.

.

BallinaPertej“Sinjalizuesit” e munguar

“Sinjalizuesit” e munguar

Për të luftuar korrupsionin dhe rritur transparencën, qeveria ka miratuar në qershor të vitit 2016 ligjin për sinjalizuesit dhe mbrojtjen e tyre. Një praktikë e zbatuar në shumë vende perëndimore, ku një nëpunës i sektorit publik apo privat denoncon një praktikë korrupsioni. Por Shqipëria ka bërë vetëm hapin e parë, me miratimin e këtij ligji. Zbatimi i tij në një vend me demokraci të brishtë, mesa duket ka mbetur në klasë. Komiteti Shqiptar i Helsinkit raporton se në 3 vite në 11 ministri është regjistruar vetëm 1 rast, dhe ai ka zgjedhur të jetë i jashtëm. Ekspertët rendisin një sërë arsyesh që çojnë në moszbatimin e këtij ligji, ndër to spikat frika nga hakmarrja.


Hapja e negociatave për të qenë pjesë e familjes europiane, detyron Shqipërinë që të përmbushë një sërë kushtesh, një prej të cilëve është procesi zgjedhor. Ambasadori i OSBE -se në Tiranë, zoti Bernd Bochardt më 21 janar të këtij viti tha në një konferencë për shtyp se presioni mbi administratën publike gjatë procesit zgjedhor mund të shmanget. Punonjësit e administratës duhet të denoncojnë presionin ndaj tyre dhe të mbrohen si sinjalizues.

Ligji Nr. 60/2016 “Për Sinjalizimin dhe Mbrojtjen e Sinjalizuesve” u miratua më 2 Qershor 2016 dhe i ka shtrirë efektet e tij juridike që nga 1 tetori i po atij viti.Ligji ka për qëllim goditjen e korrupsionit në sektorin publik dhe privat si dhe mbrojtjen e individëve që sinjalizojnë një praktikë korrupsioni. “Sinjalizuesit” janë personat që kanë aplikuar ose janë në marrëdhënie pune pranë institucionit publik ose subjektit privat për të cilin raportojnë një veprim të dyshuar korruptiv.

Sa është zbatuar ky ligj në tre vite?

Në raportin e monitorimit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit mbi zbatimin e ligjit të sinjalizimit dhe mbrojtjes së sinjalizuesve rezulton se në 11  Ministri per tre vite me rradhë është shënuar vetëm 1 sinjalizim. Znj. Rovena Vuksani, juriste dhe koordinatore pranë KShH, tha për Faktojen:

“Edhe pse kanë kaluar 3 vite prej hyrjes në fuqi të ligjit nr.60/2016, nuk rezulton të jetë bërë asnjë sinjalizim i brendshëm në Ministritë e linjës (objekt i monitorimit). Vetëm së fundmi, në Tetor të 2019-ës është shënuar sinjalizuesi i parë në ministrinë e Drejtësisë, i cili ka zgjedhur mekanizmin e sinjalizimit të jashtëm pranë ILDKPKI-së”.

Znj. Vuksani shprehet se disa nga arsyet kryesore të mos funksionimit të këtij ligji janë mungesa e njohjes së ligjit nga nëpunësit shtetërorë dhe vetë strukturat e ngritura për zbatimin e ligjit. Por edhe mosbesimi i punonjësve të ministrive se sinjalizimi i tyre do të trajtohet me paanshmëri dhe profesionalizëm. Ajo thekson se punonjësit e Ministrive pranojnë në disa raste frikën nga hakmarrja e punëdhënësve të tyre, për sa i përket sinjalizimit. Pavarësisht garancive ligjore, punonjësit shprehen se ndihen të pasigurt sa i takon masave që mund të merren në mënyrë të fshehtë ndaj tyre.

“Në kushtet e klimës mosbesuese të politikave të rektutimit në institucione e private, opinionit që punësimi bëhet mbi bazë njohjesh, bindjesh, lidhjesh me strukturat apo pronarin e biznesit, e jo mbi baza meritokacie, punonjësit në institucione e kanë të vështirë të inciojnë raste sinjalizimi.”, thotë drejtoresha e programeve në Partners Albania, znj. Ariola Agolli.

Pavarasisht se ligji ka hyrë në fuqi që prej vitit 2016, ka ende shumë punë për të bërë për të arritur rezultatet konkrete dhe qëllimin e këtij ligji: parandalimin dhe goditjen e korrupsionit në sektorin publik dhe privat. Sipas znj. Agolli, çështjet që duhen adresuar janë informimi dhe sensibilizimi mbi ligjin si dhe koordinimi dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve përgjegjëse. Kjo përtej vendit të rëndësishëm që zë integriteti i strukturave përgjegjëse për zbatimin e ligjit.

“Faktoje” iu drejtua Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI, me një kërkesë për informacion, për ta pyetur nëse ka patur raste të ushtrimit të këtij ligji që nga hyrja e tij në fuqi. Në përgjigjen e saj më 31 janar 2020, Inspektoriati i Lartë tregon se gjatë periudhës 2017-2019 ka regjistruar dhe trajtuar 38 raste sinjalizimi dhe 5 raste mbrojtje nga hakmarrja në një numër institucionesh publike. Në përgjigjen e saj, ILDKPKI bën me dije se në përfundim të hetimit administrativ ka rezultuar se në asnjërin prej rasteve nuk kishte rezultuar hakmarrje e ndërmarrë nga organizata, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë.

Gjatë viteve 2017 dhe 2018, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore kanë rezultuar institucione të sinjalizuara në mënyrë të përsëritur. ILDKPKI, në përgjigjen e tij, ka theksuar gjithashtu:

“Në mekanizmat e raportimit, ligji parashikon ngritjen e mekanizmave të brendshëm dhe të jashtëm të raportimit në sektorin publik dhe atë privat, të ngarkuar me mbrojtjen e sinjalizuesve nga pasoja të rrjedhura nga sinjalizimi, duke synuar në të njëjtën kohë mbrojtjen e sinjalizuesit nga hakmarrja.”

Sinjalizimi i brendshëm realizohet në institucionin ku sinjalizuesi është i punësuar, ndërsa sinjalizimi i jashtëm pranë ILDKPKI. Në ligjin shqiptar për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesit, në të dyja këto raste sinjalizuesi gëzon mbrojtjen, ndërsa e humbet atë kur sinjalizimi bëhet publik, siç përcaktohet në nenin 8 të ligjit për sinjalizuesit. Kjo bie në kundërshtim me praktikën ndërkombëtare, të BE, përfshirë edhe atë të Kosovës, në të cilën njihen dhe mbrohen të treja praktikat e sinjalizimit: sinjalizimi i brendshëm, i jashtëm dhe publik.

JOEL ÇELA

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img