Simbolet komuniste në mozaikun e fasadës së Muzeut Historik Kombëtar janë hequr 30 vjet më parë dhe jo gjatë procesit të restaurimit të fundit, ashtu siç po transmetohet pasaktësisht nga disa portale. Faktoje ka siguruar vendimin e qeverisë Meksi të vitit 1993.
Esmeralda Topi
Restaurimi i mozaikut në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar po shoqërohet me polemika për shkak të mungesës së simboleve komuniste në këtë vepër të realizmit socialist. “A duhej hequr ylli nga mozaiku i Tiranës gjatë restaurimit?”, me këtë pyetje i është drejtuar ndjekësve në rrjetin social facebook, portali Gazeta Drita, teksa ndan dy imazhe të mozaikut në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar. Në njërën fotografi është mozaiku me simbolet komuniste dhe në tjetrën shfaqet vepra pa yllin dhe librin në ngjyrë të kuqe, që përfaqësonte veprat e dikatorit Enver Hoxha.
Postimi i Gazetës Drita është bërë në 21 maj dhe ka marrë qindra reagime ndërkohë që dhjetra përdorues e kanë shpërndarë në profilet e tyre në Facebook së fundi imazhin e mozaikut ‘Shqipëria’, para dhe pas retushimit të simboleve.
Përtej debatit të shëndetshëm nëse duhet apo jo të retushohet arti i realizmit socialist, për shkak të ideologjisë që transmeton, është e nevojshme të shpjegohet për opinionin publik se restaurimi i fundit nuk duhet të fajësohet për ndryshimin e origjinalitetit të mozaikut.
Verifikimet tona tregojnë se procesi i retushimit të simboleve komuniste ka ndodhur rreth 30 vjet më parë se të niste ky restaurim i domosdoshëm për të shpëtuar veprën.
Retushimi i mozaikut që në 93’
“Faktoje” ka arritur të sigurojë një kopje të vendimi që mban firmën e Dhimitër Anagnostit, ish-ministrit të Kulturës në kabinetin e drejtuar nga Aleksandër Meksi”, më 15 nëntor të 1993.
Në relacionin që shoqëron vendimin, shkruhet se heqja e simboleve të komunizmit u mor pas një konsulte të mbajtur në Ministrinë e Kulturës me historianë, arkitektë dhe krijues në fushën e artit dhe kulturës.
‘Në bazë të diskutimeve u konkludua:
- Të hiqet ylli nga Flamuri Kombëtar
- Të hiqet ylli i madh nga sfondi i mozaikut, si symbol i komunizmit
- Të hiqet libri me ngjyrë të kuqe, që përfaqëson veprat e E.Hoxhës nga dora e punëtorit.’,shkruhet ndër të tjera në relacion, teksa saktësohet se punimet për heqjen dhe zëvendësimin e simboleve do të kryeheshin nga Agim Nebiu, njëri prej katër autorëve të veprës.
I kontaktuar nga Faktoje, Agim Nebiu na rrëfen se si u mor vendimi për zëvendësimin e simboleve komuniste në vepër 30 vjet më parë.
“Ishte viti 1993. U bë një mbledhje urgjente në ministri. Mes diskutimeve unë propozova që të hiqeshin dy yjet dhe të bëhej zëvendësimi i librit të kuq me një xhaketë. Ky propozim u mirëprit, kjo e shpëtoi mozaikun, që me mentalitetin e atëhershëm rrezikonte edhe të hiqej fare”., shprehet Nebiu.
Restaurimi i mozaikut “Shqipëria”
Mozaiku ikonë i fasadës së Muzeut Historik Kombëtar konsiderohet si një nga veprat më të mira të realizmit socialist të vonë shqiptar. I vendosur në vitin 1981, ai shfaq në sipërfaqen prej 565 m2, disa nga momentet më të rëndësishme të historisë së vendit, që nga antikiteti deri në epokën komuniste. Me kalimin e viteve vepra kishte pësuar dëmtime, të cilat u bënë edhe më të dukshme pas tërmetit në nëntor 2019.
Bashkimi Evropian nisi restaurimin e mozaikut si pjesë e projektit EU4Culture, të zbatuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë. Ky projekt fokusohet në rinovimin dhe rijetëzimin e objekteve të trashëgimisë kulturore, që u dëmtuan nga tërmeti, me një buxhet total prej 40 milionë euro. Nga ky buxhet, rreth 1 milionë euro mundësuan restaurimin e mozaikut ‘Shqipëria’.
Pjesë e ekipit të restauratorëve të mozaikut ishte edhe arkeologu Agron Islami. I kontaktuar nga Faktoje, ai tregon se punimet në atelienë e ngritur për restaurimin e veprës zgjatën dy vite.
“Është ndërhyrë me mundim në gati 50- 60% të sipërfaqes të mozaikut. Na u desh të shkëpusim materialin e vjetër nga suporti dhe të rivendosim testerat e reja po prapë një më një për Mozaikun. E ndamë veprën në segmente dhe e punuan çdo segment duke zëvendësuar hekurat dhe copëzat e ndryshkura me të reja.”, shprehet Islami teksa komenton edhe polemikat e ngritura në rrjete sociale dhe media lidhur me retushimin e simboleve komuniste.
“Në vitin 1993 është bërë retushimi i tre simboleve të mozaikut. Kurse tani nuk ka të bëjë me retushim, por me restaurim. Për mua edhe ndërhyrja e 93’ është një fakt historik. Nesër do thuhet ky mozaik lindi në 1981, në vitin 1993 u bë një retushim dhe në 2023 u bë restaurimi i tij.”, pohon ai duke sqaruar ndryshimin mes dy koncepteve, retushim dhe restaurim.
“Unë jam restaurator dhe retushimi është një koncept tjetër nga termi restaurim. Retushimi i Mozaikut është bërë në 1993 është pozicionuar në ato 565 m2 mozaik me historikun e vet, gjë të cilën nuk e ndryshoj dot unë dhe nuk mund të luajë asnjë gjë nga çfarë unë zbatoj në një projekt, si restaurator.”, përfundon komentin e tij z.Islami.
Përurimi i Mozaikut të restauruar u bë mbrëmjen e 17 majit, në sheshin Skëndërbej. Ceremonia qe pjesë e festimeve të Javës së Evropës dhe bëri së bashku përfaqësues të Delegacionit të BE-së, Ministrisë së Kulturës, OKB-së, UNOPS-it, specialistë të trashëgimisë kulturore, zyrtarë të tjerë të lartë dhe autorë të Mozaikut.
Shënim:
Data 26 maj 2023 faqja në Facebook e gazetës Drita e ka korrigjuar tekstin pas verfikimit të lajmit nga ana e Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.