.

.

BallinaPremtimeSpitali i Lezhës me mamografi të re, pajisja e dhururar në 2018-n përfundoi në magazinë

Spitali i Lezhës me mamografi të re, pajisja e dhururar në 2018-n përfundoi në magazinë

ANXHELA RUÇI

Shërbimi i mamografisë në spitalin e Lezhës u bë i mundur vetëm në fund të 2019-s edhe pse më herët ishte dhuruar një pajisje për këtë qëllim, por që nuk u vu asnjë ditë në punë. Gjatë vitit të kaluar u identifikuan të paktën 30 gra me kancer gjiri vetëm në Lezhë. Banoreve të këtij qarku u duhej të udhëtonin drejt Tiranës e Shkodrës për të marrë këtë shërbim.

………………………………………………………………………………………………………………………………………………………

Në tetor, i cili njihet edhe si muaji kundër kancerit të gjirit, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu premtoi se brenda vitit 2019 Spitali Rajonal i Lezhës do të pajiset me mamografi të re.

Postimi në Twitter i ministres Ogerta Manastirliu

Gjatë muajit dhjetor, “Faktoje” verifikoi premtimin e ministres i cili rezulton i mbajtur. Nëpërmjet një njoftimi për median, më 19 dhjetor 2019 Ministria e Shëndetësisë lajmëroi se prej asaj dite të gjitha gratë dhe vajzat në qarkun e Lezhës do të kishin mundësi të kryenin kontrollin e tyre pranë spitalit rajonal.

Deklarata për shtyp e Ministrisë së Shëndetësisë

Për të verifikuar nëse mamografia ishte funksionale, ne kërkuam informacion edhe nga spitali rajonal Lezhë, i cili konfirmoi vendosjen e mamografisë së re në këtë institucion. Edhe pse e instaluar në muajin dhjetor, kjo pajisje është vendosur në funksion të grave dhe vajzave më 6 janar 2020.

Elida, ështe një nga 10 gratë që kishin kryer ekzaminimin deri më 15 janar. Ajo tha për “Faktoje” se më parë kontrollin e gjirit e ka kryer në Shkodër për shkak të mungesës së tij, ndërsa tani e ka më afër vendbanimit.

Mamografia e re e instaluar në dhjetor 2019 në spitalin rajonal të Lezhës

Më herët, në vitin 2018 një mamografi u dhurua nga donatorët për spitalin e Lezhës, por kjo pajisje nuk u vu në funksion për asnjë ditë.  Mjekja e këtij spitali, Bardha Gjoni në një intervistë tha se për vënien në punë të mamografisë duhej një buxhet shtesë dhe në mungesë të tij, mamografia e dhuruar qëndronte në magazinë.

Fakt është që në spitalin e Lezhës gjendet një mamografi e re e cila është vënë në funksion në fillim të 2020-ës. Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë numër të saktë se sa është numri i grave dhe vajzave që përfitojnë nga mamografia e re, por e rëndësishme është që banoreve të qarkut Lezhë nuk do t’u duhet të udhëtojnë drejt Tiranës apo Shkodrës për të kryer kontrollin e gjirit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img