“Smart City” në shkolla, çfarë dimë për kamerat inteligjente?

Çfarë ndodh me pamjet? Kush mund t'i shohë, çfarë informacioni ruhet dhe për sa kohë?

27
Rama

Nga Jona Cenameri

Një nxënës hyn në shkollë, kalon oborrin, ngjit shkallët dhe ecën drejt klasës. Gjatë kësaj rruge, kamerat mund të regjistrojnë lëvizjet e tij, ndërsa inteligjenca artificiale analizon pamjet për të identifikuar situata të rrezikshme.

Por çfarë ndodh me këto pamje më pas? Kush mund t’i shohë, çfarë informacioni ruhet dhe për sa kohë?

Këto janë disa nga pyetjet që Faktoje i drejtoi Policisë së Shtetit për projektin “Smart City”, të prezantuar nga qeveria si një investim për rritjen e sigurisë në shkolla. Në dy përgjigje zyrtare, të datave 9 tetor dhe 6 nëntor 2026, Policia konfirmoi integrimin e kamerave në 20 shkolla dhe sqaroi afatet e ruajtjes së të dhënave, por nuk dha numrin e kamerave për secilin institucion, kriteret e përcaktimit të tyre dhe strukturat konkrete që administrojnë informacionin.

Projekti është pjesë e investimit kombëtar “Smart City”, i financuar përmes një huaje prej 118.5 milionë dollarësh nga Fondi për Zhvillim i Abu Dhabit, të ratifikuar me ligjin nr. 17/2025.

Abonohu në newsletter

Merr lajmet më të fundit direkt në email.

30 kamera për çdo shkollë, por sa janë integruar?

Më 16 korrik 2026, Kryeministria njoftoi nisjen e projektit në 20 shkolla të Tiranës. 4 ditë më vonë, zëvendësministrja e Brendshme Anisa Ruseti deklaroi se 20 shkollat do të kishin nga 30 kamera secila, pra 600 gjithsej, për monitorimin e korridoreve, hapësirave të përbashkëta dhe perimetrit të sigurisë. 

Sipas kësaj deklarate, numri i përgjithshëm do të ishte 600 kamera.

Më 31 gusht, gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama në gjimnazin “Partizani”, drejtuesja e shkollës konfirmoi se institucioni kishte afërsisht 30 kamera në mjediset e përbashkëta.

Megjithatë, dokumentacioni teknik i publikuar në një vendim të Komisionit të Prokurimit Publik, më 20 gusht, parashikon integrimin e 400 kamerave ekzistuese në 20 shkolla të qarkut Tiranë.

Ndërkohë, në një përgjigje të publikuar nga Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore në shtator, Ministria e Brendshme kishte sqaruar se projekti parashikonte integrimin e sistemeve ekzistuese të kamerave, jo instalimin e kamerave të reja në shkolla.

Dokumentet nuk sqarojnë nëse 400 kamerat ekzistuese janë pjesë e totalit prej 600 kamerash të deklaruara nga qeveria, apo nëse numrat u referohen fazave të ndryshme të projektit. 

Për të sqaruar numrin e pajisjeve, Faktoje kërkoi nga Policia e Shtetit inventarin e kamerave për secilën shkollë dhe kriteret e përcaktimit të tyre.

Në përgjigjen e 9 tetorit, Policia konfirmoi se kishte proceduar me integrimin e kamerave të instaluara në 20 shkolla në platformat e inteligjencës artificiale. Pas ankesës, më 6 nëntor, institucioni dërgoi listën e shkollave, por sërish pa numrin përkatës të kamerave.

Përgjigjet nuk sqarojnë sa pajisje janë aktualisht të integruara në sistem, nëse janë shtuar kamera të reja dhe mbi çfarë kriteresh është përcaktuar numri i tyre në secilën shkollë.

Çfarë identifikojnë kamerat dhe çfarë të dhënash ruajnë?

Gjatë prezantimit të projektit në gjimnazin “Partizani”, më 31 gusht, kryeministri Edi Rama shpjegoi se sistemi do të monitoronte mjediset e përbashkëta, por jo klasat. Ai foli edhe për mundësinë që prindërit të shihnin në kohë reale situata ku përfshiheshin fëmijët e tyre.

Ndërsa më 7 shtator, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro deklaroi se kamerat inteligjente mund të identifikojnë tym cigareje, objekte të rrezikshme dhe fytyra personash të raportuar si të rrezikshëm.

Për të kuptuar se çfarë informacioni mbledh një sistem me këto funksione, Faktoje i kërkoi Policisë të specifikonte të dhënat që regjistrohen dhe përpunohen.

Në përgjigjen e parë, institucioni përshkroi funksionet e përgjithshme të sistemit për identifikimin e incidenteve dhe parandalimin e veprimtarive të paligjshme. Në të dytën, sqaroi se inteligjenca artificiale përdoret si mjet ndihmës dhe se rezultatet e saj nuk prodhojnë automatikisht vendime administrative apo pasoja juridike, pa verifikimin e autoriteteve përgjegjëse.

Ndërsa ministrja e Arsimit ka deklaruar se sistemi mund të identifikojë edhe fytyra personash të raportuar si të rrezikshëm, Policia nuk sqaroi në përgjigjet për Faktoje nëse përdoren të dhëna biometrike, çfarë informacioni regjistrohet gjatë identifikimit dhe për sa kohë ruhet ai. 

Një përgjigje më konkrete u dha për afatet e ruajtjes së të dhënave 

“Pamjet video ruhen deri në 30 ditë, ndërsa alertet dhe metadatat ruhen deri në 1 vit”, thuhet në përgjigjen e 6 nëntorit.

Afatet për pamjet dhe sinjalizimet ishin deklaruar më herët nga ministri i atëhershëm i Brendshëm Besfort Lamallari. Në përgjigjen për Faktoje, Policia saktësoi se edhe metadatat, informacionet shoqëruese të regjistrimeve dhe sinjalizimeve, ruhen deri në një vit.

Sipas institucionit, afatet mund të zgjaten kur të dhënat lidhen me hetime apo procedura administrative dhe penale. Pas përfundimit të tyre, informacioni fshihet ose anonimizohen të dhënat në mënyrë të sigurt.

Kush i administron pamjet e nxënësve?

Në deklaratat publike është shpjeguar se kamerat lidhen me qendrën e monitorimit të Policisë së Shtetit. Kryeministria ka përmendur gjithashtu një protokoll aksesi për drejtuesit e shkollave, punonjësit e sigurisë dhe prindërit në raste të caktuara.

Por kur Faktoje kërkoi identifikimin e strukturave që mbledhin, administrojnë dhe përpunojnë të dhënat, Policia u përgjigj më 9 tetor se këtë e bëjnë “strukturat përgjegjëse dhe personeli i autorizuar”.

Në përgjigjen e dytë, më 6 nëntor, institucioni shtoi se aksesi lejohet vetëm për personat e autorizuar dhe se çdo veprim në sistem regjistrohet automatikisht.

As në përgjigjen e dytë, Policia nuk identifikoi konkretisht strukturat që mbledhin, administrojnë dhe përpunojnë të dhënat

Një tjetër çështje lidhet me kompaninë “Presight AI LTD”, e kontraktuar nga Ministria e Brendshme për pajisjet, programet kompjuterike, operimin dhe mirëmbajtjen e sistemit.

Në shtator, zëvendësministrja Ruseti deklaroi se kompania nuk do të kishte akses në pamjet e nxënësve dhe se të dhënat do të mbeteshin në Shqipëri.

Në përgjigjen për Faktoje, Policia nuk dha dokumentacion që përcakton kufizimet e aksesit të kompanisë gjatë operimit dhe mirëmbajtjes. Institucioni njoftoi gjithashtu se kontrata dhe specifikimet teknike nuk mund të viheshin në dispozicion, duke iu referuar dispozitave të konfidencialitetit.

Komisioneri kërkoi vlerësimin e ndikimit, raporti ende i papublikuar

Në një përgjigje të datës 24 prill 2026, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale deklaroi se i kishte kërkuar Ministrisë së Brendshme marrjen e masave për vlerësimin e ndikimit të projektit mbi privatësinë, duke pasur parasysh edhe përfshirjen e të miturve.

Më 25 shtator, Komisioneri njoftoi nisjen e monitorimit të projektit në 20 shkolla, të planifikuar për periudhën 14 shtator-15 tetor 2026. Kontrolli synonte të verifikonte ligjshmërinë e përpunimit të të dhënave, masat e sigurisë, afatet e ruajtjes dhe respektimin e privatësisë.

Raporti akoma nuk është bërë publik nga Komisioneri.

Më shumë se dy muaj pas kërkesës fillestare për informacion, të datës 31 gusht 2026, pas dy ankesave e dy përgjigjeve zyrtare, ende nuk ka sqarime të plota për numrin e kamerave në secilën shkollë, kriteret e përcaktimit të tyre, të dhënat që ato mbledhin dhe strukturat konkrete që i administrojnë dhe përpunojnë.