Pretendimi: Kjo video tregon kryeminstrin Rama duke qarë nga nervat gjatë komunikimit lmë ndjekësit
Verdikti: Video e manipuluar
Një video e përplasjes së grushtave në tavolinë e kryeministrit Edi Rama gjatë komunikimit live me ndjekësit mbi arrestimin e kryetarit të bashkisë Tiranë, u bë virale në portale dhe mediat sociale.
Megjithatë, përtej memeve që kanë shpërthyer në rrjetet sociale të lidhura me këtë moment acarimi, nuk mungojnë edhe videot e manipuluara nga Inteligjenca Artificiale apo programe të tjera kompjuterike. Një version i momentit të shpërthimit të nervave mbi tavolinën është publikuar së fundi në rrjetin Facebook, ku kreu i qeverisë shfaqet duke qarë.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Për një sy të stërvitur mund të kuptohet lehtë që këto pamje janë të modifikuara. Në videon reale, e cila është në faqen e Facebook të kryeministrit dhe në media të tjera online, shihet Rama teksa në një moment mendon se humb lidhjen live me ndjekësit. Pas këtij momenti ai tërhiqet pas me karrige, vë duart në kokë dhe i bie tavolinës. Më pas shpërthen në ofendime.
Ndërsa, në videon e edituar shihet teksa është përsëritur disa herë momenti i goditjes së tavolinës nga Rama si dhe janë shtuar nëpërmjet programeve komputerike disa veprime të tjera, që nuk kanë ndodhur, referuar pamjeve nga video reale e kryeministrit.
Në lidhje me këtë incident live, ka reaguar vetë kryeministri Edi Rama. Më anë të një videomesazhi ai është shprehur ndër të tjera se këto janë reagime normale, kur dikush i bën punët me pasion.
“Më vjen shumë mirë që ka mbetur në Instagram ai moment, sepse është momenti që ndan kush është këtu me shpirt, kush është këtu me zemër, kush është këtu i gjithi njësoj si ata trajnerët tek vija e bardhë që nxisin skuadrën, që luftojnë për skuadrën, që i bien kokës me grushte kur skuadra nuk bën golin dhe nga ana tjetër, m’u kujtua oguri i mirë i asaj sëpatës.
Në ditët në vijim edhe vetë kryeministri është përpjekur ta kthejë në një ngjarje gazmore këtë incident duke goditur tavolinën përsëri.