.

.

BallinaProjekteYOUTH RAPTë rinjtë në Dibër kundër fenomenit të martesave të hershme

Të rinjtë në Dibër kundër fenomenit të martesave të hershme

Martesa e fëmijëve mbetet një dukuri e pa hulumtuar mirë në Shqipëri. Edhe pse një fenomen gjithmonë dhe më pak prezent, ende në disa zona të vendit, kjo dukuri vijon të ekzistojë. Në Dibër kjo problematikë, ndoshta nuk thuhet me zë të lartë, por ekziston dhe ndikon në jetën e të rejave që jetojnë kryesisht në zonat e thella rurale. 

Antea Kodra

Martesa e fëmijëve mbetet një dukuri e pa hulumtuar mirë në Shqipëri. Në Dibër kjo problematikë, ndoshta nuk thuhet me zë të lartë, por ekziston dhe ndikon në jetën e të rejave që jetojnë kryesisht në zonat e thella rurale. 

Xh.L nga Kondri i Dibrës, pranon se ka lidhur kurorë me bashkëshortin e saj në moshën 14-vjeçare dhe kjo martesë kishte ardhur si pasojë e imponimit nga familja e saj. Bashkëshortin nuk e ka njohur deri në momentin e martesës. Sa i përket arsimit, ajo tregon se ka ndjekur shkollën fillore deri në klasë të katërt. Megjithatë, ajo tregon se ka patur një martesë të lumtur, pavarësisht moshës së hershme në të cilën ajo është martuar. 

Çfarë mendojnë të rinjtë sot për këtë fenomen?

Të rinjë në Dibër pranojnë se sot shumë prej tyre janë të ndërgjegjësuar dhe kundër kësaj praktike, edhe pse njohin raste të vajzave të martuara në moshë të mitur, ato këmbëgulin që të ngrenë zërin për këtë fenomen.

“Gjendja psikologjike e këtyre fëmijëve është në rrezik pasi këto martesa të hershme shkaktojnë dëme të mëdha psikologjike dhe ndikojne për keq në formimin e këtyre të rejave”- shprehet Sea një e adoleshente nga Dibra.

Por për Edën gjithashtu është shumë e rëndësishme që të rejat, por dhe prindërit e tyre, të informohen  për legjislacionin dhe të drejtat që fëmijët kanë:

“Ka ligje që ndalojnë këto martesa dhe mbrojnë këto fëmijë nga shkelja e të drejtave të tyre”-, shprehet e reja nga Peshkopia.

“Për të gjithë ne është shumë e rëndëishme që të japim kontributin tonë për të parandaluar këtë fenomen. Po të hasja një martesë të hershme në përditshmëri, do përpiqesha që të bindja minorenin/en që të kërkonte ndihmë në instancat e nevojshme”- na thotë Melisa. 

Por, nga ana tjetër, edhe djemtë kanë një qasje tepër të sinqertë për sa i përket këtij fenomeni. Sidriti, një 13-vjeçar ndau mendimin e tij duke theksuar se këto martesa duhen të jenë një e shkuar, por jo më një e tashme. “Ne si adoleshentë duhet të ndërmarrim më shumë kauza për ndërgjegjësim dhe duhet të ngremë zërin më tepër për të mbrojtur të drejtat e këtyre fëmijëve që ndonjëherë e gjejnë veten të pafuqishëm kur përballen me tradita dhe fenomene kaq të prapambetura”, – shprehet 13-vjeçari.

Për adoleshentin Gazmend Fishti martesat e hershme janë një praktikë që gjendet kryesisht në zonat rurale. Ky fenomen në fshatin Vrënt ku ai jeton, një ndër fshatrat më të thella të zonës së Dibrës, nuk është i panjohur.  “Raste të tilla ka, edhe pse kohët e fundit, numri i martesave të hershme ka pësuar rënie, megjithëse jo eleminim.” – shprehet Gazmendi.  Ai pohon se shkolla ka luajtur një rol themelor në uljen e numrit të martesave të hershme. Televizioni ose gazetat kanë qenë gjithashtu një faktor, sado i vogël, i uljes së këtij numri. 

Fenomeni në sytë e psikologes së shkollës

Për të kuptuar më shumë rreth kësaj problematike folëm pak më gjatë me një psikologe në një nga shkollat 9-vjeçare në Dibër.

“Mësuesit ose psikologët në Dibër nuk e hasin shpesh këtë si problematikë. Rastet të tillahasen në zonat e thella, ku edhe përqendrimi i psikologëve dhe mësuesve duhet të jetë më i madh”, shprehet psikologia R. 

“Unë, si mësuese dhe psikologe, mendoj se në shoqërinë ku ne jetojmë nuk ka më vend për fenomene të tilla të cilat nuk kanë më një domethënie. Ne si mësues dhe psikologë duhet të jemi shumë të kujdesshëm me fjalët që themi dhe me mesazhet që përcjellim tek brezi i ardhshëm,” përfundoi fjalën psikologia.

Elma Tërshana, drejtore e Observatorit për të Drejtat e Fëmijëve dhe të Rinjve, që është marrë me studimin e këtij fenomeni, shprehet se megjithëse Observatori ka arritur të zhvillojë disa studime mbi këtë çështje, në çdo rast nuk janë arritur që të shterohen shumë pyetje mbi fenomenin e martesave të hershme.

Nga një raport i Observatorit për të Drejtat e Fëmijëve dhe të Rinjve mbi martesat e hershme rezulton që më të prekurat nga ky fenomen janë vajzat. Ato martohen nga familjet e tyre për shkaqe ekonomike, tradicionale, fetare, dhe presioni shoqëror. Në vitin 2017, 16.9% e martesave të regjistruara përfshinin bashkëshorte nën 19 vjeç. Duke qenë se këto shifra nuk llogarisin vetëm martesat e regjistruara në shtet, ato nuk japin një pamje të saktë të përhapjes së martesës së fëmijëve në Shqipëri. Si pranon dhe vetë raporti, martesa e fëmijëve mbetet një dukuri e pa hulumtuar mirë në Shqipëri. Të dhënat e hollësishme më të fundit, mbledhur në 2009 nga Ankesa Demografike dhe Shëndetësore, zbuloi se 9.6% e grave 20-24 vjeç ishin martuar para ditëlindjes së tyre të 18-të dhe 7.4% e vajzave 15-19 vjeç ishin, në kohën e anketimit, të martuar ose jetonin në bashkim.

Pyetur nga “Faktoje”, bashkia e Dibrës na bëri me dije se, nga viti 2017 në vitin 2022, në këtë bashki ka patur 2237 martesa, por në të gjitha rastet bashkëshortët ishin mbi 18 vjeç. Nuk mund të thuhet nëse kjo vjen sepse fenomeni i martesave të hershme është zhdukur, apo sepse këto martesa thjesht nuk janë regjistruar në institucionet shtetërore.

Shkrimi publikohet në kuadër të projektit #YOUTHRAP, një bashkëpunim i #Faktoje me IREX Albania për të nxitur të rinjtë që jenë kërkues të së vërtetës dhe verifikues të fakteve.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img