakër nuk ka ndodhur, por është inskenuar si pjesë e një komploti kundër armëve. 

Pas sulmeve të shpeshta të personave të armatosur, shkollat në ShBA kanë hartuar plane të detajuara për përballimin e këtyre situatave. Një prej taktikave kryesore për të cilin stërviten mësuesit dhe fëmijët është dhe lockdoën apo bllokimi, i cili përdoret kur ka një rrezik brenda ndërtesës së shkollës.

Një bllokim përfshin sigurimin e çdo dhome duke mbyllur derën dhe duke i drejtuar njerëzit që të largohen nga dritaret dhe dyert. Korridoret janë pastruar nga nxënësit dhe stafi i shkollës. Nxënësit mbahen në klasat e tyre ose në zona të tjera të siguruara në shkollë derisa të përfundojë bllokimi”, shpjegohet kjo masë në një prej këtyre planeve të emergjencave të publikuar nga Akademia Amerikane e Pediatrëve. 

Në fjalët e shkencëtarit Carl Sagan, pretendime të jashtëzakonshme duhet, detyrimisht, të shoqërohen me prova të jashtëzakonshme.

Një zëdhënëse e departamentit të policisë së Nashville tha për USA Today se pretendimet e një operacioni të inskenuar janë të rreme.

Video nga kamerat e trupit të policisë tregojnë oficerët duke mbërritur në shkollë dhe përmban pamje të një prej viktimave.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img