Pretendimi: Suedia ka paguar 10 milionë euro për të shpëtuar një shtetas të saj nga dënimi me vdekje në Irak
Verdikti: E pavërtetë
——————————————————-
Një numër mediash dhe portalesh shqipfolëse kanë raportuar javën që shkoi se qeveria suedeze i ka paguar 10 milionë euro Irakut për të shpëtuar 19-vjeçarin Xhuliano Prenga nga dënimi me vdekje.
Xhuliano Prenga, me prejardhje shqiptare dhe nënshtetësi suedeze, më 8 janar qëlloi dhe vrau nënshtetasin iraken Mustafa Aljiburi, i njohur me nofkën “Benzema”.
Duket se të gjithë këto artikuj i referohen të njejtit burim, një interviste që ka dhënë gazetari shqiptar me banim në Suedi, Ervin Dushi, i cili citohet të ketë thënë:
“Ai vazhdon të jetë në Bagdad në burg dhe e vetmja e mirë është që shteti suedez pagoi për të “blerë” jetën e tij. Përdorën një klauzolë që kishin fiset atje, ku mund të bënin marrëveshje. Paguan rreth 10 milionë euro. Pritet që të shprehet gjykata, mund të dënohet me burg përjetë, por mjafton që të jetë gjallë. Mos ta asgjesojnë në mes të qytetit. Kjo është e vetmja e mirë. Mundësitë për deportim janë të pakta sepse duhet të vuajë dënimin në vendin që ka kryer krimin.”
Megjithatë, ky pretendim është mohuar nga Ministria suedeze e Punëve të Jashtme. Pyetur nga Faktoje mbi lajmin se Suedia ka paguar Irakun për jetën e Prengës, zyra e shtypit e Ministrisë deklaroi se “ky informacion nuk është i saktë.”
Ky lajm është përgënjeshtruar edhe nga kolegët e Kallxo.
Shënim:
Data 21 maj 2024 website NOA.al dhe faqja e saj e FB e ka korrigjuar lajmin, pas verfikimit të të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.