BallinaFaktometerE PavërtetëMjekë të rremë këshillojnë shitjen e medikamentit kundër cistitit

Mjekë të rremë këshillojnë shitjen e medikamentit kundër cistitit

Një tjetër artikull që hiqet si këshillë mjekësore nga mjekë të mirëfilltë reklamon një preparat që pretendon se shëron cistitin dhe mosmbajtjen e urinës tek gratë. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se ky artikull përmban një sërë elementesh të rreme që përdoren për të mashtruar lexuesin për të shitur një produkt.

—————————————-

Reklamimi i medikamenteve në formën e këshillave mjekësore nga mjekë të rremë është një nga format e dizinformimit të qëllimshëm në rrjet. I tillë është dhe artikulli që shfaqet në 9 dhjetor në Facebook, nën titullinMosmbajtja urinare dhe cistiti tek femrat çojnë në kancer të hershëm të qafës së mitrës. Mos jini indiferentë ndaj shëndetit tuaj! “- Urologu flet se si të shpëtojmë nga sëmundjet e mëdha të grave”. 

Ai është shkruar në formën e një interviste më mjeken Dr. Elizabeth Wilson, kryeurologe në Qendrën Britanike për Urologji dhe Gjinekologji. Por, një kërkim i shpejtë në Google zbulon se nuk ekziston asnjë urologe me këtë emër, ndërsa Qendra Britanike për Urologji dhe Gjinekologji ndoshta është përkthim i gabuar i Shoqërisë Britanike të Urogjinekologjisë. Megjithatë, në kryesinë e kësaj të fundit nuk figuron asnjë mjeke e quajtur Elizabeth Wilson

Për më tepër, kur “Faktoje” kërkoi foton e përdorur në artikull në Google Reverse Image Search, rezultoi se ishte fotoja e një mjekeje bjelloruse, Olga Antonova, e cila është uroandrologe, pra mjeke e sistemit urinar dhe riprodhues mashkullor.

Në përgjigjen kryesore të ‘intervistës’ mjekja ‘Wilson’ këshillon gratë shqiptare të përfitojnë nga “programi i përfitimit “Shëndeti i grave”, i cili u jep atyre të drejtën për të marrë Cistat,” Cistat duket se është arsyeja për vetë ekzistencën e këtij artikulli të rremë. Çuditërisht, ky mjekim nuk gjendet në farmaci dhe mund të porositet vetëm duke dhënë të dhënat personale si emri, mbiemri dhe numri i telefonit. 

Për ta bërë edhe më të besueshëm artikullin, apo ekzistencën e këtij produkti, faqja përfshin edhe një sërë komentesh gjasme nga përdorues të vërtetë të këtij produkti që dëshmojnë për efikasitetin e tij. Megjithatë, duke lexuar këto komente, shpejt bëhet e qartë nga shqipja e shformuar që përdorin se nuk kemi të bëjmë me fjalët e personave të vërtetë por tekste të përkthyer keq.

Përdorimi i mediave online për të shitur produkte të caktuara për shëndetin është kthyer në një shqetësim serioz. Në një sërë artikujsh, “Faktoje” ka treguar se si portalet po përpiqen të mashtrojnë qytetarët, duke përdorur mjekë të rremë, me qëllim që ta bëjnë sa më të besueshëm për lexuesit online.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img