Këngëtarja Rita Ora nuk ofron shpërblim prej 10 mijë eurosh për ndjekësit e saj, siç pretendohet në postime të shpërndara në Facebook. Faktoje verifikoi se kemi të bëjmë me një tjetër skemë mashtrimi.
Postime të shpërndara në rrjetet sociale pretendojnë se këngëtarja e njohur me origjinë shqiptare, Rita Ora ofron një shumë prej 10 mijë eurosh për 150 personat e parë që thonë ‘Përshendetje’ në një profil që mban emrin e artistes.
“Ju bekoj te gjitheve!! 150 personat e parë që thonë (Përshëndetje), do t’u jap 10,000 € dhe jam i vërtetë, Që tani e tutje”, shkruan profili në Facebook që mban emrin e Rita Orës.
Postimi i shpërndarë në rrjetet sociale
Në këtë postim shfaqet një video e këngëtares, teksa po aplikon një maskë në fytyrë dhe është në ambjentet e shtëpisë së saj. Në komunikimin e saj në anglisht, Rita Ora nuk përmend në asnjë moment që ofron shpërblim për ndjekësit. Në videon e marrë nga një ‘live’ që Rita ka bërë në Instagramin e saj, këngëtarja shpjegon maskën e fytyrës që po aplikon.
Pra, duket qartë që kemi të bëjmë me një skemë mashtrimi. Kjo shihet edhe në komente, ku një pjesë e komentuesve janë të rremë, por ka edhe nga ata që besojnë vërtetë se Rita Ora jep një shpërblim të tillë.
“Respekt, por lekë as nuk bëhet fjalë, s’jep kush”-shkruan një prej komentuesve në këtë postim.
Ndërsa, përgjigja që pretendohet se është bërë nga Rita Ora është: “Përshëndetje, kontrollo mesazhet e tua tani. Pret një dhuratë”.
Mirëpo, ky profil që mban emrin e artistes ka vetëm 660 ndjekës dhe duket qartë që nuk është faqja reale e saj. Profili i vërtetë i Rita Orës në Facebook ka mbi 6 milionë ndjekës dhe është i verifikuar me shenjën blu nga Facebook. Në një asnjë prej postimeve të saj, këngëtarja me origjininë shqiptare nuk ka një lojë shpërblyese. Për më tepër, postimet e Rita Orës janë në anglisht, pasi këngëtarja nuk e flet mirë gjuhën shqipe dhe këtë e ka konfirmuar vetë në disa intervista.
Një skemë e ngjashme mashtrimi është verifikuar edhe në një artikull tjetër të publikuar më herët nga Faktoje, ku ishte përdorur imazhi i këngëtares, Leonora Jakupi. Këto profile hapen me qëllim rritjen e numrit të ndjekësve dhe më pas ofrohen për shitje tek bizneset apo individë të ndryshëm.