Një interpretim i pasaktë i rezultateve të Censusit të fundit në Britani ka shërbyer si pikënisje e një lajmi të pasaktë në portalet shqiptare. Është e vertetë se përqindja e praktikantëve të krishterë të deklaruar ka rënie, por ata nuk përbëjnë një minoritet në krahasim me fetë e tjera të praktikuara.
—–
Nevila Gjata
Zyra për Statistikat Kombëtare në Angli dhe Uells regjistroi në censusin e pak ditëve më parë 46.2 për qind të popullsisë si e krishterë, në krahasim me 59.3 përqind referuar regjistrimit të fundit të vitit 2011.
Më pak se gjysma e popullsisë e konsideroi veten të krishterë në 2021 dhe kjo përmbysje shifrash (për herë të parë për të krishterët në Angli dhe Uells) u interpretua gabimisht në disa media duke i mveshur edhe konotacion fetar. Lajmi i portalit Pasqyra, i publikuar në 4 dhjetor, njofton në titull: “Elhamdulilah, Shtohen myslimanët, krishterët për herë të parë minoritet në Angli”, duke cituar në përmbajtje një përkthim të marrë nga faqja e Top Channel, e cila vetë ka si burim një shkrim të BBC.
Por ndryshe nga sa raportohet, në artikullin e BBC ky raport i ri i shifrave për të krishterët nuk është interpretuar si minoritet për këtë kategori.
Bazuar në Konventën Kuadër të Këshillit të Europës, minoritetet janë grupe pakicash kombëtare që shfaqin karakteristika dalluese kulturore, etnike, gjuhësore, fetare nga vendi ku ata jetojnë. Dhe ky nuk është rasti i të krishterëve në Anglisë.
Aty, të krishterët janë më pak apo në minorancë krahasuar me numrin e të deklaruarëve si të tillë në censusin e vitit 2011, që ishin më shumë se gjysma e popullsisë, (tani nuk e kalojnë) por jo në raport me fetë e tjera që praktikohen në Angli dhe Uells.
Shkrimi në fjalë i portalit shqiptar lë të kuptohet gjithashtu në titull se në mazhorancë në Angli dhe Uells janë myslimanët, duke vendosur përpara edhe fjalë të shkëputur nga Kurani (Elhamdulilah) të përdorura në shenjë mirënjohje ndaj Allahut.
Sipas Zyrës për Statistikat Kombëtare në Angli dhe Uells numri i popullsisë myslimane është rritur nga 4.9 për qind në 6.5 për qind krahasuar me censusin e fundit të vitit 2011. Rritje kanë patur edhe praktikantët e feve të tjera si budistët, hindutë, hebraikët, sikhët si dhe disa degë të tjera më të vogla fetare.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin