Lajmi se në Zelandën e Re janë evidentuar 400 vdekje të lidhur me një vaksinues të vetëm anti-Covid është i pakonfirmuar. Verifikimi i Faktoje zbuloi se autoritetet vendase raportojnë vetëm katër vdekje që kanë patur lidhje me vaksinimin anti-Covid.

————————————————–

Në hapësirat online anti-vaksinim po shpërndahet një video në të cilën Liz Gunn, një ish-gazetare dhe kandidate e një partie të vogël politike në Zelandën e Re, pretendon se ka parë një rast kur 400 vdekje ishin të lidhura me një vaksinues anti-Covid.

Gunn nuk jep asnjë provë apo referencë për këtë pretendim shokues, dhe as nuk tregon si ka arritur ta zbulojë këtë informacion. Këto deklarata janë bërë në prag të zgjedhjeve parlamentare në Zelandën e Re dhe mesa duket kandidatja e partisë së vogël ka tentuar të tërheqë vëmendjen e zgjedhësve. 

Kjo nuk është hera e parë që Gunn bën pretendime të tilla pa ofruar asnjë provë mbështetëse. Në një tjetër video, ajo pretendoi se dhjetëra mijëra vdekje në Zelandën e Re janë të lidhura me vaksinën anti-Covid.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë e Zelandës së Re dhe Qendra Konsultore e Imunizimit thanë për Australian Associated Press se këto pretendime nuk kanë bazë në realitet.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Zelandës së Re, deri më tani ka patur gjithsej 4 vdekje, të cilat mund të kenë lidhje me vaksinën anti-Covid.

Qendra Konsultore e Imunizimit, e cila koordinon programet për dhe hulumtimin mbi vaksinimin, tha se nuk kishte evidentuar grupe vdekjesh të lidhura me një klinikë, dhe nëse një gjë e tillë do të shfaqej, “do të hetohej urgjentisht për të identifikuar shkakun e tyre.”