Me fillimin e muajit të Ramazanit, kur besimtarët muslimanë agjërojnë për një kohë të caktuar gjatë ditës, lajme keqinformuese në lidhje me këtë agjërim kanë filluar të qarkullojnë në rrjet. Një prej tyre pretendon se shkencëtari Nobelist Yoshinori Ohsumi ka provuar se agjërimi i Ramazanit parandalon kancerin. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se puna kërkimore për të cilën Ohsumi fitoi çmimin Nobel ka të bëjë me procesin e autofagisë tek qelizat, dhe jo me parandalimin e kancerit.
———————————————————–
Artikulli i portalit thelajme.co mban titullin “Hulumtuesi dhe Shkencëtari i njohur japonez: Agjërimi i Ramazanit parandalon këtë sëmundje të shekullit”.
Teksti në brendi të këtij artikulli, me një shqipe të çalë dhe gati të padeshifrueshme, duket se është një përkthim shkel e shko i një artikulli të gazetës islamike-konservative turke Yeni Akit.
Artikulli pretendon se Ohsumi ka fituar çmimin Nobel në mjekësi sepse arriti të konfirmonte tezën e tij se “qëndrimi pa ushqim dhe pije ndihmon në trajtimin e sëmundjeve neurologjike dhe kancerit”.
Në të vërtetë, Ohsumi fitoi çmimin Nobel në mjekësi në 2016 për zbulimin e mekanizmit të autofagisë, një proces themelor në degradimin dhe riciklimin e përbërësve qelizorë.
Procesi i autofagisë ishte vëzhguar për herë të parë në vitet 1960, por Ohsumi i çoi më tej këto vëzhgime me anë të një sërë eksperimentesh me maja buke. Gjatë këtyre eksperimenteve ai arriti të identifikojë genet themelorë të autofagisë. Më pas, ai identifikoi mekanizmat e autofagisë tek majaja e bukës, dhe provoi se të njejtat mekanizma të sofistikuara veprojnë dhe në qelizat tona.
Zbulimet e Ohsumit bënë të mundur të kuptohej rëndësia e autofagisë në shumë procese fiziologjike, si mënyra se si trupi adaptohet me urinë ose reagimi ndaj infeksioneve.
Procesi i autofagisë është i përfshirë në një sërë sëmundjesh, përfshi këtu edhe kancerin dhe sëmundjet neurologjike.
Ohsumi nuk ka studiuar se si agjërimi ndikon tek mekanizmat e autofagisë, aq më pak të ketë fituar një çmim Nobel për këtë. Sipas AFP, Ohsumi gjithashtu nuk ka promovuar ndonjëherë praktikën e agjërimit dhe nuk ka pretenduar ndonjëherë se ajo shëron kancerin.
Askund në listën e artikujve shkencorë të botuar nga Ohsumi nuk është objekt studimi agjërimi, aq më pak tek njeriu.
Instituti i Teknologjisë së Tokios, ku Ohsumi mban pozicionin e profesorit, tha për AFP se Ohsumi “mori çmimin Nobel sepse arriti të provonte kontrollin molekular të autofagisë dhe ka punuar gjithë karrierën e tij me maja buke. Ai ka demonstruar mekanizma të ngjashëm tek njeriu, por nuk ka studiuar kurrë autofaginë në kushte fiziopatologjike [në raste sëmundjesh, shënim i redaktorit] tek njeriu.”