BallinaFaktometerE PavërtetëA u parandaluan problematikat e përmbytjeve në Bërdicë siç u premtua?

A u parandaluan problematikat e përmbytjeve në Bërdicë siç u premtua?

Investimi 65 milionë lekë nuk e shpëtoi Bërdicën nga përmbyjet, ndonëse një vit më parë, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca deklaroi se me këto fonde do të parandonte probematikën e përmbytjeve në këtë zonë. Ministria e Bujqësisë deklaron zyrtarisht se ndërhyrja është bërë një vit më parë, por banorët shprehin shqetësimin se askush nuk ka vënë dorë.

Në nëntor 2021, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca inspektoi punimet e nisura për mbrojtjen nga gërryerja dhe përmbytjet në Bërdicë.

“Ka qenë një zonë tepër problematike që krijonte nje rrezikshmëri shumë të lartë për banorët e zonës. Me këtë ndërhyrje, që përfundon brenda dhjetorit, ne do të kemi mundësinë të parandalojmë problematika të përmbytjeve në këtë zonë”, deklaroi ministrja Krifca.

Për sa i përket investimeve të kryera në Bërdicë, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Ne e pyetëm këtë institucion nëse ishin bërë investime dhe sa ishte vlera e tyre.

Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, 22 nëntor 2022

MBZHR argumentoi se janë kryer investime një vit më parë, me vlerë 65 milionë lekë. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, ndërhyrja mbron nga gërryerjet jo vetëm tokën bujqësore, por edhe të shtëpive të banimit.

“Po janë kryer investime për mbrojtjen nga gërryerja e tokës bujqësore dhe zonave të banuara nga lumi Drin, përballë harkut të Bërdicës. Investimi është realizuar në vitin 2021 dhe vlera e investimit është 65 milionë lekë.

Nëpërmjet këtij investimi është mundësuar ndërtimi i rreth 0.4 km, struktura të mbrojtjes nga gërryerja të tokave bujqësore, nga lumi Drin, në zonën e Bërdicës. Kjo ndërhyrje mbron nga gërryerjet jo vetëm tokën bujqësore, por edhe të shtëpive të banimit dhe bizneseve rreth kësaj zone. Struktura mbrojtëse konsiston në veshjen me gurë të bregut dhe ndërtimit të peneleve tërthore po me gurë”, njofton zyrtarisht Ministria e Bujqësisë për Faktoje.

Mirëpo, pavarësisht investimit të kryer, Bërdica nuk i shpëtoi përmbytjeve as këtë vit. Më 20 nëntor 2022, Shkodra u zgjua e mbuluar nga uji, që përmbyti jo vetëm tokat bujësore, por edhe banesat.

Emergjencat Civile njoftuan po atë ditë se po punonin për zgjidhjen e problematikave të shkaktuara nga reshjet me intensitet të lartë, teksa theksonin se në njësinë administrative Bërdicë kishin bërë të mundur evakuimin e 2 familjeve.

Në 21 nëntor, zyrtarisht Emergjencat Civile njoftuan se ishte ndërprerë qarkullimi në aksin Shkodër-Tiranë tek ‘Harku i Bërdicës’ për shkak të prezencës së ujit.

Në lidhje me këtë situatë, Bashkia Shkodër  bënte të ditur se në këtë njësi administrative ishin përmbytur 200 hektarë tokë bujqësore. Gjithashtu njoftonte për përmbytje të banesave, teksa banorët ishin detyruar të linin shtëpitë e tyre.

Njoftimi i Bashkisë Shkodër, 23 nëntor 2022

Në nëntor, Faktoje raportoi se Bashkia e Shkodrës nuk kishte bërë asnjë investim për të shmangur përmbytjet në Bërdicë, një nga zonat më problematike të këtij qarku.

Ndërsa banorët shpreheshin: “Asnjë s’ka vënë dorë, veç pastrojnë ndonjëherë këto kanalet që mbushen prapë me ujë. Kjo do zgjidhje prej vërteti, nuk bëhet me pastrim kanalesh. Po të bjerë mirë shi ne na bëhen tokat det. Përmbytja fillon nga ‘Harku i Bërdicës’ e deri këtu poshtë”.

Nga kërkimi i Faktoje në lidhje me problematikën e përmbytjeve në vitet e kaluara në Njësinë Administrative Bërdicë, në vitin 2018, sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes raportohej për 290 Ha tokë të përmbytur.

Sipas Bashkisë Shkodër, gjatë vitit 2021 u raportua për 240 Ha tokë bujqësore të përmbytur në këtë njësi administrative.

Për sa i përket situatës së përmbytjeve në Shkodër, ekspertët e Çështjeve Vendore ngrenë shqetësimin se nuk është punuar me masat parandaluese.

“Punohet shumë pak ose jo strategjikisht në masa parandaluese në mënyrë të vazhdueshme. Së pari, për sistemet e kanalizimeve, për infrastrukturën nën dhe mbitokësore, në investime dhe ndërgjegjësime”, theksojnë ekspertët.

Një vit më parë, Faktoje raportoi se pavarësisht investimeve të deklaruara nga zyrtarët publikë, Shkodra ishte qyteti më i dëmtuar, me më shumë se 1200 hektarë tokë dhe kultura bujqësore të përmbytura dhe një faturë dëmesh prej 3.5 miliardë lekë, sipas pushtetit vendor.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img