Një grua shtatzënë në Izrael u qëllua nga të afërm të saj dhe jo për shkak të urrejtjes etnike, siç aludohet në postimet e shpërndara në rrjetet sociale. Informacione të tilla të rremë kanë si qëllim të nxisin edhe më tej urrejtjen në këto kohë të vështira mes dy vendeve.
Postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë pretendojnë se një grua palestineze është qëlluar për vdekje me thikë nga një izraelit në 29 nëntor në qytetin e Lod në Izrael.
“Po dërgonte fëmijët e saj në shkollë. Nëna palestineze shtatzënë vritet me goditje disa herë me thika nga një çifut. Dhe sigurisht ai nuk do të jetë i arrestuar sepse nuk e kap ligji, pasi ligjet çifute nuk penalizojnë asnjë cifut që vret një palestinez për faktin se e konsiderojnë vetëmbrojtje”-shkruajnë përdorues në rrjetet sociale.
Postimi i shpërndarë në rrjetet sociale
Postimi është shoqëruar edhe me një video, ku tregohet momenti i kryerjes së krimit të rëndë. Në lidhje me këto pamje, Faktoje vendosi të bëjë një verifikim, fillimisht duke kërkuar në Google, nëse kishte raportime në mediat e huaja për ngjarjen e ndodhur.
Sipas “The Time of Israel” një grua shtatzënë, arabo-izraelite, u qëllua për vdekje të enjten në mëngjes në Lod. Nëna dhe foshnja që kishte në bark humbën jetën pas këtij sulmi barbar. Për këtë krim, policia ka ndaluar vëllain dhe babanë e vajzës, të cilët akuzohen për vrasjen e saj. Gruaja 24-vjeçare është identifikuar si Aya Abu Hajjaj dhe jetonte në Lod në Izrael.
“Pamjet e kamerave të sigurisë të shpërndara në mediat sociale tregojnë agresorin që ndiqte gruan, rreth të 20-ve, teksa ajo ecte në rrugë me dy fëmijët e saj të vegjël. Disa orë pas goditjes me thikë, policia arrestoi dy të afërm të gruas, një nga Lodi dhe një nga një fshat beduin, të dyshuar për përfshirje në vrasjen e dyshuar”-raportojnë mediat e huaja.
Ndryshe nga çfarë pretendohet, nuk kemi të bëjmë me një krim urretje për shkak të etnisë, por me një krim në familje. Ngjarje të tilla përdoren për t’i fryrë më shumë luftës, ndërsa dy vendet nuk po gjejnë paqe.