Pretendimi se soda e bukës lufton kancerin duke bërë qelizat kancerogjene të vdesin nga uria është i pasaktë. Studimi i vitit 2018 gjeti se soda e bukës tek minjtë aktivizon orën cirkadiane në qelizat e fjetura kancerogjene, duke i bërë ato të prekshme nga terapitë kundër kancerit.
—————————————————-
Pretendimi se soda e bukës lufton kancerin në trupin e njeriut qarkullon prej kohësh në rrjetet sociale. Një postim i ngjashëm, i publikuar në 4 shkurt në një profil nutricionisti, ka marrë rreth 1 mijë pëlqime dhe është rishpërndarë më shumë se njëqind herë.
Pretendohet se “soda e bukës ka qenë gjithashtu efektive në luftimin e kancerit.” Kjo sepse soda e bukës “kthen orën cirkadiane në qelizat e kancerit, duke i bërë ato të vdesin nga uria.”
Si fillim, lexuesi skeptik vëren se pretendimi nuk shoqërohet me ndonjë studim shkencor apo referencë tek një i tillë.
Megjithatë, Faktoje arriti ta gjejë studimin që ka këqyrur efektin e sodës së bukës tek ora circadiane e qelizave kancerogjene, të publikuar në 2018.
Megjithatë, ky studim nuk arrin në përfundimin se soda e bukës “kthen orën cirkadiane në qelizat e kancerit, duke i bërë ato të vdesin nga uria.”
Siç shpjegohet në këtë përmbledhje të studimit, vetëm qelizat aktive të kancerit, ora cirkadiane e të cilave është aktive, janë të ndjeshme ndaj terapive kundër kancerit. Qelizat kanceroze që mund të jenë ‘të fjetura’ brenda tumorëve nuk ndikohen nga këto terapi.
Kështu, një mënyrë për të shënjestruar këto qeliza të fjetura, siç treguan autorët e studimit, është soda e bukës, e cila duke neutralizuar ambientin acid ku këto qeliza dremisin, i “zgjon” ato, duke i rindezur orën cirkadiane qelizore.
“Parashikimi është që duke i rizgjuar këto qeliza, mund ta bësh tumorin shumë më të ndjeshëm ndaj terapisë,” tha Dr. Dang, një nga bashkëautorët e studimit.
Pra, soda e bukës nuk i bën qelizat e kancerit të vdesin nga uria, por ‘rizgjon’ qelizat kancerogjene inaktive, duke i bërë ato të prekshme nga terapitë e deritanishme kundër kancerit.
Vlen të përmendet se në vitin 2012, një 27-vjeçar italian ndërroi jetë në një spital privat në Tiranë ndërsa doktor Tullio Simoncini po e trajtonte tumorin e tij celebral me kurën e tij me sodë buke.
Shënim:
Data 8 shkurt 2024 faqja https://www.facebook.com/altin.joka e ka korrigjuar pas verfikimit të lajmit nga ana e Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.