Pretendimi: Skeptri i Papë Franceskut fsheh një simbol satanist

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————-

Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon një foto e Papë Franceskut dhe një skeptri me dy gjarpërinj me një kryq mes tyre. Ajo vendoset krahas një imazhi që tregon Djallin me një simbol të ngjashëm me skeptrin. Kjo shoqërohet me insinuatën e një lidhjeje mes krishtërimit dhe satanizmit.

Me anë të motorit të kërkimit të imazheve, Google Reverse Image Search, Faktoje arriti të gjejë foton origjinale të Papë Franceskut, e cila është shkrepur në 2014.

Foto e plotë tregon Papë Franceskun gjatë një takimi me Patriark Bartolomeun I, kreun e kishës ortodokse në Nëntor 2014.

Në foton e plotë dallohet se skeptri me dy gjarpërinj nuk mbahet nga Papa. Kjo sepse ai në fakt i përket Patriarkut Bartolome. Ai shfaqet shpesh duke e mbajtur skeptrin nëpër ceremoni fetare.

faqen zyrtare të Kryepeshkopatës Ortodokse Greke në Amerikë, shpjegohet se skeptri simbolizon shkopin e bariut. 

Skeptri përfaqëson gjithashtu dhe rolin shërues së peshkopit, gjë që simbolizohet nga gjarpërinjtë që mbështillen rreth një shkopi.

Simboli i dy gjarpërinjve që mbështillen rreth një shkopi quhet kaduceus dhe përfaqëson skeptrin e perëndisë Hermes në mitologjinë greke. Kaduceusi simbolizon ndër vite tregtinë dhe negociatat.

Ndërsa lidhja e kaduceusit me satanizmin është shumë më e vonë. Ajo është krijuar në 1856 nga okultisti francez Eliphas Levi.

Imazhi i Satanait në postimin e mësipërm është një vizatim i Levi, botuar në librin e tij Magjia Transhendentale: Doktrina dhe Rituali. Në fakt, ky imazh nuk tregon djallin, por figurën pagane Baphomet. Në këtë vizatim, ishte zgjedhja artistike e Levi të përfshinte edhe simbolin e Kaduceusit, i cili prej shekujsh kishte simbolizuar tregtinë.

Vizatimi i Levi frymëzoi një tjetër okultist francez, Stanislas de Guaita, të vizatonte simbolin e kokës së dhisë brenda një ylli me pesë cepa në 1897. Ky simbol u adoptua më vonë si simboli zyrtar i Kishës së Satanait, themeluar nga Anton Lavey në 1966.

Vizatimet e Stanislas de Guaita

Ky pretendim dhe disa të tjera ndaj figurës së Papa Franceskut janë verifikuar gjithashtu nga kolegët tanë në Gjeorgji të MythDetector.