Kriza e plehrave që shkaktoi emergjencë mjedisore prej më shumë se një viti në Durrës, përfshiu këtë verë edhe bashkinë Shijak. Të dyja bashkive, Faktoje i dërgoi një listë me 27 pyetje të detajuara mbi menaxhimin e situates dhe përgjigjet e cunguara, erdhën vetëm pas ankimimit te Komisioneri. E përbashkëta e dy institucioneve është se nuk kanë një plan afatgjatë për zgjidhjen e situatës me mbetjet urbane. Ndërkohë trajtimi i mbetjeve inerte, që pas tërmetit të nëntorit 2019 shënuan sasi të mëdha, mbetet një çështje në ‘hije’.
Në vijim të verifikimit në lidhje me krizën e menaxhimit të mbetjeve për bashkinë Durrës dhe Shijak, Faktoje kishte dërguar një kërkesë për informacion me 27 pyetje që në datën 11 Gusht.
Gjatë kësaj periudhë Faktoje raportoi përmes disa artikujve verifikues se dy bashkitë nuk kanë fonde të mjaftueshme dhe kanë kërkuar mbështetjen financiare për 10 vite nga qeveria, për grumbullimin dhe përpunimin e mbetjeve.
Kthimi i përgjigjeve për pyetjet ndodhi vetëm pas procesit të ankimimit te Komisioneri i të drejtës për Informim, por nga verifikimi i tyre konstatuam se dy institucionet vendore nuk kanë një plan afatgjatë për menaxhimin e mbetjeve edhe pse problemi i mbetjeve parashikohej të thellohej vite më parë.
Bashkia Durrës s’ka plan afatgjatë për mbetjet
Bashkia e Durrësit nuk ka një plan afatgjatë për menaxhimin e mbetjeve edhe pse ky problem ishte i pranishëm për vite me rradhë. Kjo vërtetohet nga përgjigjja e dërguar prej këtij institucioni i cili pranon se nuk ka një strategji afatgjatë për menaxhimin e mbetjeve në Bashkinë Durrës.
“Në lidhje me pyetjet e mësipërme 24-27, nuk ka një strategji afatgjatë në lidhje me këtë problem. Bashkia Durrës në bashkëpunim me pushtetin qëndror është në proces për gjetjen dhe aplikimin e një zgjidhje përfundimtare problematikës së mbetjeve.”- shprehet në përgjigjen e Bashkisë Durrës.
Në listën e përgjigjeve të Bashkisë Durrës mungojnë shpjegimet për pyetjet në lidhje me Landfillin e Sharrës, kohëzgjatja e kontratës, çmimi për ton mbetjesh, sa është tarifa për ton mbetjesh inerte apo nëse dërgimi i mbetjeve në landfillin e Sharrës ishtë zgjidhje e përhershme apo e përkohëshme.
Screenshot nga kërkesa për informacion drejtuar Bashkisë Durrës
Një tjetër element që Faktoje konstatoi ishte që parashikimet e mbetjeve në vit për periudhën 2021-2036 janë më të ulëta se mbetjet e prodhuara nga viti 2015-2020, duke mos u llogaritur këtu as shtimin i popullësisë dhe elemente të tjera që ndikojnë në këtë drejtim.
“Bashkia Durrës për vitet 2015-2020 ka prodhuar mesatarisht 228.880. Mesatarisht 38146 ton/ vit ku këtu bëhet fjalë vetëm për Ndërrmarrjen e Shërbimeve Komunale Durrës. Ndërsa parashikimet e mbetjeve në vit për ton për periudhën 2021-2036 janë mesatarisht 33.000 deri në 40.000 ton, pra shumë më të ulëta se ç’janë prodhuar nga viti 2015-2020.” –përgjigjet Bashkia Durrës.
Mbetjet inerte që kjo bashki ka prodhuar gjatë viteve 2015-2020 llogariten në rreth 23.300 ton, mesatarisht rreth 3880 ton në vit. Por mbetjet inerte sipas përgjigjes zyrtare të institucionit nuk janë depozituar në landfillin e Sharrës
“Mbetjet inerte nuk klasifikohen në llojin e mbetjeve për të cilin do të nënshkruhet kontrata me Landfillin e Sharrës. Mbetjet inerte paguhen nga prodhuesi që i gjeneron.”- citohet në përgjigje të bashkisë.
Nga 27 pyetje që Faktoje i drejtoi Bashkisë Durrës, ky institucion ka refuzuar t’u përgjigjet gati gjysmës së tyre.
Bashkia e Shijakut më transparente se Durrësi, por pa plan afatgjatë për menaxhimin e mbetjeve
Nga përgjigjet e Bashkisë Shijak rezulton e njëjta situatë si Bashkia Durrës. Bazuar në shkresën zyrtare, konfirmohet se kjo bashki ka kërkuar mbështetje financiare nga qeveria për 10 vite, ndërkohë që kohëzgjatja e kontratës më Landfillin e Sharrës konkretisht me shoqërinë”Integrated Energy BV SPV” është 5 vite.
“Në lidhje me pikën ku kërkohet informacioni se sa është kohëzgjatja që planifikoni të nënshkruani me Landfillin e Sharrës sqarojmë se depozitimi i mbetjve pranë Zonës së Trajtimit të Mbetjeve Tiranë do të realizohet për një periudhë 5 (pesë) vjeçare.”- thuhet në përgjigjen e bashkisë Shijak.
Screenshot nga përgjigjja e Bashkisë Shijak
Për pyetjen se cila është strategjia afatagjatë që ka menduar bashkia e Shijakut për menaxhimin e mbetjeve, ky institucion jep një përgjigje evazive.
“Në lidhje me pikën ku kërkohet informacion se çfarë zgjidhje po mendon bashkia Shijak për të vënë në zbatim gjatë periudhës së kohëzgjatjes së kontratës së Sharrës ju bëjmë me dije se jemi në fillimet e zbatimit të kontratës dhe në vazhdimësi do të punohet edhe për zgjidhjen e mundshme optimale në lidhje me menaxhimin e mbetjeve përtej afatit kontraktual.”
Përsa i përket çështjes së mbetjeve inerte për vitet 2021-2036 nuk ka asnjë studim nga bashkia se sa ton mbetje të këtij lloji parashikohet të gjenerohen. Nga ana tjetër kontrata me landfillin e Sharrës është parashikuar vetëm për depozitimin e mbetjeve urbane. Në vitin 2020 Bashkia e Shijakut ka prodhuar 5920 ton mbetje urbane, ndërkohë që në 10 vitet e ardhshme parashikohet të gjenerojë 11.826 ton mbetje të këtij lloji.
Për menaxhimin e mbetjeve bashkia Shijak ka menduar të rrisë tarifën e pastrimit, çëshjte për të cilën Faktoje ka bërë disa artikuj verifikues.
Nëse do bënim një krahasim mes dy bashkive për nivelin e transparencës, në rastin konkret me planin për menaxhimin e mbetjeve, Bashkia Shijak është treguar më e gatshme në krahasim me atë të Durrësit për dhënien e përgjigjeve shteruese lidhur me këtë çështje me interes dhe ndikim të madh tek publiku.