Marketingu i rremë, me qëllim shitjen e medikamenteve të caktuara, është kthyer në një shqetësim serioz në mediat sociale. Mishërimi më i fundit është reklamimi i një metode për të rënë në peshë me anë të një artikulli të sajuar me personazhe dhe ngjarje të shpikura, tekst të përkthyer nga artikujt të tjerë, identikë, në gjuhë të tjera, dhe foto të marra nga interneti.
————————————————–
“Fundi i epokës së dhjamit!” jep lajmin e mirë një faqe interneti e dizenjuar për të ngjarë si një portal i mirëfilltë lajmesh. Megjithatë, çfarëdo që të klikosh në këtë faqe, do të të dërgojë tek produkti i reklamuar nga artikulli. Kjo pjesë e dizenjos së faqes tregon se ajo shënjestron sidomos përdoruesit që nuk janë shumë familjarë me teknologjinë.
Artikulli reklamë, për t’i dhënë më shumë besueshmëri vetes, është i ndërtuar si një intervistë me ‘studenten shqiptare’, Shengul Lazami, e cila kishte lënë pa fjalë gjithë audiencën e Kongresit Evropian të Endokrinologëve, më 20 janar 2022.
Nga një kërkim i thjeshtë në Google, rezulton se Shengul Lazami nuk përmendet askund në internet, gjë që është e dyshimtë, nëse ajo ka zbuluar vërtet një formulë revolucionare të humbjes në peshë, dhe nëse këtë e ka deklaruar në Kongresin Evropian të Endokrinologëve, duke marrë edhe një duartrokitje 10-minutëshe, siç pretendon ‘artikulli’.
Për më tepër, Kongresi Evropian i Endokrinologjisë, sipas faqes së tij zyrtare, u mbajt nga datat 21-24 maj 2022, jo në Janar siç pretendon ‘artikulli’.
“Faktoje” përdori motorin e kërkimit të fotove, TinEye, për të gjetur origjinën e fotos së përdorur nga ‘artikulli’. Nga ky kërkim rezultoi se foto është e vitit 2016, shkrepur në një konferencë për familjet e personave me paaftësi zhvillimore në qytetin e New York.
Çuditërisht, megjithëse ideja e ‘studentes shqiptare’ paska merituar një duartrokitje 10-minutëshe nga endokrinologët evropianë, ‘artikulli’ nuk shpjegon se si funksionon kjo ide. Ai këmbëngul të tregojë se si kjo ide novatore është ‘ndrydhur’ nga kompanitë e mëdha farmaceutike për hir të interesave të tyre financiare. Kjo taktikë përdoret shpesh në këto ‘artikuj’ që reklamojnë produkte çudibërëse që fshihen nga farmaceutika moderne, gjë që shërben dhe si arsye e volitshme se pse ato mund të blihen vetëm duke u dhënë të dhënat personale si emri dhe numri i telefonit një faqeje pa asnjë lloj kredenciali në internet.
“Faktoje” zbuloi versione thuajse identike të këtij artikulli të rremë, modifikuar pak sipas shtetit përkatës, në anglisht (me shënjestër audiencën indiane), dhe spanjisht (me shënjestër audiencën meksikane, kiliane, argjentinase).
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin