Një postim nga një llogari e quajtur “Neptun Albania Fans” ka marrë mbi 1 mijë komente dhe është ndarë mbi 700 herë në rrjetin social Facebook. Postimi njofton se do të dhurojë “480 biçikleta elektrike që nuk mund të shiten për shkak të gërvishtjeve dhe dëmtimeve të vogla, të gjitha janë ende të mira dhe të reja, kështu që do t’i dërgojmë në mënyrë të rastësishme te një ndjekës i rastësishëm çdo ditë.”
Në një format të zakonshëm ‘giveaway’, faqja udhëzon përdoruesit të komentojnë në postim dhe ta ndajnë atë në faqen e tyre personale.
Për më tepër, postimi i drejton përdoruesit të regjistrojnë emrin në një faqe online të dizenjuar për t’u dukur si një faqe zyrtare e kompanisë Neptun, me një buton për t’u regjistruar.
Nëse përdoruesi shtyp këtë buton, ridrejtohet në një faqe tjetër e cila identifikohet nga databaza e anti-virusit Kaspersky si një skemë e krijuar për të vjedhur të dhënat personale apo fjalëkalime.
“Faktoje” kontaktoi me kompaninë Neptun Albania për t’u interesuar për këtë postim. Një përfaqësuese nga kompania pohoi për “Faktoje” se profili i krijuar online “Neptun Albania Fans” nuk është i lidhur në asnjë lloj mënyre apo i njohur zyrtarisht nga kompania Neptun Albania.
Duket se kjo skemë mashtrimi është shfaqur më parë në Indonezi, në mënyrë pothuajse të njejtë, duke përdorur emrin e një kompanie lokale që shet biçikleta. Të dhënat e gjeneruara nga Facebook për origjinën e postimit dëshmojnë gjithashtu se është përdorur një adresë interneti në Indonezi. Lexuesit duhet të bëjnë kujdes nga oferta të tilla në rrjetet sociale, ku skema mashtrimi përdorin identitetin dhe emrat e kompanive të njohura për përfitime të ndryshme.