Pajisjet ushtarake të NATO-s nuk po shkojnë në Ukrainë, siç pretendohet në videot që po qarkullojnë në rrjetet sociale. “Faktoje” rendit faktet që tregojnë se pajisjet i përkasin ekipit luftarak të Brigadës së 3-të të Blinduar, Divizioni i Parë i Kalorësisë, i cili ishte në Poloni për operacionin ‘Atlantic Resolve’, një mision ushtarak i SHBA-së për të mbështetur Evropën dhe aleatët e NATO-s.
Një video e realizuar në një portet polake ku janë pozicionuar mijëra mjete ushtarake është shpërndarë në rrjetet sociale më 3 mars duke aluduar se pajisjet ushtarake të NATO-s do të shkojnë në Ukrainë.
“Pajisjet ushtarake të NATO-s mbërrijnë në Poloni. Një pjesë e tyre do të shkojnë më tutje, në Ukrainë. Mos harroni se këta legenët e NATO-s i premtuan Gorbaçovit në 1991 se nuk do të shtriheshin asnjë centimetër drejt Lindjes”, shkruan profili në Facebook “Investiguesi Shkrimor”.
Screenshot, postimi në rrjetet sociale
Në video shfaqen një sërë automjetesh ushtarake të vëna në rresht njëra pas tjetrës jashtë një magazine logjistike në një port detar në Gdynia, në bregdetin Baltik.
Por, si është e vërteta e kësaj videoja që po qarkullon në rrjet? Në një kërkim të bërë në Google me fjalë kyçe, rezulton se koloneli i ushtrisë Martin O’Donnell, zëdhënës për Ushtrinë e SHBA-së në Evropë dhe Afrikë i tha Associated Press se video tregon pajisje ushtarake që i përkasin ekipit luftarak të Brigadës së 3-të të Blinduar, Divizioni i Parë i Kalorësisë. Brigada ishte vendosur në Evropë dhe së fundi po kthehet në SHBA.
Në një postim në Twitter më 4 mars, Baltic Security sqaronte: “Pajisjet që i përkasin ushtrisë amerikane, ekipi Luftarak i Brigadës së 3-të të Blinduar, Divizioni i Parë i Kalorësisë u organizua në Portin e Gdynia, Poloni, në përgatitje për ridislokimin në Shtetet e Bashkuara, pasi kishte shërbyer në Operacionin ‘Atlantic Resolve’ në 22 shkurt 2023”.
Sipas AP, ekipi luftarak me rreth 4.200 ushtarë, u vendos në Evropë për nëntë muaj. Ata u larguan nga SHBA në fillim të verës së kaluar dhe filluan vendosjen e tyre në zonën e trajnimit ‘Drawsko Pomorskie’ në Poloni. Brigada nisi përgatitjet për rikthimin në shtëpi në Fort Hood, Teksas, në muajin shkurt.
O’Donnell tha se që nga e marta, pajisjet ushtarake janë duke u ngarkuar në një anije dhe së shpejti do të zhvendosen për në SHBA.
Videot të tjera të mëparshme dëshmojnë se pajisjet e Brigadës së 3 të ushtrisë amerikane, mbërritën në Gdynia, më 3 dhjetor 2022, sipas fotove dhe videove të publikuara nga njësia mediatike e Departamentit të Mbrojtjes. Pamjet tregojnë ushtarë që shkarkojnë pajisjet nga një anije ushtarake e ankoruar në një port.
SHBA ka dërguar më shumë se 32 miliardë dollarë armë dhe pajisje ushtarake në Ukrainë. Në janar, Biden njoftoi se SHBA do të dërgojë 31 tanke luftarake “M1 Abrams” në Ukrainë, por ato ende nuk janë dorëzuar në Ukrainë.