Një video që po qarkullon në rrjet po përdoret për të pretenduar se tregon inskenimin e vdekjeve, herë nga ana palestineze, herë nga ana izraelite. Verifikimi i Faktoje zbuloi se video është në fakt një video prapaskenash, nga xhirimi i një filmi të shkurtër palestinez.

————————————————

Një video që po shpërndahet në rrjete sociale tregon një djalë të shtrirë në tokë, me një pellg gjaku pranë tij. Këmbën e ka të përdredhur. Përrreth tij shohim çka duket se është një ekip xhirimi, disa prej të cilëve udhëzojnë djalin mbi pozicionimin e tij. Kamera shihen gjithashtu në video.

Kjo video po përdoret në kontekstin e konfliktit në Gaza, si “provë” e propagandës izraelite ose palestineze

Me anë të motorit të kërkimit të imazheve, Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se video ishte postuar në TikTok që në vitin 2022, nga llogaria awawdehproduction.

Përshkrimi në arabisht që shoqëron videon përkthehet: “Prapaskena e xhirimeve të skenës kur armiqtë kolonizatorë sulmuan fëmijën Ahmed Manasra”. 

E njejta llogari në TikTok, kishte postuar një tjetër video të të njejtës skenë, nga një kënd tjetër. Përshkrimi i saj përkthehet: “Prapaskenat e xhirimit të një filmi të shkurtër mbi historinë e të burgosurit të mitur Ahmed Manasra.”

Ahmed Manasra është një djalë palestinez i cili u godit me makinë nga një ushtar izraelit në 2015, kur ishte 13 vjeç, ndërsa kushëriri i tij Hassan, 15 vjeç, u vra nga forcat izraelite. Kjo pasi Hassani goditi me thikë dy izraelitë, 13 dhe 20 vjeç, në Jeruzalem. 

Një video e Ahmedit 13 vjeçar, shtrirë në tokë i gjakosur, qarkulloi gjerësisht në media në atë kohë. Pozicioni i tij, me këmbën e përdredhur, është i njejtë me atë të djalit që po filmohet në videon e mësipërme.

Kjo sepse video tregon prapaskenat e filmit të shkurtër Empty Place, të regjizorit palestinez Awni Eshtaiwe, i cili është bazuar mbi historinë e Ahmed Manasra. Ai e konfirmoi këtë për France 24.

Ahmed Manasra u dënua në 2016 me 12 vite burg. Në 2017, ky dënim u shkurtua në 9 vite e gjysëm burg. Ai ka qëndruar në izolim që nga nëntori 2021. Sipas organizatës humanitare Amnesty International, autoritetet izraelite e kanë trajtuar Ahmad Manasra me “mizori çnjerzore”.

Duke marrë shkas pjesërisht nga ky incident, në 2016, ligjvënësit izraelitë miratuan një ligj që lejon autoritetet izraelite të burgosin fëmijë duke filluar nga mosha 12 vjeç.